Letër e nënshkruar
Dilaver Goxhaj
Çështja e Tribunalit të posaçëm për UÇK-në, që parashihet të fillojë nga veprimtaria e vet pas 15 Qershorit të këtij viti po diskutohet gjerë e gjatë ditët e fundit. Që të ngrihet e të funksionojë një gjykatë e tillë në territorin e Kosovës, duhet që këtë ta miratojë Parlamenti i Kosovës. Nëse ky Parlament nuk do ta miratojë një gjykatë të tillë, e cila barazon viktimën shqiptare me kriminelin serb, ajo gjykatë nuk mund të instalohet. Por edhe nëse ngrihet diku gjetkë, nuk mund të ekstradojë askënd, nëse Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës tregohen bij dhe vëllezër të vërtetë të dëshmorëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky rast është një gur prove për të gjithë këta politikanë.
Përsa i përket Tiranës zyrtare, ajo e tregoi veten ditët e para të muajit Maj 2012, kur miratoi në Kuvendin e Shqipërisë ligjin, i cili i hap dritën jeshile EULEX-it për të kryer hetime dhe arrestime në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke u bazuar në raportin e një farë Dick Marti, edhe pse ekspertët e së drejtës ndërkombëtare në Tiranë e pritën atë vendim me shqetësim të theksuar. Ata pohuan se një ligj i tillë cënon drejtpërsëdrejti të drejtat dhe liritë e garantuara me kushtetutë të qytetarëve shqiptarë.
Ky denigrim dhe barazim i viktimës me kriminelin, prej atyre që kanë marrë vendimin për hapjen e Gjykatës Speciale për krime të montuara kundër UÇK-së, bëhet nën moton: “Është e vërtetë që Serbia ka vrarë e masakruar mbi 20 mijë shqiptarë, duke i varrosur ata në mbi 400 varre masive, por shqiptarët,- duan të thonë ata përmes kësaj Gjykate Speciale,- janë treguar shumë herë më kanibalë se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë, pasi kanë kapur një qytetar serb, i kanë hequr organet për transplant” (!!!). Kur shefi i klinikës speciale të transplanteve në Beograd para dy vjetësh, doli në televizionin e Beogradit dhe deklaroi se “transplantin e organeve nuk mund ta bëjë edhe sot asnjë spital i shtetit shqiptar e jo më në kushte fushore nga ana e UÇK-së”, çuditërisht kjo deklaratë kaloi pothuajse në heshtje. Në këtë rast nuk kemi përpjekje për drejtësi, por përpjekje për manipulime të paramenduara hollësisht.
