Tashmë, ngjarja e 2 prillit 1991 përgjithësisht është e njohur për shumicën e shtetasve shqiptarë që në atë kohë ishin në moshë madhore. Por, ideja që kanë njerëzit për ngjarjen është e ndryshme në varësi të aftësive të gjithsecilit për të kuptuar çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e sajuar. Propaganda mashtruese ka krijuar pështjellimin e fakteve të vërteta, me sajesat, pështjellim që depërtoi edhe në mendjet e njerëzve.
Ajo që është e provuar dhe dihet nga të gjithë, është se atë ditë u vranë katër njerëz të pafajshëm dhe u plagosën disa të tjerë, duke përfshirë edhe rreth 20 policë e oficerë policie.
Në librin tim “Prapaskenat e Krimit Politik – Kush vrau në 2 Prill” janë paraqitur fakte dhe janë përshkruar veprime, të cilat i krijojnë mundësi çdo lexuesi për të nxjerrë përfundime, që mund të jenë të ndryshme nga përfundimet ku kam arritur unë. Ata që kryen këto akte janë të njohur dhe kushdo mund t’i shikojë kur mblidhen në çdo përvjetor për të festuar një tragjedi. Tragjedia nuk festohet, por ata kanë të drejtë ta festojnë, se u ka sjellë shumë përfitime. Madje, shumë prej tyre edhe janë dekoruar para disa vitesh, “për merita në luftën kundër komunizmit”. Të vetmit që një përvjetor të tillë e presin me trishtim dhe dhimbje, janë të afërmit e katër njerëzve të vrarë si dhe të afërmit e pesë njerëzve të dënuar padrejtësisht për atë ngjarje, për t’i vënë një vulë juridike propagandës së gënjeshtërt politike.
Ajo që u luajt para dhe pas ngjarjes nuk ishte rastësi, por e paramenduar. Fakte të panumërt e provojnë këtë. Rastësi nuk ishte as një pjesë e asaj që u luajt gjatë ngjarjes, por jo e gjitha, sepse kur një ngjarje fillon, ideatorët e saj nuk e kontrollojnë dot plotësisht. Unë nuk kam informacion të drejtpërdrejt që të ndaj se çfarë u krye dhe çfarë jo sipas asaj që ishte paraparë që të kryhej, por informacioni i pasqyruar tek “Prapaskenat e Krimit Politik-Kush vrau në 2 Prill?” është i begatë për të parë atë që u luajt në prapaskenë.
A ishte “2 prilli” një masakër komuniste mbi demokracinë apo skenar i diktaturës kundër demokracisë? Ajo që mund të them, si përgjigje për pyetjen, është se 2 prilli ishte në thelb krejt e kundërta e asaj çfarë i është paraqitur deri tani popullit, jo vetëm nga politika, por edhe nga “Drejtësia” e shteti shqiptar.
Besoj se ka ndodhur e kundërta. Është e njohur dhe e pranuar gjerësisht se ajo që përfitoi nga ngjarja ishte opozita e asaj kohe. Faktet e parashtruara në faqet e librit flasin për veprime të kryera me qëllime të qarta që pasojat të vinin. Kontaktet e policisë me drejtuesit e PD-së në Shkodër kanë qenë të pandërprera që nga themelimi i saj dhe kanë vazhduar edhe pas ngjarjes së 2 prillit. Në disa raste, bashkëpunimi ka qenë i mirë dhe me dobi për rendin, por në mjaftë raste të tjera bashkëpunimi i kërkuar nga policia nuk është realizuar, edhe pse është premtuar nga drejtuesit e PD-së. Qëndrimi i drejtuesve të PD-së në 2 prill ka qenë i pakrahasueshëm me gjithë rastet e mëparshëm. Ata refuzuan në mënyrë kategorike të kontribuonin në evitimin e grumbullimit të paligjshëm dhe të shpërndanin turmën e irrituar. Kësaj “kthese” në marrëdhënie me policinë dhe me turmën, krerët e PD-së i kanë dhënë disa përgjigje, të cilat kundërshtojnë njëra-tjetrën. Përgjigjet kontradiktore të njëkohshme dhe në kohë të ndryshme kanë zënë vend në libër dhe mbështeten në fakte të dokumentuara, të tilla, si: ndërsa i qëndruan deri në fund pretendimit se ata (drejtuesit e PD-së) nuk kishin punë me turmën, se protestuesit nuk kishin asnjë lidhje me ta, nga ana tjetër pretendonin se kishin shkuar për të ndihmuar policinë, por ajo i vrau pas shpine. Kur erdhën në pushtet, i dekoruan zjarrvënësit për të cilët kishin pretenduar se nuk kishin qenë të tyre. Ndërkaq, çështja e “urdhrit për të qëlluar” ka qenë një legjendë e krijuar nga ata që e organizuan ngjarjen dhe në shërbim të qëllimit të organizimit. Dy vjet hetim dhe tri javë gjykim vërtetua se nuk kishte ekzistuar kurrfarë urdhri për të qëlluar. Kushdo e kupton se po të jepej dhe zbatohej një urdhër i tillë do të bënte që atë ditë qyteti i Shkodrës të përcillte në varreza qindra qytetarë të tij.
* * *
Çfarë ndodhi në ditën e parë të gjyqit për 2 prillin
Xhevdet Shehu
Serinë e proceseve kundër krimeve të diktaturës e çeli çështja që lidhej me masakrën e 2 Prillit 1991 në qytetin e Shkodrës, gjatë së cilës u vranë katër qytetarë shkodranë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Gjyqi u hap më 9 dhjetor 1992 në qytetin e Shkodrës dhe vazhdoi për gati një muaj rresht. Në ditën e parë të procesit unë shkova në Shkodër për ta ndjekur nga afër dhe pashë se kishte një interesim të jashtëzakonshëm.
Ndonjë vit e ca më parë, kishte dështuar një përpjekje për të zhvilluar gjyqin e asaj ngjarjeje tragjike dhe dosja ishte prapsuar për plotësime hetimesh. Tashmë, dukej se gjyqi do t’ia arrinte qëllimit dhe do t’i vinte pikat mbi “i”. Midis pesë të pandehurve, në bankën e të akuzuarve ishte ulur edhe një ish-anëtar i Byrosë Politike të Partisë së Punës, ish-sekretari i parë i rrethit të Shkodrës në kohën kur ndodhi masakra, Xhemal Dymylja. Personi i dytë i rëndësishëm në proces ishte ish-zëvendësministri i Brendshëm Haredin Shyti, ndërsa tre të tjerët kishin qenë drejtues të degës së Punëve të Brendshme për Shkodrën.
Gjyqi i Shkodrës bënte fjalë për një krim konkret dhe të freskët, por, që në ditën e parë të gjyqit, në disa mjedise ku u ndodha, pashë mosbesimin e dukshëm të shkodranëve për përfundimin e tij. Ndërsa e ndiqnin gjyqin drejtpërsëdrejti me anë të transmetimit që i bënte radioja vendore, ata ironizonin haptaz organet e drejtësisë dhe të pushtetit. “Autorët e vërtetë s’kanë me i gjet kurrë, disa janë sigurue në Tiranë, ndërsa të tjerët kanë lan puplat e kanë hik jashtë shtetit”, dëgjoja të thonin në Shkodër atë ditë.
I pari nga të pandehurit foli ish-zëvendësministri i Brendshëm, H. Shyti, i cili konsiderohej nga akuza si “çelësi” i këtij procesi. Ai foli rreth dy orë e gjysmë, ku natyrisht u mbrojt përballë akuzave që i bëheshin për shpërdorim të detyrës dhe pjesëmarrje të tërthortë në vrasjen e katër personave dhe plagosjen e shumë të tjerëve, si dhe për fallsifikim të dokumenteve shtetërore. Shyti e quajti procesin një inskenim politik për qëllime të caktuara. Ai njihej si një nga kuadrot më të aftë të ish-ministrisë së Brendshme dhe ato të policisë, gjë që u vu re dhe në mbrojtjen e tij.
Akuzat nuk i pranuan as të pandehurit e tjerë.
Në ditën e parë procesi vazhdoi gjatë dhe pa ndërprerje. Për të transmetuar materialin u detyrova të lidhesha me zyrën në Uashington nga Shkodra. Por këtu më doli një vështirësi e paparashikuar. Shkodra nuk kishte asnjë numër telefonik me lidhje të drejtpërdrejt me jashtë shtetit. Shkova në Radio Shkodra dhe drejtuesit e saj më ndihmuan duke më lidhur me drejtoreshën e telekomit në shtëpi, e cila urdhëroi centralin që, kundrejt pagesës me para në dorë të më lidhte me Amerikën. Dhe kështu u bë. Lidhja ishte aq e keqe saqë u detyrova ta përsëris dy herë materialin nga fillimi e, për pasojë, pagova dyfishin e tarifës. Sidoqoftë, arrita ta jap materialin rreth gjysmë ore para se të fillonte programi dhe, pasi piva një kafe në Shkodër me dy gazetarë të radios vendore, në kthim, në të dalë të Shkodrës dëgjova transmetimin që i bëri Zëri të Amerikës dhe mbeta i kënaqur sepse mundimi nuk më shkoi kot… Jashtë Shkodrës isha i pari që po u kumtoja diçka shkurtimisht dëgjuesve për këtë ngjarje. Këtë kënaqësi do ta ndjeja shpesh gjatë viteve të punës me Zërin e Amerikës.
…Procesi ndaj të pestëve për ngjarjet e 2 prillit në Shkodër përfundoi pas afro një muaji, por pa mundur të zbulojë dot autorët e vërtetë të atij krimi. Të pandehurit u dënuan maksimalisht, deri edhe me 18 vjet burg, ndërsa dosja mbeti e hapur dhe vazhdon të jetë e tillë, e mistershme, me shumë enigma dhe dyshime brenda saj. Këto dyshime i evidenton qartë edhe avokati i njohur i viktimave të 2 Prillit, Nafiz Bezhani, në analizën që i bën ngjarjes në fjalë në librin Procesi i Shekullit.
Por deri më tani thuajse nuk ka asgjë të re për atë proces. Ka qëlluar të përmendet ndonjëherë në faqet e shtypit, ose në parlament, por kam vënë re se nga politikanët shqiptarë konsiderohet si një zonë e rrezikshme, ku të gjithë përpiqen t’i qëndrojnë sa më larg…
