Ministria e Drejtësisë, i ka lënë rreth 40 detyra shtëpie Prokurorisë së Pergjithshme, për luftën kundër kriminalitetit, detyra të cilat mbështeten në 5 prioritete kyçe të Bashkimit Europian.
Rekomandimet që Ministria e Drejtësisë i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, të hartuara mbi evidentimin e problemeve që janë pasqyruar në dokumentat strategjikë qeveritarë dhe në raportet e organizmave ndërkombëtarë, përfshirë progres raportin e Komisionit Evropian. Progres raporti i Komisonit Europian thekson se mungesa e llogaridhënies e Prokurorisë së Përgjithshme është shqetësuese, përfshirë këtu dhe procedurat për emërimin dhe shkarkimin e personelit.
Mbështetur mbi këtë, Ministria e Drejtësisë i ka rekomanduar Prokurorit të Përgjithshëm, zbatimin e kuadrit të ri ligjor, forcimin e autonomisë së prokurorisë në hetimin paraprak, rritjen e hetimeve pro aktive, rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, si një premisë bazë për suksesin e veprimtarisë së organit të prokurorisë dhe forcimin e kompetencave dhe të transparencës së Këshillit të Prokurorisë, në raport me emërimin, promovimin, transferimin dhe procedimin disiplinor të prokurorëve.
Në lidhje me luftën kundër korrupsionit si një ndër prioritetet kyçe të Qeverisë, Prokurorit të Përgjithshëm ndër të tjera i kërkohet që të forcojë koordinimin ndërinstitucional me shërbimet policore, për shkëmbimin e informacionit dhe përdorimin sa më efektiv të metodave speciale të hetimit, për sigurimin e provave dhe goditjen e korrupsionit, ashpërsim të politikës penale në drejtim të masave të sigurimit dhe atyre të dënimit në rastet e korrupsionit dhe fshehjes së pasurive, produkte të veprës penale. Gjithashtu në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, dhe në përgjigje të shqetësimit europian se, Shqipëria mbetet një vend burimi për trafikimin e të rriturve dhe të miturve, përfshi lypjen e detyruar nga fëmijët.
Kultivimi dhe trafikimi i kanabisit mbetet një kërcënim serioz. Numri i konfiskimeve të pasurive kriminale dhe dënimeve për pastrimin e parave mbetet i ulët. Ministria e Drejtësisë i kërkon Prokurorisë së Përgjithëshme, ashpërsim të politikës penale në drejtim të masave të sigurimit dhe dënimit, në çështjet penale të krimit të organizuar, trafikimit të narkotikëve, trafikimit të qënieve njerëzore, pastrimit të parave.
Ministria e Drejtësisë ka rezervuar rekomandime për Prokurorinë e Përgjithshme dhe për të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimin ndërinstitucional. / ORA NEWS
