INUK i vë tritolin “Grand Hotel” në Dhërmi, sot pritet shpërthimi

redaktor

Një hotel katërkatësh, vetëm pak metra larg bregut të plazhit të Dhërmiut, pritet të shembet sot me tritol, ndërkohë që nga dita e djeshme kanë nisur përgatitjet për vendosjen e lëndës plasëse. Forcat e INUK-ut dhe ato të xhenios kanë marrë në dorëzim “Grand Hotel” dhe i kanë lënë afat vetëm disa orë pronarit për të hequr materialet që ndodhen në këtë objekt, para se të fillojë puna për hapjen e vrimave për lëndën plasëse.

Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar deklaroi dje se do të prishë një hotel katërkatësh në Dhërmi. Objekti ndodhet në brezin e parë të rërës, ndërsa INUK-u thekson se është pa leje dhe pa dokumente pronësie. Mësohet se INUK-u ka rrethuar zonën dhe po punon për vendosjen e eksplozivit, me qëllim rrëzimin e godinës. Kreu i INUK-ut, Zyhdi Dajti, ndodhet në krye të operacionit, i shoqëruar nga forcat xheniere të ushtrisë. Objekti do të shembet me shpërthim të kontrolluar.

Por, pronari i këtij objekti, Gjika Stramarko, pretendon se e ka me leje ndërtimi dhe se nuk ka marrë asnjë njoftim për prishje, siç e kërkon procedura. Në këto kushte, ai ka shkuar në Vlorë për të bërë kallëzim penal ndaj këtij veprimi. Në hotel ndodheshin bashkëshortja me dy fëmijët dhe babai i pronarit Stramarko. Sipas të dhënave, pronari i hotelit është kryeplaku i fshatit të Dhërmiut, i cili në bashkëpunim me ish-regjistruesin e Hipotekës së Vlorës, Eduart Dervishi, dyshohet se ka tjetërsuar pronën publike, duke përfituar 1600 metra katrorë plazh në vijën bregdetare të këtij fshati. Gjatë ditës së djeshme, u publikua edhe kallëzimi në Prokurorinë e Vlorës, i bërë nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pranë Kryeministrit për ish-kryeplakun Gjika Stramarku dhe bashkëpunëtorit Eduart Dervishi.

Dy muaj më parë, INUK-u i prishi një tjetër ndërtesë trekatëshe, ndonëse Gjika Stramarko pretendonte se dispononte leje ndërtimi. Në këto kushte, INUK-u i ka dhënë afat disa orë për të hequr orenditë e hotelit, ndërkohë që ka nisur puna për vendosjen e lëndës plasëse. Burimet nga INUK shprehen se pritet që shpërthimi i kontrolluar të kryhet gjatë ditës së sotme. Ky është i disati rast i objekteve pa leje që prishen me shpërthim tritoli. Më herët, INUK-u ka prishur ndërtime në Tiranë, Vlorë e Mallakastër me të njëjtën mënyrë, atë të vendosjes së tritolit.

Share This Article
1 Comment
  • Beni mire qe i a prishni ketyre shkaterruesve te natyres , por , amani mos i vini tritol ne gjirin e LALZIT viles se I METES e viles se Berishes. me gjithe ndertuar ne toke te vjedhur ,dhe jo te deklaruara anashkalim deri me sot , si prone ,per pasurite te vipave. . Si shkoi kjo pune , ca te nenes e ca te njerkes.. as ne shtetin zulu, nuk ndodhin keto pislleqe ..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *