Farmacistët propozojnë vendosjen e pullës së re në barnat stok

redaktor

Pavarësisht sqarimit të dhënë nga Ministria e financave sa i takon ngërçit që ka mbërthyer tregun farmaceutik në vend, drejtuesit e Urdhrit të Farmacistëve sqarojnë se pranë tyre nuk ka ende një udhëzim konkret. Presidentja e këtij urdhri, Diana Toma ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se pranë institucionit që drejton nuk ka mbërritur ende shkresa zyrtare nga Ministria e Financave, sipas së cilës farmacistët duhet të veprojnë në lidhje e aplikimin e TVSH-së zero për barnat e importuara dhe prodhuara në vend, para datës 1 prill. Sipas saj, përsa kohë nuk ka një udhëzim të ri, i cili të përmbysë atë të datës 19 mars ku i kërkohet farmacistëve të shesin barnat me TVSH, urdhri do të rezervohet në komentin e tij për farmacistët që me të drejtë kërkojnë sqarim se si duhet të veprojnë. “Ne përshëndesim përpjekjet e Ministrisë së Financave për të sqaruar situatën, por përveç asaj që kemi dëgjuar në media nuk ka asgjë zyrtare. Ne duam që çdo gjë të përcillet zyrtarisht dhe t’i shpjegohet farmacistëve se si duhet të veprohet me TVSH tek barnat në gjendje, pasi nëse veprohet sikurse kemi dëgjuar që të jetë farmacisti ai që të bëjë zbritjen e  çmimit duke hequr 10 për qindëshin, kjo do të bjerë në kundërshtim me ligjin për shërbimin farmaceutik. Ky i fundit parashikon penalitete në rast se farmacisti ndërhyn në çmimin e vendosur në pullë”, sqaron Toma. Zgjidhja që farmacistët propozojnë është pajisja e të gjitha barnave stok me pullë të re, pa TVSH, dhe për rimbursimin të operohet sikurse është thënë nga Ministria e Financave. Aktualisht në shërbimin farmaceutik, të paktë janë ato subjekte farmaceutike që kanë nisur shitjen e barnave stok pa TVSH, në kaos janë dhe depot farmaceutike. Ndërsa farmacisti prej ditësh po përballet me tension dhe zemëratën e pacientëve që me të drejtë kërkojnë të blejnë barna me çmim të ulët pa 10 për qindëshin e TVSH-së, sikundër dhe u ishte premtuar.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *