Trafikonin drejt Greqisë 30 kallëpe tritoli e 15 mijë fishekë, arratisen 2 të dyshuarit

redaktor

Agjentët e policisë së Korçës, Zyra Kundër Krimit të Organizuar, zbuluan një bazë të lëndëve plasëse dhe armatimit që përdorej për trafikim, në pyllin e fshatit Arrëz në Devoll. Autorët e këtij rrjeti arritën të arratiseshin, ndërkohë që dyshohet se destinacion mund të ishte edhe Greqia. Në këtë zonë u zbuluan 30 kallëpe tritoli, 60 granata dore difensive, 41 ndezës të unifikuar dhe 15120 fishekë të ndarë në disa arka. “Për këtë rast të dyshuar trafiku kemi identifikuar dhe shpallur në kërkim dy autorë të dyshuar, që për shkak hetimesh nuk publikohen emrat e tyre”, thanë burime zyrtare të policisë vendore. Mendohet se të dyshuarit mund të kenë kaluar kufirin e gjelbërt në këmbë duke kaluar në tokën greke. “Dyshohet se do të bënin të mundur trafikimin e lëndëve plasëse, si dhe municionit luftarak, për në shtetin grek, nëpërmjet kufirit”, shtuan burime të policisë. Mësohet se trafikantët shpëtuan falë errësirës dhe terrenit të vështirë malor në këtë zonë. Dosja i kaloi Prokurorisë për “trafikim i armëve dhe municionit luftarak, i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *