Unioni i bizneseve farmaceutike në Shqipëri ankohet pranë Kuvendit për shkelje të ligjit të barnave në procedurat e tenderit të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë. Nëpërmjet një shkrese zyrtare dërguar këtij institucioni, përfaqësuesit e farmaceutikës shqiptare i kanë kërkuar kryetarit të Parlamentit që të zbatohet ligji i mëparshëm pa ndryshimet e bëra nga ministri Ilir Beqaj vetëm një javë para zhvillimit të tenderëve, në mënyrë që të gjithë distributorët farmaceutikë të trajtohen të barabartë para ligjit. “Urdhri i ministrit është në kundërshtim me ligjin e barnave dhe shërbimit farmaceutik, neni 11, pika 1 thotë se: ” Barnat që qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë duhet të jenë të regjistruara, me përjashtim të barnave të përgatitura në farmaci, sipas recetës së mjekut dhe formularit farmaceutik”. Më tej neni 47 pika 1, sqaron se : Barnat e regjistruara në Republikën e Shqipërisë importohen nga importuesit e autorizuar, nga kompanitë mbajtëse të autorizimit të tregtimit ose nga kompanitë prodhuese, në bazë të regjistrit të botuar të barnave. Neni 13 pika 4 thotë se :“Barnat regjistrohen vetëm kur plotësojnë kriteret e efektshmerisë dhe të sigurisë, në përputhje me qëllimin e përdorimit”. Me sa dimë asnjë katastrofë nuk ka ndodhur, dhe asnjë bar që tenderohet nuk është alternative e vetme, për të cilat mund të lejohet ndryshimi i pikave të mësipërme, sikundër ka bërë edhe ministri Beqaj”, sqarojnë subjektet farmaceutike rreth shkeljeve të bëra. Debate rreth kësaj çështje kanë vijuar edhe gjatë ditës së djeshme, ku deputetja e së djathtës Albana Vokshi ka akuzuar ministrin e Shëndetësisë se ka ndryshuar kriteret e tenderit të ilaçeve në kundërshtim me ligjin. Në një deklaratë të dhënë, Vokshi u shpreh se kjo i hap rrugën abuzimeve dhe kërcënon shëndetin publik. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë, sipas të cilës deputetja Vokshi është, tërësisht e painformuar apo e keqinformuar në lidhje me nismat dhe projektet që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë për përmirësimin e shëndetit publik dhe sigurimin e furnizimit ritmik me barna dhe gatishmërisë së pajisjeve mjekësore për të përmirësuar sadopak situatën katastrofike që trashëguam nga keqmenaxhimi dhe makutëria e qeverisjes së kaluar në këto tetë vjet. Dëshirojmë të ritheksojmë se importi dhe regjistrimi i barnave ka qenë deri para pak kohësh një proces tërësisht i kompromentuar dhe i mbyllur, me një mungesë të theksuar transparence, duke lënë, kështu, shteg për praktika abuzive dhe klienteliste në treg. Interesi i Ministrisë së Shëndetësisë për barnat për përdorim spitalor, ka qenë që, pa cenuar aspak cilësinë dhe efektin që këto barna duhet të kenë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor për pacientët, si dhe me të njëjtën sasi parash të mund të blejë më shumë barna, për t’ja lënë njëherë e përgjithmonë të kaluarës, dukurinë e mungesës kronike të barnave në shërbimet tona spitalore”, sqaron Ministria e Shëndetësisë.
