Intervistoi Xhevdet Shehu
Në këtë pjesë të dytë të intervistës me shkrimtarin dhe poetin Sadik Bejko tregohen për herë të parë detaje të panjohura nga prapaskenat që shoqëruan Festivalin e 11-të të këngës në RTSH. Entuziami i parakohshëm i Todi Lubonjës, inkurajimi që ai u bënte poetëve dhe artistëve për t’u shkëputur nga tradita e mëparshme dhe ndryshimi i gati gjysmës së teksteve në momentet e fundit. Si u kopjua moda më e fundit e televizioneve italiane në veshje dhe si u sollën dy prezantuesit Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu. Ndëshkimi i Françesk Radit pse këndoi një këngë për Vietnamin dhe ‘zhdukja’ e Ilirjana Çarçanit pse këndoi një këngë dashurie…
(Vijon nga numri i kaluar)
Sadik, kemi hyrë në fazën më interesante të bisedës për festivalin e 11-të. Mund të na tregoni se ç’ndodhte në prapaskenën e atij Festivali?
Në mjediset e ngushta të artistëve si nëpër dhëmbë atëherë përsëritej shpesh thënia e Bethovenit: “Tingujt janë të lirë, fjalët janë në pranga”. Ndodhte që, pasi delte kënga, vinte një telefonatë nga “lart” dhe duhet të ndërrohej ose të redaktohej teksti. Kjo sillte probleme te këngëtarët që e kishin të vështirë ta këndonin këngën me tekst të redaktuar. Mentor Xhemalit të ndjerë ia shkruanim fjalët në pëllëmbën e dorës, ia jepnim tekstin të daktilografuar dhe prapë me shumë zor ia delte që ta këndonte këngën me fjalët, vargjet a strofat e redaktuara. Si rregull, autori i poezisë as që pyetej.

Festivali i 11-të është shembulli më i pastër i këtij lloji përdorimi. Nën këto nota të gëzueshme muzikore, nën këto shpërthime ndjenjash në pafajshmëri ngjyrash e formash, kujdes, nën to fshihet nepërka me helmin më të rrezikshëm për shoqërinë. Janë helm i lyer me sheqer! Jeni pilula të helmatisura! Festival si emblema e së keqes. Një bombë borgjeze me helme që do të drogonte e të degjeneronte shoqërinë e kulluar shqiptare të viteve ’70. Dhe unë jam një nga pjesëmarrësit me tre poezi për këngë, jam zyrtarisht redaktori letrar i atij festivali. Ne, dmth muzikantët, poetët këngëtaret dhe artistët e tjerë shqiptarë e bëmë atë festival. Nuk na dha ndokush nga jashtë Shqipërisë a nga brenda saj pará, udhëzime, direktiva, qese me helm a qese me bomba kundër regjimit. Ne donim të bënim diçka të bukur për veten dhe për të tjerët, për kohën, më të bukurën e mundshme për forcat e aftësitë tona. Këtë bëmë ne. Më të bukurën e mundshme në atë kohë.
Qe një ngjarje e ngarkuar me ngjyra, me tinguj, me poezi, me artistë, muzikantë, me veshje dhe me emocione të bukura të përdoret si prologu i një dhjetëvjeçari të mbushur me gjëma dhe me prerje kokash të politikës së lartë, kjo është në shijen e diktaturave. Dhe të vetë Diktatorit në veçanti. Hidhni valle e këndoni ju, se këtu jemi. Do ta shihni se ka Çeçua biçak… ua tregoj unë si ta bëni qejfin.
Dhe ju vazhdonit punën pa parandjerë asgjë nga furtuna që po afronte?

Natyrisht. Askush nuk e dinte se si do të rrokulliseshin deri në fund ngjarjet, kur, aty nga qershori i vitit 1972, u mblodhëm në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm. Në mbledhje merrnim pjesë ne si redaksi, shefi, Gjon Simoni, Kujtim Laro, redaktori i muzikës, unë si redaktor i teksteve, drejtoresha e Radios së Brendshme (në gjuhën shqipe), Nefo Myftiu, dhe përfaqësues të televizionit, regjisorë, shkrimtarë të radios, si Ruzhdi Pulaha, shef i redaksisë së Kulturës etj. Në emër të redaksisë u paraqit platforma për Festivalin e 11-të. Natyrisht, u fol për thirrjen për pjesëmarrje të të gjitha forcave krijuese më të kualifikuara në muzikë e në poezi. U fol për një parashikim të tematikës së këngëve, e cila do të ishte më e çliruar nga propaganda, nga pushkët e kufitarëve, pistoletat e minatorëve, kazmat e aksionistëve, kombajnerët e drithit etj. Do të ishte një përmbajtje lirike, që të pasqyronte optimizmin në rritje dhe begatimin e njeriut dhe të atdheut, etj etj si këto. Diku aty mbas disa diskutimeve, Drejtor Todi që ishte tejet sarkastik, e duhet ta kishe mendjen kur e kishte esëll e kur me të futur, na tha që të kishim kujdes. Ta nxirrnim këngën nga gustot e gjysheve. Vjet e mori çmimin e parë “Kënga e nënës”, ( muzika A. Prodani, teksti A. Shehu, këndonte Sherif Merdani), tha T. Lubonja, më parë e ka marrë një për gjyshen, ka mbetur që t’i këndojmë dhe gjyshit. Aludimi ishte i qartë: duhej kthesë në tematikë. Dikur në platforma diskutohej se sa këngë do kishte për punën, sa për aksionet e rinisë, sa për fshatarësinë, sa për revolucionet e popujve në botë dhe, në fund fare, edhe ndonjë këngë për dashurinë. Todi Lubonja e dha si përfundim konstatimin e tij, edhe si paralajmërim, edhe si kërcënim: Duhet të shkundemi!
Sa e vërtetë ishte kjo tek ata që ishin bërë iniciatorë të kthesës që po ndodhte?
Shumë seriozisht e kishin marrë Paçrami e Lubonja shkundjen nga mplakja të kulturës shqiptare. Fadili, madje shante Skënderbeun. Ja dhe Todi e kishte me nënat e gjyshërit. Këtu ishin rrënjët e prapambetjes kulturore shqiptare për atë kohë?
Atë vit Gaspër Çurçia me formacionin e tij xhas-bandë, kishte vënë si shoqëruese të këngëtares kryesore vajzat koriste, të cilat me “pa-rum-pa, pa-rum-pa”, me zë tingëllues bënin figura muzikore që zëvendësonin figurat e tingujt e veglave muzikore. Kjo quhej risi e marrë nga TV italian. Në anketat muzikore të çdo muaji kishim bërë këngë vetëm me muzikë të lirikës intime. Sa do vazhdonim kështu? Në raste të tjera, pas Festivalit të Dytë, 1963, ishin dënuar këngëtarë si Besnik Taraneshi, që imitonin hapur manierën perëndimore të të kënduarit. Ishin dënuar kompozitorë. Mos po shkonim drejt një rruge të tillë? Përvoja të mësonte që ta hidhje këmbën duke e kontrolluar vendin ku shkelje se mund të shkisje e të thyeje kokën. Por na pëlqente të rrezikonim.
Si ecën më tej përgatitjet me Festivalin?
Kompozitorët më të shquar aty nga shtatori pas pushimeve i dërguan këngët, u bënë tekstet. Drejtori i Madh si gjithmonë e mbante derën hapur, të dëgjonte. Po aty më shpesh gjeje disa nga krijuesit më me emër. Ai dëshironte që ta kthente institucionin në një vend ku ndihet mendja e krijimtaria e krijuesve më të mirë për kohën. Shumë gjëra në Radiotelevizion kishin ndryshuar. Njerëzit ndiheshin më të motivuar, më të nxitur për ide të reja. Më së miri këtë kujdes e ndieje te garderobistët, grimiorët që mundoheshin t’i bënin më të bukur njerëzit e ekranit. Ndryshoi veshja, krehja, lirshmëria e gjesteve dhe e plastikës së trupave.
Në një mbledhje të dytë nga mesi i Nëntorit, si gjithmonë drejtori i madh (atëherë ishin katër drejtorë nën këtë: drejtori i radios shqip, drejtori i radios në gjuhë të huaja, drejtori i televizionit, drejtori i teknikës) si gjithmonë kishte ftuar shkrimtarë e poetë. U diskutuan tekstet që ishin shpërndarë që më parë në zarfe për tridhjetë pjesëmarrës. Opinionet që merrte nga njerëz më intimë, më me ndikim te drejtori, kishin rëndësi më të madhe se sa këto mbledhjet me kallaballëk. Por ishte në shijen e stilin komunist për të bërë mbledhje e për të thënë se i diskutuam gjërat gjerësisht, morëm mendimin e një mase të gjerë krijuesish.
Ishin bërë orkestracionet e këngëve. A. Kareco, A. Prodani, R. Radoja, G. Çurçia, A. Lalo etj ishin nga orkestratorët më të mirë për atë kohë. Ishin ndarë këngët për orkestrat: Gaspëri e Aleksandri kishin nga një numër këngësh të cilat ata i drejtonin, i përgatisnin me formacionet e tyre orkestrale. Maestro Ferdinand Deda, që dhe orkestronte e krijonte vetë këngë shumë të bukura, do të drejtonte orkestrën e madhe simfonike. Me orkestrën e madhe luheshin gati të gjitha këngët në një variant të dytë. Gjithçka këndohej drejtpërsëdrejti, “live” sikurse thuhet tani, orkestra, koristet, këngëtari.
Po fillonin dhe provat. Kishin ardhur këngëtarët. Ishte caktuar piktori, dekori me podiume të mëdha, kostumet. Këngëtarëve u ishte marrë masa dhe ato po provoheshin të rrobaqepësi, për të bërë ndreqjet e fundit. Regjisor ishte caktuar Albert Minga, që atëherë punonte në Televizion.
Tekstet u çuan për aprovim deri te Paçrami në KQ të partisë.
Pra, çdo gjë po ecte normalisht?
Dukej sikur po ecte normalisht. Sepse pikërisht në këtë kohë na thonë se në ndihmë të Festivalit do të vijnë tre krijues të njohur. N. Zoraqi u emërua drejtor i Festivalit, regjisor Mihal Luarasi, poet i Festivalit u quajt Agim Shehu, që ishte redaktori i kulturës në gazetën “Zëri i popullit”.
Puna me kostumet, regjinë, skenografinë filluan nga e para. U kopjua moda më e fundit e televizioneve italiane në veshje. U sollën dy prezantuesit Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu. U ndërrua gati gjysmat e teksteve. U dha urdhër që këngët të riorkestrohen. Duhen gjëra TË REJA, TË BUKURA, MODERNE. Shqipëria është vend i begatë, vend me fytyrë të re që rrezaton energji e bukuri të freskët etj., etj., si këto.
Këtu duhet thënë se nuk kishte asgjë për alarm… por të linte një shije të së papriturës. Po ajo muzikë ishte. Në Shqipërinë e asaj kohe, nuk e di tani, mendohej se muzika është gjë me një vlerë të veçantë. Ndryshe nga fjala, poezia, muzika është magji, që nuk e bën kushdo. Sa për fjalën, poezinë, ato, kur të duash si një xhaketë a një fustan, mund t’ia veshësh sonte e t’ia heqësh nesër muzikës nga supet. Fjala është thjesht një shërbetore e rangut të dytë e muzikës. Mbase këto mendime buronin nga një mendësi shqiptare që ishte mësuar herët me poezinë… por jo me muzikën e shkruar. Muzika quhej një profesion që do shkollë, do prirje, do një marrëveshje disi të fshehtë me veglat e me zërin e njeriut. Kështu që disa melodive muzikore ndodhte që t’ua ndërronim dy-tri herë tekstet.
Kush urdhëronte për këto ndryshime?
Më vonë, kur janë shkruar kujtime, a kur është menduar, se pse doli aq ‘keq” ai Festival, faji është hedhur te ndërrimet e teksteve në çastet e fundit. Këto ndërrime kanë qenë përgjithësisht në frymën e kohës dhe të manierës se si bëheshin gjërat atëherë. Punohej me urdhra. Platformat regjisoriale, njerëzit, poezitë ndërroheshin me urdhër. Dhe dihet se kush mund të jepte urdhër. Në Radio Televizion atëherë hyhej me fletë-hyrje. Ishte institucion i rrethuar e i mbrojtur me policë. Në katin e tretë, në panelin e studiove të lajmeve, policët nuk të lejonin të kaloje edhe po të kishe librezën, që vërtetonte se ishe punonjës i atij institucioni. Pra, kush i solli këta njerëz, me ç’leje, me ç’punë? Mua më duken si kapje pas bishtit thëniet që gjoja ma punuan në pabesi, m’i ndërruan gjërat në minutën e fundit, ma bënë njerëzit që kishin mirëbesimin tim, të Drejtorit të Përgjithshëm. Festivalit iu dha mbase më shumë luks, më shumë dritë, më shumë ritëm, më shumë shpengim me ardhjen e krijuesve nga jashtë. Por Festivali ishte bërë dhe do të ishte po aq modern edhe pa këta. Buka kryesore e një festivali është lënda muzikore, dhe ajo nuk u ndërrua. Në fund të fundit, Festivali, si me ardhjen, si mos me ardhjen e këtyre tre krijuesve do të anatemohej nga politika. Festivali i atillë u bë me lejen e politikës dhe po me urdhra nga “Lart” më pas u përdor politikisht, u kthye në kamxhik e kërbaç mbi shpinën e atyre që e bënë. DHE JO VETËM MBI SHPINËN E ATYRE.
Le të flasim më konkretisht, Sadik. Mund të na tregosh diçka më tepër nga përvoja jote si krijues dhe redaktor i atij festivali?
Padyshim. Mbase këtu kuptohet dhe mekanizmi i atij festivali dhe se si funksiononin gjërat në atë kohë. Unë kisha tre tekste. Në njërin, në atë për Vietnamin, si në gjithë luftërat dje dhe sot, trishtohesh kur i madhi do të mposhtë të voglin. Këtu të çon logjika e arketipit mitik: kur ndeshen Davidi me Goliadhin, me kë është artisti? Doemos me Davidin. Dhe ne atëherë trishtoheshim për Vietnamin. A kishte dhe pak injektim majtas kjo simpati për Vietnamin? Po, e kishte edhe këtë. Ama në sfond ishte pyetja: me Davidin a me Goliadhin? Me cilin je edhe sot? Si redaktor zyrtar i teksteve mua m’u kërkua ta shkruaja tekstin me këtë përmbajtje nga redaksia. Muzika ishte e Françesk Radit, i cili dhe e këndoi, duke e shoqëruar me kitarë. Përmbajtja ishte e thjeshtë: një grup të rinjsh me kitarë ndërpresin këngën se lajmet dhanë që në Vietnam prapë ranë bomba. Kënga prapë vazhdon. Ishte teksti i vetëm me përmbajtje jo intime. Ndaj u përdor si kopertinë e festivalit. Me këtë këngë nisi festivali. Sado që ne futëm pak përmbajtje internacionaliste, muzika ishte krejtësisht ritmike dhe të kënduarit e F. Radit nuk dallonte në frymë e në ndjenjë nga shumë këngëtarë italianë të asaj kohe. Kishte në timbrikën e zërit të tij ngjyrime që të çonin të Adriano Çelentano. F. Radi e pagoi këtë performancë me një transferim të gjatë në vite për në sharrat e Pukës. Teksti tjetër, i mbështetur mbi një poezi dashurie të botuar atëherë në gazetën “Drita”, titullohej ‘Zogu ngre folenë”. U muzikua nga kompozitori më prodhues dhe më cilësor për kohën, nga Kujtim Laro. E këndoi Iliriana Çarçani, violiniste në Ansamblin e Ushtrisë. Kjo këndoi me një lirshmëri dhe pasuri ndjenje si një e lindur për të kënduar; interpretimin e shoqëroi edhe me lëvizje trupore shumë shprehëse. U kritikua, aq sa nuk u ngrit kurrë më në skenë. Asgjë nuk ka në këtë tekst nga stilemat, metaforat, fjalët çelës që të shpien te komunizmi. Si gjysmë seriozisht e gjysmë me ironi, në redaksi më thanë që ky ishte tekst katolik në ide: njeriu do një grua, zogu një fole, i eturi një gotë ujë. Po, kështu është. Atëherë më kishte rënë në kokë për gruan që kam edhe sot. Katolike është kjo? Kurdo qoftë, kur të bie në kokë, atëherë, edhe më përpara se atëherë, edhe më pas e deri më sot, kur të bie në kokë për njërën, i harron, nuk i sheh fare të tjerat. Prapë nuk më erdhi keq kur më thanë se ka frymë katolike. Komuniste në frymë nuk ishte. Komunistët për propagandë, me hipokrizi thoshin se ka vetëm një dashuri. Teksti im i jepte një përgjigje pyetjes: çfarë të kërkoj nga jeta? Pyetje që përsëritej katër herë në refrenin e këngës. Çfarë të kërkoj nga dita, nga dielli, nga vajza pranë meje, nga lumi që rrjedh? Një pyetje gati kozmike: cili është kuptimi i jetës? Dhe përgjigja ishte: të kërkosh njeriun, njerëzoren, jetën e zemrës, dashurinë, të jesh vetvetja. Si filozofi kjo mbase anonte nga porositë fetare. Për mua më shumë ishte në përputhje me përgjigjen që jep humanizmi i ripërtëritur i iluministëve. Isha një i dashuruar që përmbushjen e gjeja veç te dashuria. Të kërkoje jetë individuale, lumturi individuale në një kohë që vinte shoqërinë mbi individin, në një kohë që e dërrmonte individualen për shoqëroren, nuk ishte pak. Mesazhe të tilla nuk para lejoheshin atëherë. Edhe në këngën e njohur “Valsi i lumturisë” lumturia e dashurisë duhet të shkrihet me fushat e lumtura dhe të bukura nga “jeta e re” në atdhe. Kjo ishte skema: pa atdhe e, sidomos, pa “jetë të re” s’ka lumturi. Festivali i 11-të theu shumë nga këto skema të ngurtësuara gjer në banalitet.
ZOGU NGRE FOLENË
Dhe te pylli më i madh
vetëm në një degë,
në një degëz, zogu e ngre folenë
Dhe te lumi, më i madhi fare,
mbushim shtambën,
pimë veç një gotë ujë.
Një vashë, një vashë,
vetëm njëra dorë e saj ndër pesë gishta,
sjell dashurinë e gjithë botën.
Ç’ të kërkoj unë nga kjo ditë,
nga rrepet, nga bari i vonët i vjeshtës,
nga kjo vajza pranë meje,
ç’ të kërkoj nga lumi që rrjedh,
nga dielli ç’të kërkoj?
Mes syrit të vashës, bebja,
bulëz uji e kthjellët,
fytyrën time vockël- vockël
ma ngjiz si zogu i fletës;
bulëza në tokën e rrepeve
tejpërshkon vashën,
fytyrë përmbi fytyrë tek jemi
e tej lumit, e tej deteve
(vetëm, vetëm një bulëz është)
…e në jetë të jetëve.
Botuar në “Drita” 1973
Nje motërzim i kesaj poezie ishte tekst kënge, Festivali i 11-të, 1972, muzika K. Laro, këndoi Iliriana Carcani
Festivali këtë frymë përcillte në tërësinë e tij, frymën e lirisë, të së bukurës, të çlirimit nga skemat e ngërçet, frymën e gëzimit të të jetuarit si njeri dhe jo si subjekt i ndonjë manipulimi ideologjik, si ushtar i rreshtuar në shërbim të ndonjë kauze. Për këtë dalje nga rreshti, ai u quajt i degjeneruar, i sëmurë, i rrezikshëm shoqërisht.
Nesër do të lexoni:
Një bisedë e panjohur e Sadik Bejkos me gruan e Manush Myftiut, Nefon, në atë kohë drejtore e Radios
Kujtimet e Todi Lubonjës, Spartak Ngjelës dhe Skifter Këlliçit për Festivalin e 11-të
Një refleksion mbi (vetë)vrasjen e Nako Spirut dhe eliminimin e Sejfulla Malëshovës

PER MUA KETO SHKRIME APO GOJE-DHENA JANE THJESHT SI ATO VARET QE HAPTE E MBYLLTE I FAMSHMI ROBERT PAPA….PO NGELEN NE VAZHDEN E TYMJANAVE DHE GOJEDHENAVE….ME THE -TE THASHE…PER FAKTIN…SE KA SHUME PROTONISTE TE ATYRE VITEVE NUK JETOJNE ME …DHE TANI …FLASIM DHE TREGOJME E SAJOJME SIC NA DO MENDERJA….NEJSE …E BUKUR PER KONSUM.
Unë e kujtoj pak këngën e I Carcanit, kam qënë në gjimnaz, por të jemi të sinqertë e mos të gënjëjmë, mos të themi gjëra që as vetë nuk i besojmë, mirë e ka Njazi, të gjithëve na bëri përshtypje nata e parë e gjithë të tjerat. Tani që e lexoj tekstin shoh që vërtetë paska qënë pa kuptim. Gjykoni veprimet në kohën që kanë ndodhur dhe përpiquni të jeni neutralë nëse doni të bëheni të besueshëm.
Teksti eshte me teper se medioker, kjo eshte bindja ime.
Ndiej keqardhje per sektarizmin e regjimit ndaj ketij festivali, ashtu sic ndiej perbuzje per te gjithe ata qe, nen masken e modernes, nuk bene dhe nuk bejne gje tjeter vecse imitojne te huajt, sic po bejne sot.Regjimi nuk e kishte edhe aq gabim, sepse Lubonja me shoke donin te sillnin kete degjenerim qe kemi sot, me femra lakuriqe dhe me tekste banale, e shpesh te turpshme dhe me muzike thjeshte te imituar nga te huajt.
Eshte e vertete qe agim shehu,fatos arapi,lirim deda kane qene pendat e njohura te texteve ne ate kohe,por ky Sadik Bejko s`me vjen nder mend per asgje.Paska qene redaktor i festivalit!Mos ka qene hetues i puneve te perbrendeshme ne ate festival?