Vrojtimi, bizneset optimiste për situatën ekonomike, konsumatori mbetet skeptik

anazapta

Tre mujori i parë i këtij viti ka sjellë një tjetër perceptim për biznesin. Situata ekonomike për sipërmarrësit duket më optimiste edhe pse nga ana tjetër konsumatori nuk e sheh kështu. Të paktën këtë tregojnë të dhënat e Bankës së Shqipërisë e cila ka publikuar vrojtimin më të fundit të indeksit të besimit të konsumatorëve dhe bizneseve përgjatë tremujorit të parë të këtij viti. Sipas këtyre të dhënave treguesi i  besimit në sektorin e industrisë (TBI) u përmirësua me 4.2 pikë përqindje, në tremujorin e pare të vitit 2014. Në rritjen e TBI-së ndikoi pozitivisht  rritja e balancës së  prodhimit dhe  përmirësimi i gjendjes financiare të bizneseve në këtë sektor.

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) shënoi rritje me rreth 13.9 pikë përqindjeje në tremujorin e parë të vitit 2014. Pas kthesës rritëse në tremujorin e katërt të vitit 2013, treguesi i besimit në shërbime (TBSH) vijoi përmirësimin në tremujorin e parë të këtij viti. Treguesi i besimit të konsumatorëve (TBK) shënoi një rënie të lehtë me rreth 0.3 pikë përqindjeje, në tremujorin e pare të vitit 2014. Aktualisht, TBK-ja qëndron rreth 4 pikë përqindjeje nën mesataren historike. Duket se në këtë situatë positive për biznesin ndikon dhe çlirimi i lejeve të ndërtimit, nisja e shlyerjes së detyrimeve që qeveria shqiptare u ka atyre për punët e kryera publike. Edhe pse në këtë vit buxhetor nuk janë parashikuar investime të mëdha, sërish biznesi e sheh me optimizëm situatën ekonomike për faktorët e lartpërmendur. Kjo do të thotë se kahu pozitiv i lëvizjes së biznesit, sjell më shumë likuiditet, dhe më shumë mundësi punësimi, qoftë kjo dhe në afat shkurtër. Por për konsumatorin perceptimi ekonomik nuk shihet kështu. Pritjet e konsumatorëve për situatën financiare për  tremujorin e kaluar shënuan rënie me rreth 2.5 pikë përqindjeje.

Në të njëjtin drejtim ndryshoi dhe vlerësimi i tyre për situatën e blerjeve të mëdha, gjatë tremujorit të parë të vitit 2014. Kontribut të vogël rënës në TBK dha dhe balanca e pritjeve për gjendjen e përgjithshme të ekonomisë në tremujorin e ardhshëm. Komponenti i vetëm që dha kontribut pozitiv është balanca e të ardhurave dhe shpenzimeve, niveli e të cilës u rrit me 6.8 pikë përqindjeje. Konsumatorët perceptojnë një kosto jetese më të ulët gjatë tremujorit të parë të vitit 2014, dhe presin që kjo të jetë më e ulët edhe përgjatë tremujorit të ardhshëm. Pritjet për inflacionin pas një viti kanë pësuar rënie me rreth 0.7 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e kaluar. Por nëse sipërmarrja që siguron rreth 80 për qind të tregut të punës, e sheh me optimizëm dhe investon në vend, kjo pritet të përkthehet në balanca të reja të perceptimit dhe të konsumatorit, pasi kthimi i sigurisë së tregut, sjell dhe një konsumator më me besim për të shpenzuar.

 

 

Share This Article
1 Comment
  • Shko e pyete biznezin sa optimist eshte per taksat qe i jane shtuar,me gjithe premtimet per ulje taksash.Te nderuar gazetare beni me shume informacion e me pak propogande.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *