Zhvillimet në fushën e teknologjisë së informacionit po marrin një hov të madh,ku tashmë gjithçka sa i takon procedurave po kryhet online. Një ndër to, është edhe procesi i aplikimeve për shkollat e larta, që së fundmi ka përqafuar tërësisht këtë tendencë. Janë me mijëra maturantët në të gjithë vendin që çdo vit do të aplikojnë nëpërmjet sistemit online për t’u bërë pjesë e garës për pranimet në shkollat e larta publike, teksa pak prej tyre arrijnë që t’i përfundojnë vetë procedurat e aplikimit online, pa ndihmën e mësuesve. Kjo për shkak të mungesës së njohurive të fituara në lëndën e informatikës, mësuesit e të cilës janë në mungesë. Në rrethe, lënda e informatikës nuk jepet nga mësuesit që kanë kryer studimet universitare në këtë specialitet. Kjo mungesë e theksuar e mësuesve të informatikës shfaqet veçanërisht në zonat më të largëta. Për vite me radhë, lënda e informatikës në pjesën dërrmuese të shkollave të arsimit parauniversitar, ose atyre të mesme në rrethe është mbuluar nga mësuesit e lëndëve të matematikës, biologjisë apo fizikës, të cilët japin mësim në këtë lëndë në sajë të ndonjë kursi të kryer për përdorimin e kompjuterit, (e jo të ndjekjes së studimeve të larta në këtë profil). Në kushtet kur tregu i punës kërkon gjithnjë e më shumë njerëz të specializuar në këtë profil, nevojitet ndërhyrje urgjente në hartimin e politikave që nxisin të diplomuarit në informatikë apo degët e tjera të zhvillimit të teknologjisë së informacionit që të mos braktisin kthimin e tyre në rrethe. Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Mynir Koni vë në dukje edhe pse është shtuar numri i të diplomuarve në lëndën e informatikës, këta të fundit preferojnë që të mos kthehen më në vendin e tyre për të dhënë mësim, çka krijon boshllëqe të shumta në plotësimin e nevojave me mësues specialistë të kësaj fushe në shkollat e rretheve. Dekani Koni sqaron se të diplomuarit për informatikë nuk duan të kthehen në rrethet nga vijnë, e aq më pak të punojnë në arsim, pasi e shikojnë si një profesion pa perspektive. Sipas tij, duhen të paktën 3 vjet për të plotësuar me mësues të mirëfilltë informatike shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, kryesisht ato të rretheve. E për të ndrequr këtë fenomen kërkohet ndërhyrja e qeverisë, me hartimin e politikave të veçanta, të cilat do të ndihmojnë dhe stimulojnë të rinjtë që të shkojnë në rrethet e tyre për të dhënë mësim. “Pjesa kualitative duhet të jetë e shpërndarë në tërë Shqipërinë. Për këtë arsye duhen hartuar dhe ngritur mekanizma të veçantë të stimulimit të kuadrove, për të shkuar qoftë në vendin tyre, po pse jo edhe nxitjen e atyre nga Tirana për të dhënë mësim në rrethe të ndryshme të vendit”, sqaron Koni. Nevojat e mëdha për më shumë mësues informatike veçanërisht në rrethe janë konfirmuar edhe nga vetë Ministria e Arsimit Lindita Nikolla. Gjatë ceremonisë së inaugurimit të Godinës D, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ajo ka sqaruar se me reformën që do të përfshijë arsimin e lartë synohet jo vetëm shtimi i mësuesve që do të japin lëndën e informatikës, por edhe nxitja e tyre për të shkuar në rrethe, në mënyrë që të mos kemi me mungesa të specialistëve të kësaj fushe.. “Po punojmë edhe për sa i përket përmirësimit të nivelit të përdorimit të teknologjisë në shkollat nëntëvjeçare, me objektivin që të prezantojmë përmbajtje dhe pajisje dixhitale edhe aty në një fazë të dytë. Reforma në përdorimin e teknologjisë së informacionit do të ofrojë një siguri më të madhe në aftësimin e nxënësit dhe mësuesit drejt sfidave të reja”, ka deklaruar ministrja Nikolla. Lënda e informatikës mësohet që në klasën e shtatë, për të vijuar deri në mbylljen e shkollës së mesme Sipas autoriteteve të arsimit maturantët që vendosin të studiojnë këtë degë në universitete janë më të mirët. Deri në 500 shkon numri i kandidatëve që përzgjidhen për të marrë pjesë në këtë aktivitet thuajse të gjithë synojnë programimin, sepse edhe paga është të paktën dyfish më e lartë se rroga e një mësuesi Informatike.

Me behet qejfi qe po vleresohen edhe praktikat e stimulimit per te rekrutuar mesues informatike. Une personalisht jam diplomuar per informatike ne Tirane, por jam kthyer ne qytetin tim te lindjes, ku kam vite qe punoj ne banke por jo ne profesionin tim. Sapo lexova lajmin kam aplikuar prane dr.arsimore dhe shpresoj te funksionojne realisht mekanizmat e cituara edhe ne shkrimin tuaj. A.B
eshte per te ardhur keq vertete. nderkohe qe edhe ato te paktit qe jane diplomuar ne Informatike, dhe qe jane ofruar per te punuar si mesues, nuk jane pranuar per arsye partie. ky eshte paradoksi shqiptare.