Sa njerëz humbën jetën rrugës për në Evropë?

anazapta

Në rrugëtimin për në Bashkimin Evropian kanë humbur jetën shumë refugjatë. Një grup gazetarësh evropianë thonë se që nga viti 2000 jetën kanë humbur 23 mijë nga ta.

Në tetor 2013, në brigjet e ishullit italian Lampedusa u fundosën 360 refugjatë. Në shkurt të këtij viti, u mbytën 15 persona duke u përpjekur që nga Maroku të shkojnë me not në enklavën spanjolle Ceuta. Këto dy aksidente nuk bien tek të ashtuquajturat fatkeqësi “spektakolare” që tërheqin vëmendjen e publikut dhe gjithashtu politikën ndaj refugjatëve që zbaton BE në kufijtë e saj.

Megjithatë, dramat ndodhin edhe kur askush nuk shikon. Sa njerëz vdesin në rrugëtimin për në Evropë, në një anije të mbipopulluar të refugjatëve në Detin Mesdhe ose duke u përpjekur për të kapërcyer gardhet kufitare të cilat enklavat spanjolle duhet t’i izolojnë nga refugjatët? Informacione në lidhje me këtë deri tash pothuajse nuk kishte dhe sigurisht nuk ka as të dhëna të besueshme. Kjo është arsyeja pse një grup gazetarësh, nga vende të ndryshme të Evropës, mori detyrën të dokumentojë këto raste.

Informacioni u mblodh kryesisht nga e ashtuquajtura UNITEDA, një rrjet prej më shumë se 560 OJQ-ve nga e gjithë bota.

“Në fillim menduam se duhet të kontrollojmë të dhënat ekzistuese”, thotë gazetari francez Nicolas Kayser-Bril. “Arritëm në përfundimin se numri i vërtetë i viktimave është shumë më i lartë se sa ishte menduar më parë. Kemi filluar të mbledhim raportet nga gazetat dhe burimet tjera të informacionit”.

Që nga fillimi i shekullit të ri, u vranë më shumë se 23 mijë njerëz, pra pesëmijë më shumë se që është menduar më parë.

“Nuk shoh dallime me vlerësimet tona”, thotë Michele Cercone, zëdhënëse e komisioneres së BE-së për Punë të Brendshme, Cecilia Malmström. “Në shifrat e reja nuk shoh dimension të ri”.

Kayser-Bril dyshon.

“Askush nuk e di se sa emigrantë humbën jetën deri në Evropë”, thotë ai. “Numri është më i madh, sepse jo të gjitha rastet janë dokumentuar. Të dhënat tona nuk janë të sakta, por nuk ka hetim më të mirë”, transmeton Telegrafi.

 

Share This Article