Gjyqi ndaj Kadri Hazbiut. Seanca e 12
“Për këtë detyrë të KGB-së e UDB-së, punuam me muaj të tërë. Kryetar i grupit ishte Mehmet Shehu, i cili mbante lidhje me Svetozar Kokiçin”
(Vijon nga numri i kaluar)
Në atribuimet e Fiqret Shehut në seancën e 12-të të gjyqit ndaj Kadri Hazbiut e të arrestuarve të tjerë, të akuzuarit si ‘Pjestarë të grupit armiqësor, kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu, të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja’, jepen detaje konkrete të skenarit për sabotimin e Konferencës së Partisë për Tiranën, mbajtur në vitin 1956. “Qëllimi kryesor i grupit tonë armiqësor në Konferencën e Tiranës, ishte sulmi ndaj udhëheqjes së Partisë e Enver Hoxhës, në mënyrë që të përgatitej terreni që Kongresi i ardhshëm i PPSH, të zhvillohej në frymën e Kongresit të 20-të në Bashkimin Sovjetik. Kështu, synohej që në një kohë sa më të shkurtër, të rrëzohej regjimi komunist dhe Mehmeti të vihej në krye të vendit. Gjithçka, dhe në këtë konferencë, bëhej me miratimin e udhëzimet e agjenturave ruse e jugosllave. Kryesori ishte Mehmet Shehu, por Kadri Hazbiu, në skenë e në prapa skenë, kishte një rol shumë të rëndësishëm”- deklaron mes të tjerave në këtë seancë Fiqret Shehu….
Vazhdimi i seancës së 12
Fiqret Shehu:- Në kuadër të shpëtimit të forcave(grupi agjenturor që kryesohej nga Mehmet Shehu), hynë edhe një letër që propozoi Kadri Hazbiu tek Mehmet Shehu, që ti bëhej Partisë, organizatave bazë, nga ana e Komitetit Qendror, me anën e të cilës të porositeshin që të kishin kujdes, të mos shikohen me sy të shtrembër kuadrot që punonin në Sigurim, se organet e Sigurimit, janë armë e sigurt besnike në dorë të Partisë, për mbrojtjen e fitoreve të revolucionit popullor, etj… Mehmet Shehu, në fakt, e miratoi këtë propozim të Kadri Hazbiut. Letra, me sa mbaj mend unë, u bë, e me sa më kujtohet, kështu është. …. Ndërsa qëllimi i atyre që e bënë këtë propozim, domethënë i Kadri Hazbiut e Mehmet Shehut, ishte thellësisht kundër revolucionar. Ishte për të ulur vigjilencën e kuadrove, komunistëve e punonjësve në drejtim të atyre elementëve që kishin punuar dhe që ishin në shërbim të agjenturave të huaja, sikurse dhe elementë të tjerë antiparti.
Moment tjetër i rëndë në veprimtarinë armiqësore të Kadri Hazbiut është edhe roli i tij në prapaskena dhe organizimin direkt në Konferencën e Partisë për Tiranën. Kur Mehmet Shehu u largua nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe u bë kryeministër, propozoi që ministër i Brendshëm të bëhej Kadri Hazbi. Dhe në fakt, u bë Kadri Hazbiu ministër i Brendshëm. Mehmet Shehu i kishte lënë porositë Kadri Hazbiut e Mihallaq Ziçishtit që të kishin kujdes, të ruanin kuadrot e vjetra, edhe ata që ishin larguar nga ministria e Brendshme, t’i mbajnë afër për t’i përdorur në kohën e duhur. Dhe rasti i volitshëm u quajt pikërisht Konferenca e Partisë e qytetit të Tiranës e vitit 1956, që do të zhvillohej në prag të Kongresit të 3-të të Partisë……
Prandaj e ruajtëm momentin e organizimit të Konferencës së Partisë për Tiranën dhe qysh më parë ndërmorëm një punë të gjerë armiqësore për të vënë në lëvizje të gjithë grupet e personat në shërbim të tyre. Në këtë kuadër, u vunë në lëvizjen tonë kundër revolucionare, puçiste e komplotiste që drejtohej nga Mehmet Shehu, jo vetëm pjesëtarët e organizatës sonë, por dhe elementë të pakënaqur e antiparti.
Unë mora kontaktin e parë me një person të agjenturës jugosllave dhe që është i pandehur këtu, Feçor Shehun, i cili më vuri në dijeni për këtë çështje në linjën jugosllave, pavarësisht që në linjën tjetër, Mehmet Shehu, nga ana e sovjetikëve, ishte vënë gjithashtu në lëvizje për të organizuar punën armiqësore në Konferencën e Partisë të qytetit të Tiranës.
Qëllimi i veprimtarisë armiqësore që do të zhvillohej në Konferencën e Partisë për Tiranën, ishte i atillë që, të goditej vija e Partisë, të goditej udhëheqja e Partisë, të kthehej vija marksiste-leniniste e Partisë në vijë revizioniste, të përgatitej terreni që në Kongresin e 3-të të Partisë që do të zhvillohej pas ca kohe, të goditej vija e përgjithshme e Partisë dhe të ndodhte në Kongres, ajo që ndodhi në Kongresin e 20-të në Bashkimin Sovjetik. Pikërisht, mbi bazën e Platformës së Kongresit të 20-të të BS, do të zhvillohej edhe Konferenca e Partisë e Tiranës. Pra, sipas punës armiqësore të organizuar nga grupi ynë armiqësor, nga organizata jonë komplotiste e puçiste që kryesohej nga Mehmet Shehu. Në këtë përgatitje të konferencës, një rol të rëndësishëm ka luajtur Kadri Hazbiu , i cili ishte ministër i Brendshëm dhe që kishte fijet në dorë si në rrugë legale, domethënë të gjithë aktiviteteve që zhvilloheshin, ashtu dhe nëpërmjet lidhjeve agjenturore që ai mbante nga një anë me Zvetozar Kokiçin, me zbuluesin jugosllav në legatën jugosllave, që ishte qendra e organizimit të punës nëpërmjet nesh. Po ashtu, dhe lidhjet që mbante me Mihallaq Ziçishtin e Feçor Shehun. Për këtë rol të veçantë të Kadri Hazbiut në organizimin e punës në Konferencën e Tiranës, mua më ka folur Mehmet Shehu. Në prag të Konferencës së Tiranës, megjithëse do të flas më vonë për çështjen e Feçor Shehut, Feçor Shehu erdhi i dërguar nga Zvetozar Kokiçi tek unë. Dhe këtu unë mora takimin e parë me një person të agjenturës jugosllave pas çlirimit. Kur më vuri në dijeni Feçor Shehu, dhe ai Kokiçi, për përgatitjet që po bëheshin për sabotimin e Konferencës së Tiranës, unë u tremba, u frikësova, meqë isha sekretare e parë e Komitetit të Partisë të Tiranës. Prandaj, kur shkova në shtëpi i thash Mehmet Shehut që kështu, ka ardhur Feçor Shehu dhe kjo mua më shqetëson se unë jam sekretare e parë e Komitetit të Partisë. Mehmet Shehu u mundua të më qetësojë dhe më tha, mos ki aspak frikë për këtë çështje, sepse i deleguar i komitetit Qendror në Konferencë do të jetë Beqir Balluku, që është në pozitat tona dhe është agjent i hershëm në lidhje me zbulimin jugosllav. Ndërsa fijet e punës, më tha Mehmeti, të punës armiqësore kuptohet, i ka Kadri Hazbiu, i cili duke qëndruar në lidhje, duke qëndruar vetë në prapaskenë me zbulimin jugosllav, me Zvetozar Kokiçin, me Mihallaq Ziçishtin dhe me Feçor Shehun, të cilët do të jenë vetë brenda në Konferencë. E aq më shumë, që ty të është ngarkuar një detyrë, si rol pasiv, me që je sekretare e parë e Tiranës dhe gruaja ime. Kështu më tha Mehmet Shehu….
Kuptohet, që për sa i përket organizimit të punës nga ana jonë, në krye të gjithë kësaj pune qëndronte Mehmet Shehu. Por personi që lëvizte fijet dhe ishte në lidhje direkt, do të ishte Kadri Hazbiu. Filloi Konferenca e Tiranës, dhe pas raportit që mbajta unë si sekretare e parë, filluan nga të gjitha anët pyetjet kundër vijës së Partisë, kundër udhëheqjes së Partisë, dhe në drejtimin tim e të Mehmet Shehut, që mua më tronditën në fakt.
Në një nga pushimet, duke qenë e mërzitur e pak e mënjanuar, në kohën që Beqir Balluku bisedonte me delegatë të tjerë, m’u afrua Feçor Shehu e më tha: Pse qëndron kështu e mërzitur dhe e mënjanuar?. I thashë, nuk e dëgjove se ç’u tha në Konferencë për mua, ç’pyetje u bënë dhe për Mehmet Shehun?. Feçor Shehu më tha se, të tilla pyetje edhe do të bëhen, që të mos bjerë dyshimi mbi ty dhe Mehmet Shehun. Aq më shumë, tha ai, bëhen pyetje për ty se ti je gruaja e Mehmet Shehut. Konferenca vazhdoi me tension…
Unë u frikësove, dhe kur shkova në shtëpi, ja thashë Mehmet Shehut, megjithëse më parë i thash dhe Beqir Ballukut që ta informonte ai. Po ai, Beqiri më tha: Thuaj ti më parë Mehmetit. Ja thashë, ja parashtrova gjendjen Mehmet Shehut, i cili e gjykoi ashtu të rëndë gjendjen si dhe unë, dhe thirri në prezencën time Beqir Ballukun e Kadri Hazbiun dhe i porositi që të kenë kujdes, t’i mbajnë në duar mirë frenat, siç u shpreh ai. Ndërsa Kadri Hazbiu i tha, mos ki merak, mos u merakos, i kam vetë punët në dorë dhe aty brenda janë Mihallaqi e Feçori, e asgjë nuk do të ndodhë. ..
Ndërsa pika kulminante në këtë moment, është organizimi i arratisjes së Panajot Plakut, duke bashkëpunuar në këtë rast natyrisht me zbulimin jugosllav….
Duke qenë konsekuent me veprimtarinë armiqësore të tijën dhe me qëllim për t’u shërbyer sa më mirë agjenturave të huaja, Kadri Hazbiu ka qenë në kundërshtim me vijën e Partisë dhe në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare edhe me politikën e jashtme të shtetit tonë. Kjo u duk më së miri dhe më qartë, pasi u bë Konferenca e 81 Partive në Moskë, pasi filloi polemika mes PPSH dhe partisë revizioniste të Bashkimit Sovjetik, e pasi u prenë marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Në këtë moment, Kadri Hazbiu kishte shprehur mendime të tilla, sikurse edhe Mehmet Shehu, që nuk ishte për politikën aktuale e nuk ishte për prerjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Në të kundërtën, edhe kur u prenë marrëdhëniet, ishte për ndërmarrje veprimesh e hedhje hapash për të lidhur marrëdhënie, siç edhe u veprua, siç do të shpjegoj më poshtë, nëpërmjet Nesti Nases…. Në këto momente, Kadri Hazbiu i tha Mehmet Shehut, se më duket që tani erdhi momenti që edhe ne të themi fjalën tonë, të lidhim marrëdhënie me Bashkimin Sovjetik, të ndërpresim polemikën. Mehmeti i ka thënë Kadriut se ai e kishte porositur Nesti Nasen që të gjente forma e mënyra për të shkëmbyer mendime për tratativa me udhëheqësit sovjetikë, domethënë, nëpërmjet njerëzve të diplomacisë sovjetike për të arritur në marrëdhënie të mira. Kadri Hazbiu ishte treguar entuziast në këtë drejtim dhe kishte thënë që po… Për këto mua më ka folur si Mehmet Shehu, ashtu dhe Nesti Nase. Ndërsa në vitin 1960, më ka folur dhe Feçor Shehu, për pikëpamjet dhe qëndrimin kundër vijës së Partisë të Kadri Hazbiut. Feçor Shehu në këtë kohë punonte në Shkodër, por s’e kishte zor të vinte në Tiranë. Kishte ardhur për punë këtu në Tiranë, erdhi dhe në zyrën time për të më sjellë një detyrë tjetër agjenturore, detyrë të re në këtë situatë të re. Dhe pasi më dha detyrën, mua më shpjegoi se një detyrë agjenturore të ngjashme ka marrë edhe Kadri Hazbiu nga zbulimi jugosllav.
Konkretisht, më tha Feçor Shehu, Kadri Hazbiu ka marr detyrë që të flasë me njerëzit, kuadrot e Sigurimit që të kemi kujdes në këto momente, të afrohemi me Jugosllavinë dhe të ruhen elementët në shërbim të zbulimit sovjetik dhe elementë të tjerë antiparti… Për këtë, Kadri Hazbiu, së bashku me Llambi Ziçishtin, bënë një mbledhje dhe u dhanë detyra edhe kuadrove kryesore në ministri…
Meqë po flas këtu për çështjen e Bashkimit Sovjetik, desha të kthehesha pak prapa në kohë, në vitin 1953. Në vitin 1953, kur ishte akoma ministër i Brendshëm Mehmet Shehu, janë dy episode me të cilat lidhet armiku Kadri Hazbiu.
E para, në vitin 1953, shteti ynë kishte marr një vendim të bëhej një amnisti nga e cila do të përfitonin të burgosur nga grupi i ish-intelektualëve. Mehmet Shehu kishte marrë në këtë kohë detyrë nga agjentura amerikane, që me këtë rast, të liroheshin edhe disa agjentë amerikanë dhe më tregoi se për bërjen e listave, për futjen edhe të agjentëve amerikanë në këto lista që do të përfitonin nga amnistia, për këtë punë kishte ngarkuar të punonte Kadri Hazbiun e Mihallaq Ziçishtin. Pastaj, së fundi, do i shikonin të tre së bashku.
Po në vitin 1953, është një episod tjetër i rëndë dhe i rëndësishëm. Byroja Politike, në fund të gushtit 1953, analizoi punën në Ministrinë e Brendshme. Aty kishte mungesa shumë të mëdha dhe u bënë kritika shumë të rënda për punën në Ministrinë e Brendshme dhe lidhjet që mbanin Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu dhe udhëheqës të tjerë me këshilltarët sovjetikë…
Nga kjo kritikë Mehmeti u trondit rëndë shumë dhe i tha Kadri Hazbiut, se nuk linte gjë pa i thënë, që situata në Byronë Politike ishte shumë e rëndë. Nuk di a ka qenë vetë Kadri Hazbiu me që ishte zëvendës i parë apo jo, por Mehmet Shehu më ka treguar mua kështu. Edhe Kadri Hazbiu i kishte thënë Mehmet Shehut që në këtë situatë, unë mendoj që ti drejtohemi Leviçkinit për ndihmë, për të ndërhyrë tek Sekretari i Parë i Komitetit Qendror (Enver Hoxha), që të më përkrahë Leviçkini…
Në këtë periudhë, e veçanërisht kur u bë ministër i Punëve të Brendshme ai, Kadri Hazbiu, filloi vetë nga ana e tij të punonte për forcimin e më tejshëm të lidhjeve agjenturore me rusët, Leviçkinin e këshilltarët…. Kështu, kur erdhi rasti më 1960-1964 e më vonë u prenë marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe filloi polemika, Kadri Hazbiu ishte po me ato qëndrime që thashë. Dhe më vonë, kur u ndërprenë marrëdhëniet edhe me Kinën, po ashtu. Bashkimi Sovjetik bënte tratativa që të afrohej me ne dhe Mehmet Shehu i kishte dhënë porosi Nesti Nases që në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, të takohej me personalitete të diplomacisë sovjetike për të hedhur hapa të mëtejshëm dhe më të fortë për lidhjen e marrëdhënieve të vendit tonë me Bashkimin Sovjetik. Kjo çështje, në fakt, u konkretizua në formë bisede mes Nesti Nases dhe zëvendësit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik, Iliçovit, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ata e garantuan Iliçovin që të njoftonte Hrushovin për këtë, dhe se dhe ne miqtë e Bashkimit Sovjetik në Shqipëri (domethënë agjentura) me në krye Mehmet Shehun. po marrim masat e duhura… (Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Në vitin 1953, shteti ynë kishte marr një vendim që të bëhej një amnisti nga e cila do të përfitonin dhe të burgosur nga grupi i ish-intelektualëve. Mehmet Shehu kishte marr në këtë kohë detyrë nga CIA, që me këtë rast, të liroheshin edhe disa agjentë amerikanë dhe më tregoi se për bërjen e listave, për futjen edhe të agjentëve amerikanë në këto lista që do të përfitonin nga amnistia, për këtë punë kishte ngarkuar të punonte Kadri Hazbiun e Mihallaq Ziçishtin. Pastaj, së fundi, do i shikonin të tre së bashku listën e faljeve”
SOM 2
“Dhe rasti i volitshëm u quajt pikërisht Konferenca e Partisë e qytetit të Tiranës e vitit 1956, që do të zhvillohej në prag të Kongresit të 3-të të Partisë…… Prandaj e ruajtëm momentin e organizimit të Konferencës së Partisë për Tiranën dhe qysh më parë ndërmorëm një punë të gjerë armiqësore për të vënë në lëvizje të gjithë grupet e personat në shërbim të tyre. Në këtë kuadër, u vunë në lëvizjen tonë kundër revolucionare, puçiste e komplotiste që drejtohej nga Mehmet Shehu, jo vetëm pjesëtarët e organizatës sonë, por dhe elementë të pakënaqur e antiparti”
SOM 3
“Në përgatitjen e Konferencës së Tiranës, një rol të rëndësishëm ka luajtur Kadri Hazbiu, i cili ishte ministër i Brendshëm dhe që kishte fijet në dorë si në rrugë legale, ashtu dhe nëpërmjet lidhjeve agjenturore që ai mbante nga një anë me Zvetozar Kokiçin, me zbuluesin jugosllav në legatën jugosllave që ishte qendra e organizimit të punës nëpërmjet nesh, po ashtu dhe me Mihallaq Ziçishtin e Feçor Shehun. Për këtë rol të veçantë të Kadri Hazbiut në organizimin e punës në Konferencën e Tiranës, mua më ka folur Mehmet Shehu”
NESËR DO TË LEXONI:
-Deponimet e Fiqret Shehut: Roli i Kadri Hazbiut në fejesën e djalit tonë me vajzën e Turdinjve. Porosia e CIA-s, që në rast ‘djegie’ të Mehmet Shehut, të ruhej Kadri Hazbiu.
-Ardhja e Kadri Hazbiut në shtëpinë tonë para vetëvrasjes së Mehmet Shehut dhe letra misterioze që ai solli nga zbulimi sovjetik.
-Biseda ime me Mehmet Shehun në orët e mbrëmjes së 17 dhjetorit 1981, natë në të cilën ai u vetëvra.
