Mitro: S’e njoh Sinanajn, prefektin e kërkova për parkingun

anazapta

Një nga të dyshuarit e ‘grupit të tritolit’, ish-inspektori i Bashkisë së Vlorës Marjon Mitro, mohon lidhjet dhe njohjet e tij me të dyshuarin si killer, Julian Sinanaj, tashmë me statusin e të penduarit të drejtësisë së bashku me Ndriçim Gjokonën. Gjatë seancës së marrjes në pyetje nga dy prokurorët e Krimeve të Rënda në Tiranë, Mitro është shprehur se nuk e ka takuar kurrë Sinanajn, jo për më tepër që të kishte porositur tek ai bombën për prefektin e Vlorës, besnik Dervishi. Ndërsa kur është pyetur për njohjen me ish-drejtuesin vendor që la detyrën pak javë më parë, Mitro ka pohuar se njihej me të prej vitit të kaluar në fushatë dhe SMS-në ia kishte dërguar që ta takonte në lidhje me çështjen e parkingut që do i prishej në lokalin e tij te Uji i Ftohtë. Burime nga prokuroria thanë se Sinanaj nga ana tjetër ka dhënë shpjegime të hollësishme për mënyrën se si u pajtua për bombën me celular që iu vendos prefektit në makinë më 13 dhjetor 2013 dhe që u gjet nga garda kur vetura po hynte në Kryeministri. Sinanaj ka thënë se është paguar 20 mijë euro nga Mitro për këtë bombë, si një pjesë e pagesës për një punë tjetër të papërfunduar për llogari të ish-inspektorit 43-vjeçar nga Vlora.

 

Njohja me Dervishin

Gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët Ardian Nezha dhe Behar Dibra, Marjon Mitro ka mohuar njohjen me vrasësin me pagesë Julian Sinanaj dhe ndihmësin e tij Ndriçim Gjokona. I pyetur për ish-prefektin Dervishi, i arrestuari Mitro ka pranuar njohjen dhe nisjen e një mesazhi në numrin e tij. Mitro pretendon se me ish-prefektin Dervishi njihej dhe ishte takuar rastësisht para zgjedhjeve të 23 qershorit. Ai i ka thënë prokurorëve, se mesazhin ja kishte nisur duke i kërkuar takim për ta ndihmuar në lidhje me parkingun e lokalit, që INUK të mos ia prishte shtesën. Dervishi nuk i ka kthyer përgjigje, duke thënë se nuk e njihte personin në fjalë. Vetë prefekti ka mohuar njohjen me Mitron, ndaj hetuesit dyshojnë se duke diktuar situatën e krijuar pas gjetjes së bombës poshtë makinës, ish-inspektori i ka dërguar një SMS prefektit në atë kohë për të humbur gjurmët. Hetimet e mëtejshme dhe procesi gjyqësor do të zbardhin rrethanat dhe detajet e plota të kësaj ngjarje.

 

Arrestimet dhe atentatet

Mitro u kap duke u larguar nga Rinasi më 27 janar të këtij viti. Në pranga si të dyshuar të grupit të tritolit për 7 atentate me armë dhe bomba, dy prej të cilave me vdekje, janë vënë Ndriçim Gjokona, i penduari i parë që denoncoi grupin, Julian Sinanaj, killeri me pagesë që ka marrë përsipër të gjitha atentatet dhe më 25 janar do ekzekutonte biznesmenin Piro Bare, për llogari të biznesmenit të gazit Ilir Karçini, edhe ky i arrestuar. Po kështu është arrestuar edhe Andon Mëhillaj, i vetëdorëzuar, nën akuzën e porositjes së vrasjeve dhe ndërmjetësit për të tjerat, kurse kushëriri i tij Genis Mëhillaj është ende në kërkim.

 

Share This Article
2 Comments
  • Marjon Mitro tentoi te arratisej kur u publikua arrestimi i Julian Sinanajt,vrasesit te porositur me parapagim,,,,jo kur u zbulua montimi i nje bombe ,ne makinen e Besnik Dervishit ,ne hyrjen veriore te Kryeministrise.
    A rrjedh prej ketej qe krimi i tij eshte i dekonspiruar nga Sinanaj????
    Padyshim qe PO.
    Keto piruetat e M.Mitros jane me se te zakonshme per kriminelet e kallepit te tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *