Ndër premtimet e Ramës që vërtet mund të ngrihen pikëpyetje të shumta e të shihen pa ndonjë entuziazëm, nuk është as ajo mbi një sistem shëndetësor falas, as për legalizimet pa leje (meqë këto të dyja i ka shumë për qejf opozita), e as të tjera që kanë të bëjnë me ekonominë e vendet e punës; premtimi më i bujshëm është ai mbi meritokracinë, ose siç e ka thënë ngahera: me i gjet punës njeriun e jo njeriut punën!
Në funksion të kësaj frymë, Rama ka joshur dhe resurset njerëzore shqiptare në emigrim, të të gjitha fushave, për t`u kthyer e për t`i shërbyer atdheut, pa frikën se nuk do ua fishkëllejë kush, siç ka ndodhur sa e sa herë në gjithë këto vite. Për ta thjeshtuar të kuptuarit e kësaj sfide, që është një prej plagëve plot qelb të një shoqërie të korruptuar në ind, mund ta ilustrojmë këtë me dy personazhet e filmit ‘Tela për violinë’, Andonit e të jatit, Kozmait. Andoni është një djalë i talentuar, larg mendësive të të jatit, që studion me këmbëngulje e përpiqet që me mund e djersë të fitojë studimet e larta për violinë. Por Kozmait pak ia ndjen për këtë.
Mbi drejtësinë, talentin, punën e meritën, ai zgjedh “mikun”. Në film, fabula në fund është reale e mbresëlënëse: ‘miku’ viktimizoi si talentin e punën, po aq dhe vetëveten. Por kjo vlen për një shoqëri, ku jo të gjithë janë të korruptuar. Pra që ka edhe ‘Andon’ edhe “Kozma”. Por në atë që ne jetojmë çdo ditë, po shohim se “Andonët” po tentojnë të bëhen “Kozma” e jo e kundërta. Në fund të mandatit të parë të kësaj qeverie, është patjetër e nevojshme të bëhet një sondazh nëse “Andoni” e mundi të jatin, “Kozmain” apo e kundërta, “Kozmai” të “birin”?! Ose në një tjetër variant: a do triumfojë të rënët e legenit apo tingujt e këndshëm të një violine si ajo e Andonit në konkurim?!
P.S. Një formë e ngjashme e denoncimit të së keqes së një sistemi ku “miku” dominon mbi meritën, është përdorur dhe tek ‘Tinguj Lufte’. Pasi një komision shpalli fitues në violinë Leonard Galip Shkëmbin, familja e së cilit ishte e lidhur me fashizmin në vend që të shpallte Fatbardh Qemal Nurin që ishte më i talentuar, por pa ‘mik’, përçohet mesazhi se fashizimi nuk ishte thjesht brutal, por dhe i padrejtë. Dhe historia e ka dhënë gjithnjë leksionin e saj të padiskutueshëm: një rend a një shoqëri, dështojnë ose kanë sukses, në bazë të asaj nëse ligjin e ka bërë “miku” apo merita. / E.H.

PO,eshte e vertete,miku e ben ate qe nuk ta jep e drejta,ligji.Nje mik sa nje ciflik-thote populli.Mikun e gjen kudo ku drejtuesite qeverisjes qe nga hallkat me te ulta e deri tek me te lartat pranojne direkt ose me pak ndrojtje ate qe u “jepet aty” ne zarf ose sic i thonenen rogoz.”Miku” nuk eshte nje pjelle e re.Ka ardhur bashke me zhvillimin e shoqerise.Do te geloje edhe ne te ardhmen cila do force politike qofte ne qeverisje.Ajo qe minimizon “ndikimin e mikut”eshte vetem mireqenia.Sa me e larte te jete ajo aq me pak ose aspak vepron miku.Per kete le te mendojne qeveritaret e sotem e te ardhshem. -Mireqenia = O korupsion,=O ndikimin e mikut.