Kryetari i bordit drejtues të Bajernit, Karl Hainc Rumenige, shpreson që Kristiano Ronaldo të jetë i gatshëm për të dalë në fushë në ndeshjen e parë gjysmëfinale që do të luhet të martën në “Bernabeu”. Portugezi është duke luftuar me dëmtimin dhe Rumenige thotë se preferon që yjet të jenë në fushë. “Shpresoj që ai të jetë në gjendje të luajë, sepse më pëlqen kur lojtarët më të mirë janë në fushë dhe Ronaldo, sipas FIFA-s, është futbollisti më i mirë në botë”, tha Rumenige. “Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, por nuk kemi frikë. Siç e dini, në Madrid na njohin si “Bisha e zezë” dhe Reali ka shumë respekt për Bajernin e po kështu respekt reciprok kemi edhe ne për Realin”. Rumenige tha se nuk kishte mundur ta shihte të gjithë finalen e Kupës së Spanjës, pasi Bajerni luante në atë kohë, por e cilësoi si fantastik golin e shënuar nga Gareth Bale.
