Gjin Floriri që nuk është i vetmi

anazapta

Nga Aida Nako

Shumë komentuesve online u ka bërë përshtypje kjo fotografi e përdorur në DITA gjatë numrave të fundit, ku kemi folur për problemet e rënda të korrupsionit në Drejtësi dhe kemi marrë si shembull, një nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pse u ka bërë përshtypje kjo foto lexuesve? Sepse bie lehtësisht në sy që gjyqtari Gjoni ka në dorë një orë floriri, kopsat e xhaketës së tij kanë një rrethim të artë dhe edhe manshetat me të cilat ka zëvendësuar kopsat në mëngët e këmishës, janë të arta. Me pak zoom në versionin me ngjyra të fotos, nuk është e vështirë të konstatosh që tek ora bëhet fjalë për flori që njohësit e tij e quajnë “750-tsh”, ose si njihet ndryshe 24-karatësh.

Ka orë të shtrenjta në botë, gustot janë të shumëllojshme ndër njerëzit e kamur, por orë krejt të florinjta, shihen zakonisht vetëm në duar arabësh të naftës. Nuk e dimë nëse zoti Gjoni këtu në foto, ka përdorur kyçin për të shpuar ndonjë pus nafte, apo ka gjetur thesarin e Mokrës para Arben Imamit, por sido që të jetë rasti, një qytetari normal në Shqipëri nuk mund të mos i bëjnë përshtypje aksesorë të tillë.

 

Sa paguhen gjykatësit në Shqipëri?

Perceptimi publik për korrupsionin në sistemin e drejtësisë është pothuaj në kufinj maksimalë dhe pothuaj çdo qytetar beson se dhënia e drejtësisë është një mall që blihet e shkëmbehet me para.

Stili dhe standarti i jetesës së punonjësve të sistemit të drejtësisë, është në shumicën dërmuese të rasteve i pajustifikuar në raport me të ardhurat e tyre. Ato, ndonëse variojnë nga 600 euro deri në 1000 euro në muaj, duket se mjaftojnë që punonjësit e sistemit të drejtësisë, të hyjnë në shtresën e njerëzve më të kamur në Shqipëri. Jetesa dhe stili i jetesës së një gjykatësi kryesisht dhe një prokurori disi më pak, është lehtësisht e verifikueshme, qoftë dhe “me sy të lirë”. Makina, banesa, veshjet, shpenzimet dhe udhëtimet jashtë, janë vetëm disa nga treguesit që e diferencojnë këtë shtresë shoqërore nga të tjerat në Shqipëri. Ç’thoshte Llalla, ç’bëri Llalla ILKDP-ja, ishte dhe është institucioni përgjegjës përpara ligjit, për të hetuar për ta, por nuk ja ka dalë të kapë në rrjetë të korruptuarit e sistemit.

Në tetor 2012, ish-kreu i saj Adriatik Llalla, sot Prokurori i Përgjithshëm, në një artikull ku flitej për luksin e atyre që pretendohet se duhet të japin drejtësi, deklaronte: “Janë 150 gjykatës dhe prokurorë të cilët do të verifikohen, veç të tjerash edhe për shpenzimet e bëra për qëllime turizmi, udhëtimet jashtë vendit. Do të verifikohet përputhshmëria mes të ardhurave të tyre të deklaruara dhe shpenzimeve që kanë kryer. Pas dy apo tre muajsh mund të përpunohen dh e rezultatet e para të hetimit për këta punonjës të drejtësisë. Për ata që nuk hpjegojnë shpenzimet e tyre në raport me të ardhurat, fillimisht do të komunikohet me KLDnë për masa administrative ndaj gjykatësve dhe më pas, do të vijohet edhe me kërkesë në prokurori për ndjekje penale ndaj tyre…”

Kaluan “dy apo tre muajt” kaluan vite, dhe Llalla, sot kryeprokuror, nuk ka bërë asgjë nga ato që deklaronte në këtë artikull.

Nëse do ekzistonte vullneti, ligjor dhe politik, shumë nga njerëzit e sistemit, do të binin pre e grepit të vanitetit të tyre. Duke u nisur qoftë edhe nga një e dhënë e thjeshtë: udhëtimet e tyre jashtë shtetit. Në kohën për të cilën flet artikulli ku citohet z.Llalla, një numër i pacaktuar, gjykatësish dhe prokurorësh, u kontrolluan, ndër të tjera, edhe për hyrje-daljet e  tyre nga Shqipëria në sistemin TIMS (një projekt që shënon gjithë lëvizjet e qytetarëve në pikat e kalimit kufitar).

Pas verifikimeve që inspektorët e KLD-së bënë për këto lëvizje jashtë shtetit të gjykatësve, dolën në dritë të dhëna mjaft të rënda: ndër ta kishte gjykatës të cilët kishin lëvizur shumë shpesh jashtë shtetit, dhe madje, edhe nga ata që në ditët që rezultonin se ndodheshin jashtë Shqipërisë, kishin firmosur vendime sikur ndodheshin në sallën e gjyqit. 11 prej tyre në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Kavajë ishin rastet ekstreme që ranë në sy. Ndodheshin jashtë shtetit duke bërë pazar, pazare apo thjesht për kënaqësi edhe në ditët që në letra rezultojnë sikur kanë dhënë vendime në Shqipëri. KLD-ja nuk mori në shqyrtim asnjë nga këto dosje. Më së paku, këto 11 gjykatës, janë përgjegjës për falsifikim të dokumenteve shtetërore dhe shpërdorim të detyrës.

 

Udhëtime fundjavave jashtë vendit 

Pandeli Majko u shpreh dy ditë më parë në Kuvend që gjatë udhëtimeve zyrtare u ndodhin të shohin në avione gjykatës që ikin për turizëm jashtë, për shoping, për për qejf, apo për t’i parë ndeshjet e futbollit në stadiumet e vendeve perëndimore Revista Java, 2 vite më parë kreu edhe një hetim empirik: kontaktoi në katër agjenci ajrore në Tiranë dhe mori në mënyrë informale një listë me 9 gjykatës të gjykatës së shkallës së parë në Tiranë. Ndër ta ka pasur edhe të tillë që kanë udhëtuar jashtë shtetit me një frekuencë deri në tre herë në muaj. Destinacionet e tyre më të shpeshta kanë qenë Italia dhe Austria. Ditët e nisjes nga Rinasi kanë qenë kryesisht të premtet dhe kthimi të dielën. Janë nga klientët më të rregullt dhe që paguajnë gjithmonë cash. “Kampioni” i verifikuar i nëntë gjykatësve ka pasur një qëndrim mesatar jashtë shtetit prej një jave në muaj. Dhe kështu në çdo muaj të vitit (!). Pjesa e pushimeve verore, leja e tyre është rreth një muaj, shpenzohet kryesisht jashtë shtetit dhe destinacionet më të preferuara janë Spanja, Franca, Dubai, Italia, Turqia, Greqia.

Duke nisur me shpenzimet për biletat dhe duke konsideruar që gjykatësit kanë udhëtuar vetëm (megjithëse në të gjitha rastet e verifikuara kanë qenë çift) dhe duke konsideruar edhe sikur jashtë shtetit të mos kenë shpenzuar asnjë qindarkë, mund të llogaritet që ata kanë konsumuar një buxhet minimal prej rreth 1500 eurosh në muaj. Por 1500 euro vetëm (gjithmonë në rastin kur turistët me togë të zezë janë ushqyer me ajër dhe kanë fjetur me ajër mbi kokë, pra, nuk kanë shpenzuar asnjë qindarkë për ushqim e fjetje) janë prapë shumë për një rrogë nga 600 deri në 1000 euro. Qoftë dhe vetëm kjo e dhënë do të mjaftonte që të paralajmëronte ditë të zymta për gjykatës dhe prokurorë, të cilët e kanë kthyer sistemin në një marrëdhënie të deformuar: e drejta është ajo çka i paguhet paguesit më të lartë! Një marrëdhënie që e ka provuar në kurriz dhe xhep pothuaj cilido qytetar shqiptar që ka vënë këmbët në gjykata.

 

Një provë me peshë guri për shumicën e sotme

Deri më tani, përgjithësisht hetimet e kryera mbi pasuritë e njerëzve të sistemit të drejtësisë, kanë përfunduar me “kompromis”. Ata kanë rezultuar qytetarë “me fat” që kanë përfituar me shumicë dhurata nga të afërm, kanë siguruar “borxhe” pa interes nga familjarë apo dhe që banojnë në banesa luksoze të cilat janë në emër të të tretëve. Edhe në rastet e hetimit penal, në ato pak raste që kanë mundur të kalojnë pragun e prokurorisë, hetimet janë mbyllur për shkak “të mungesës së elementëve të veprës penale” apo edhe në gjykatë.

“Gjyqësori vepron si një korporatë”, denonconte plot pezm kohë më parë Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, një realitet që shumëkush e sheh, shumëkush e njeh, por pakkush mundte ta ndryshonte. Reforma në drejtësi, një togfjalësh që përmendet shumë shpesh në diskursin politik vendas, sa herë që bëhet fjalë për integrimin apo dhe thjesht dhe vetëm nevojën për të ndryshuar për së mbari sistemin e drejtësisë, ka pasur një armik të pandryshueshëm: mungesën e vullnetit politik për të bërë një reformë reale në sistem. Ka shanse të ndëshkohen gjykatësit? Shanset ekzistojnë vetëm nëse do të kuptohet realisht ajo që shpesh thuhet me hipokrizi: të korruptuarit nuk kanë parti politike, por i luten vetëm një shenjti, parave dhe vetëm nëse do të ketë vullnet të qartë politik për të luftuar korrupsionin. Kjo është një provë me peshë guri për shumicën e sotme.

 

Ata janë përgjithësisht të rinj

Një sondazh për gjyqësorin, i plotësuar nga vetë gjykatësit, jep të dhëna dramatike, për aq sa mund të jenë të sakta, për gjendjen në sistemin e drejtësisë. 45 gjykatës në një kampion prej 177 togash të zeza, e kanë shkruar me dorën e tyre, në kushte anonimati, se kanë marë rryshfete për vendimet që kanë dhënë. Sondazhi i kryer nga Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë dhe Ambasada Britanike në Tiranë, u shtri në 14 gjykata të shkallës së parë në vend. Një e treta e gjithë gjykatësve pranuan se në vendimet e tyre kanë ndërhyrë faktorë të jashtëm.

Një shifër tjetër ka të bëjë me moshën e gjykatësve. Ata janë përgjithësisht të rinj dhe kjo e bën situatën edhe më të rëndë e të projektuar edhe në të ardhmen si të tillë. Drejtësi në Shqipëri japin gjykatës në moshë të re, 38 për qind e tyre janë deri në moshën 40 vjeç, dhe mbi gjysma e tyre vijnë nga shkolla e magjistraturës. Qershia mbi tortë në këtë sondazh mbetet raporti që gjykatësit kanë me pagën e tyre. 72 për qind e tyre shprehen të kënaqur me rrogën 600 euro rrogë dhe vetëm 7 për qind, e konsiderojnë të ulët këtë pagesë.

Ka qenë një anekdotë e vjetër që tregohej gjithmonë me sukses në Tiranë për doganierin e çuditur kur mësoi se për punën që kryente, edhe paguhej në bordero. Dhe ky i gjykatësve dhe njerëzve të sistemit të drejtësisë në përgjithësi, është pikërisht ky rast anekdotik. Japin drejtësi në këmbim të rrogës që marrin në bordero, por jetojnë si biznesmenë që nuk i prek kurrë kriza  ekonomike. Madje edhe pa paguar taksa. Të paktën deri më tani. Ndoshta ka ardhur koha që edhe ata të paguajnë.

floriri i gjinit

 

A po kthehet drejtësia në një korporatë krimi?

Nga Lorenc Vangjeli – JAVA

Një në tre gjyqtarë shqiptarë pranon se ka marrë ryshfet për çështjet që ka gjykuar”. E pohojnë dhe e pranojnë dhe vetë gjykatësit. Ata janë pyetur në kushtet e anonimatit në një sondazh të financuar nga Britania e Madhe. Shifra reale padyshim është shumë më e madhe. E vërteton një gjë të tillë mospërputhja e frikshme e standardit të jetesës së gjykatësve, krahasuar me të ardhurat që marrin zyrtarisht. Deri diku një gjë e tillë është e provuar edhe në vetwdeklarimet e tyre në ILDKP, por të pahetuara pothuaj në asnjë rast për të nxjerrë fajtorë. “Dhuratat” milionere nga të afërm të varfër, shtëpi e vila, pushime luksoze dhe makina me cilindrat të madhe në emër të të afërmve të tjerë, dikush te fëmijët, tek gruaja apo prindërit e gruas nuk është gjendur shpjegimi sepse janë po ata vetë që duhet të vetëhetohen. Vetëhetim duke qenë pjesë e sistemit që duhet të gjejë të lagurin në një turrë gjithashtu tërësisht të lagur drush. Së paku një të tretën e tyre, e konsiderojnë vetë gjykatësit si të tillë. “Po kemi ryshfet”, pranojnë në sondazhin britanik të bërë me njerëzit shqiptarë të drejtësisë. Por edhe ata vetë pranojnë se kanë qenë pjesë e mitdhënies, kanë paguar në të njëjtin nivel sistemin shëndetësor dhe në veprimet që duhet të ishin falas në administratën e shtetit.

Së fundmi, një gjykatës lokal, Dhimitër Pojanaku, është arrestuar nga policia nën akuzën e mitmarrjes. “Është e xhiruar dhe skena e dhënies së lekëve, diçka rreth 300 euro. Por në rrjetë bien vetëm peshq të vegjël, të mëdhenjtë e çajnë gjithmonë rrjetën. Dhe ata i njeh kushdo, duke nisur nga qytetarët që paguajnë të parët. E dinë të gjithë, por këto janë mundësitë tona për t’i kapur”. Një nga drejtuesit e lartë të Ministrisë së Brendshme e pohon këtë fakt duke thënë se ky krim i hapur dhe i ditur nga të gjithë do të vazhdojë të konsumohet ditë mbas dite, sa kohë vetë sistemi i drejtësisë nuk funksionon në dy hallkat e tij kryesore të kontrollit; atë brenda sistemit që është kontrolli nga një shkallë më e ulët në atë më të lartën, dhe, kontrolli “ndëshkimor” që bëhet nëpërmjet inspektimit të dosjeve gjyqësore nëpërmjet KLD-së dhe inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë.

Sistemi gjyqësor është një pushtet më vete. E vetmja gjë që shumica e re qeverisëse mund të bëjë është të prodhojë reforma për të përmirësuar sistemin. “Vija ndarëse mes një reforme që lë më shumë hapësirë për integritet dhe ndërhyrja tek pavarësia e sistemit ligjor është shumë e hollë”, i thotë Rama javën e shkuar një eksperti britanik të jurisprudencës. Tetë vjet më parë, një ide të tillë e kishte dhe zoti Berisha, ndaj një nga aktet e para që ai ndërmori si kryeministër, ishte kërkesa e tij për të reformuar KLD-në, qeverinë e gjyqësorit. Një operacion që u paralajmërua si i dështuar dhe në tentativën e parë, edhe antikushtetues. Synimi për ta vënë nën drejtim politik këtë sistem, bëri që ai të pavarësohej edhe më tej nga ligji.

Së fundmi, një konflikt i hapur mes një anëtari të KLD-së dhe kryetarit të gjykatës së apelit të Tiranës pati tone dramatike. Gjin Gjoni, anëtar i KLD-së u akuzua direkt për vrasje në aksident dhe për më shumë, edhe për falsifikim të akteve zyrtare në këtë vepër penale. Vetë Gjoni shprehet i hapur për t’u hetuar, por besueshmëria e asaj që mund të bëjë KLD-ja është shumë e ulët. “Koorporatë”, është konsideruar nga ish-prokurorja e përgjithshme Ina Rama gjithë trupa gjyqësore. “Gjyqtarët në Shqipëri janë të paprekshëm”, thotë Joshua Rozenberg, një ekspert britanik i ardhur në Tiranë, i ftuar nga autoritetet zyrtare. “Ekziston një perceptim në publik, për të cilin mendoj se edhe juristët e pranojnë, që ka probleme kronike me korrupsionin brenda sistemit të drejtësisë”, citon Rozenberg ambasadorin britanik në Tiranë. Dhe po vetë gjykon se “Sistemi ligjor është duke vepruar si një korporatë, në mbrojtje të interesave të veta”.

Në janar të këtij viti, edhe kryeministri Rama edhe kryetari i Kuvendit Meta ndanë të njëjtin opinion për rëndësinë e posaçme të dy reformave bazike në vend: reformën territoriale-administrative dhe reformën në drejtësi. Në rastin e parë, deri më tani duket se ka dështuar tentativa e përsëritur për të pasur konsensus me opozitën për këtë reformë. Edhe më e vështirë duket se do të jetë një gjë e tillë për reformën në drejtësi.

Në ligjin për organizimin e sistemit gjyqësor do të saktësohen mënyrat për të dhënë transparencë në sistem, mënyra e përzgjedhjes dhe karrierës, rritja e kontrollit të brendshëm mes shkallëve të vetë gjyqësorit dhe inspektimi dhe ndëshkimi i atyre që gabojnë. Do të shihet dhe konflikti i interesit që është bërë një gangrenë në KLD. Vetë gjykatësit e quajnë atë si kupolën e korporatës. Por ka dhe më shumë. Do të synohet të ndryshohet dhe forcohet roli i ILDKP-së, në drejtim të kontrollit të pasurive të gjykatësve. Nuk do të lihet pas edhe prokuroria, e cila shpejt duket se do të nisë të funksionoj me një ligj të ri. Synimi thelbësor: forcimi i rolit të këshillit të prokurorisë, për ta shndërruar atë në një “KLD” të saj. Por kjo si KLD-ja e gjyqësorit. Projekti për të cilin ende po diskutohet informalisht në tryeza ekspertësh dhe që pritet të vihet dhe në tryezën e politikës duket se do të përfshijë edhe një plan për ndërhyje në kushtetutë. Ndryshimet që ju  bënë asaj në prill 2008, por dhe kolaudimi në 15 vjetët e ekzistencës së saj, duket se e kanë bërë të domosdoshme. Çfarë do të ndodhë? Pa kush di të japi një përgjigje të pretë për këtë gjë. E sigurt është që kjo reformë do të paralajmërojë një tjetër stinë të nxehtë politike ne vend. Sepse vetë politika është një patate e nxehtë furre në duart e sistemit gjyqësor, që gjithashtu është patatja e nxehtë që nuk mbetet në asnjë dorë.

 

Share This Article
1 Comment
  • Me Gjin Floririn kam edhe une nje rast flagrant. Nuk u paraqita nje date gjyqi ne gjykaten e shkalles se pare dhe gjykatesi e pushoi ceshtjen . Megjithese une dergova raport mjekesor se isha semure, por duke qene se ishte e premte, raporti shkoi nepermjet Postes Rekomande ditene hene… e kerkova ne gjykaten e apelit ku u caktua Gjin Gjoni me dy te tjere qe te anullohej vendimi i gjykates se shkalles se pare, bazuar ne nenin perkates ku ishte shkruar e zeze mbi te bardhe ..Kur parqet raport, paditesi nuk pushohet por shtyhet ceshtja ,,, pa alternative tjeter. Por Gjin Kallai, u tall ne gjyq duke me thene nuk ekziston raporti dhe s’ka gje se e fillon nga e para dhe la ne fuqi vendimin e shkalles se pare . edhe rekursi ne Gjykaten e Larte nga nje femer membiemrin Qirjo… nuk u pranua… Kur nje rast kaq i thejejshte trajtohet me kaq padrejtesi , cfare pritet nga raste me te konklavitura?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *