Kukësi e Teuta, dopjo përballje për Evropën

redaktor

Kukësi dhe Teuta do të kenë një dopjo përballje brenda pak ditëve, në kampionat e Kupë. Në “Zeqir Ymeri” do të jetë ndeshja kryesore e kësaj jave, me dy skuadra që kanë si synim renditjen brenda zonës evropiane, ndërkohë që pretendojnë të fitojnë edhe Kupën e Shqipërisë, ose të paktën finalen. Në takimin e dhjetë ditëve më parë, Kukësi fitoi 3-2 kundër durrsakëve, një rezultat që lë pasiguri për ndeshjen e kthimit në Kupë, por që në kampionat vlen tri pikë, ndaj për kuksianët do të ishte i dëshiruar sot. Skuadra e Sulejman Starovës është në pozita më komode, pasi mban vendin e dytë në renditje, megjithatë mesfushori Dritan Smajli është shprehur në vigjilje se Kukësi kërkon të fitojë në të dyja këto përballje. Megjithatë, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, skuadrat mund të ruajnë forca për takimin e së mërkurës në Durrës. Gjysmëfinalja tjetër ka shumë mundësi të fitohet nga Skënderbeu, ndaj kush del në finale përballë korçarëve, me apo pa trofeun, siguron pjesëmarrjen në Europa League, pavarësisht renditjes në kampionat.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *