Ja cilat janë kategoritë që përfitojnë nga fondet e punësimit

anazapta

Kush përfiton nga programet e Fondit të Nxitjes së Punësimit”Qeveria ka miratuar në mbledhjen e djeshme vendimin se cilat janë kategoritë që do të përfitojnë nga programet e nxitjes së punësimit. Krahas trefishimit të fondit të përcaktuar për realizimin e programeve të nxitjes së punësimit, kryesisht tek kategoritë në nevojë, është shkurtuar koha e ndarjes së fondeve në rastet e aprovimit të projektit. “Pas trefishimit që qeveria i bëri këtij fondi me buxhetin e ri, apo edhe nismës për hapjen e zyrave të reja të punës, ky është një tjetër lajm i mirë. Në bazë të ndryshimeve që u miratuan çdo biznes, person juridik ose fizik ka të drejtë të aplikojë dhe përfitojë nga programet e Fondit të Nxitjes së Punësimit. Me ndryshimet e bëra afati kohor i miratimin të shpërndarjes së fondeve shkurtohet në 10 ditë, me qëllim shpejtimin e impaktit në hapjen e vendeve të reja të punës”, ka sqaruar gjatë ditës së djeshme zëvendësministrja e Rinisë dhe Mirëqenies Sociale Bardhylka Kospiri. Sipas saj, ndryshimet e reflektuara në vendimin e miratuar do të sigurojnë edhe risi, edhe në futjen e mjeteve elektronike në publikimin dhe aplikimin për programet e nxitjes së punësimit, pasi lehtësojnë procedurat për subjektet private, si dhe përmirësojnë procesin e miratimit të projekteve. Këto ndryshime kanë për qëllim dhënien me prioritet të fondeve për punësimin e kategorive specifike vёshtirësi dhe grupeve të veçanta të femrave, punëkërkuesve të papunë të rinj pa profesion, si dhe atyre që përfitojnë pagesë papunësie dhe ndihmë ekonomike, të papunët afatgjatë, personat mbi 45 vjeç që nuk kanë një arsimim më të lartë se arsimi i mesëm ose ekuivalent të tij, personat me aftësi të kufizuar, personat nga komuniteti rom dhe emigrantët e kthyer me probleme ekonomike. Për vitin 2014, fushat prioritare për zbatimin e fondit të nxitjes së punësimit janë: industria prodhuese, aktivitetet e lidhura me bujqësinë dhe blegtorinë, industria e turizmit, teknologjia e informacionit, dhe industritë e lidhura me detin. Përfitues të këtij programi janë femrat punëkërkuese nga grupet e veçanta, të përcaktuara.  

 

Programi për nxitjen e punësimit të femrave nga grupet e veçanta

Zyra përkatëse e punësimit financon: Punëdhënësin, me një financim mujor në masën deri në 100 për qind të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se një vit. Ky financim bëhet nga zyra e punësimit në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore, sipas procedurave përkatëse. Në financim do të përfshijë edhe punëmarrësin e përfshirë sipas këtij programi, deri në katër paga, në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, në muajt e pestë e të gjashtë dhe në muajt e njëmbëdhjetë e të dymbëdhjetë të kontratës,  ndërsa për muajt e tjerë financon punëdhënësi.

 Në program kanë të drejtë të përfshihen punëdhënësit, persona juridikë apo fizikë, kanë të drejtë të kërkojnë të përfshijnë në program: “Deri në 100 për qind të numrit aktual mesatar të siguruarve në tre muajt e fundit, në rast se kanë deri në 50 punonjës. Deri në 50 për qind të numrit aktual mesatar të siguruarve në tre muajt e fundit, në rast se kanë mbi 50 punonjës|.

Programi i nxitjes së punësimit nëpërmjet formimit në punë

Përfitues të këtij programi janë punëkërkues të papunë të cilët do të përfitojnë trajnim nëpërmjet punës. Zyra përkatëse e punësimit  financon: deri në 70 për qind të tarifave me bazë koston e trajnimit, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Deri në 50 për qind të tarifave me bazë koston e trajnimit, për ndërmarrjet e mëdha, si dhe kursantin, punëkërkuesin e papunë, të përfshirë në këtë program,  sipas masës së parashikuar.

Programi i nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë në vështirësi

Përfitues të këtij programi janë punëkërkuesit e papunë në vështirësi, të përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi. Zyra përkatëse e punësimit financon: “Punëdhënësin, me një financim mujor në masën deri në 100 për qind të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se një vit. Ky financim bëhet nga zyra e punësimit në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, sipas procedurave përkatëse. Gjithashtu financon edhe punëmarrësin e përfshirë në këtë program, deri në katër paga, në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, në  muajin e pestë e të gjashtë dhe në muajin e njëmbëdhjetë e të dymbëdhjetë të kontratës, ndërsa për muajt e tjerë financon punëdhënësi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *