Policia e Shtetit shpall datat e testimit fizik për aplikantët e Shkollës së Policisë, duke ndryshuar rregullin për pikët në bazë të Rregullores së re të Personelit. Ndërsa gjatë testimit me shkrim u shpallën fitues kandidatët me 60 pikë dhe sipër, në testimin fizik do jenë pjesë edhe aplikantët që kanë marrë mbi 50 pikë. Testimi fizik i Shkollës Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”, do të fillojë me datë 7 prill dhe do të zhvillohet deri në datë 8 maj 2014, pranë Stadiumit Kombëtar.
“Për zhvillimin e testimit fizik do të paraqiten të gjithë ato aplikantë, të cilët kanë grumbulluar mbi 50 pikë, bazuar në hyrjen në fuqi të ndryshimeve të Rregullores së Personelit të Policisë së Shtetit. Në total do t’i nënshtrohen testimit fizik 2958 aplikantë”, njoftoi Policia e Shtetit. Ditën e testimit fizik kandidatët duhet të kenë me vete dokument identifikimi, raportin mjekësor të lëshuar nga mjeku i familjes, fletën e pranimit në testin me shkrim me fotografi dhe të firmosur e vulosur nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, pasi në të kundërt nuk do të pranohen për t’u futur në garat e testimit fizik. Për zhvillimin e testimit fizik kandidatët të paraqiten me veshje sportive, në orën 07:00 të çdo date testimi, para hyrjes kryesore të Stadiumit Kombëtar, pasi do të fillojë regjistrimi i aplikantëve. Për çdo paqartësi, kandidatët mund të interesohen në policitë e qarqeve, ose me e-mail, në adresën [email protected].
Datat e testimit dhe qarqet:
1. Qarku Tiranë në datat 7-18 prill
2. Qarku Shkodër në datat 18 prill dhe 21 prill
3. Qarku Lezhë në datat 21 dhe 22 prill
4. Qarku Kukës në datën 22 prill
5. Qarku Korçë në datat 22 dhe 23 prill
6. Qarku Gjirokastër në datat 23 dhe 24 prill
7. Qarku Fier në datat 24, 25 dhe 28 prill
8. Qarku Elbasan në datat 28, 29 dhe 30 prill
9. Qarku Durrës në datat 30 prill dhe 2 maj
10. Qarku Dibër në datat 2 maj dhe 5 maj
11. Qarku Berat në datat 5 dhe 6 maj
12. Qarku Vlorë në datat 6, 7 dhe 8 maj
