NJË DET ME PROBLEME…

anazapta

 Intervistoi: Habjon Hasani

Auron Tare nuk donte ta jepte këtë intervistë. Në cilësinë e kreut të AKB-së, ai ka vetëm dy muaj që ka nisur nga puna dhe për këtë arsye e konsideron institucionin që drejton në një stad ende  të papjekur dhe tejet fillestar, fakt që sipas tij e privon nga e drejta për të folur me rezultate, me produkt. Ai është aktualisht në krye të një ekipi prej afro 30 vetësh në total, mosha mesatare e të cilëve shkon diku tek 30-35 vjeç, të gjithë mblidhen në një ambient krejt modest, zyra të sajuara me shpejtësi, në atë që dikur ka qenë Shtabi i Përgjithshëm dhe  ku numri i karrigeve në dispozicion ende nuk ka arritur atë të stafit. Por është interesante të kuptosh se çfarë ndodh në një strukturë të re të krijuar rishtas si AKB-ja, me pretendime dhe ambicie jo të vogël kur mendon se ata kanë për qëllim disiplinimin e bregdetit të telendisur shqiptar. Këtë ambicie duan ta realizojnë në kushtet kur gjendja e institucioneve shtetërore është e atillë, sa naftën dhe letrat për printim duhet t’i gjesh duke “bërë luftë” me zyrat e financës. “Gradualisht” është një fjalë që Tare e përmend shpesh gjatë intervistës,  ai me siguri që është i ndërgjegjshëm se mund t’i ketë hyrë detit në këmbë, por shprehet se taktika për të nisur me projekte pilot në 7 plazhe, do jetë një manual i mirë orientimi për mënyrën se si duhet të veprojnë në strategjinë afatgjate. Angazhimi i vetë pushuesve në denoncimin e ndërhyrjeve abuzive në plazhe duket se do të jetë pika e fortë nga e cila  AKB-ja pret të vjelë rezultate duke nisur nga sezoni veror që po afron. Nga ana tjetër, Tare ofron në këtë intervistë edhe të dhëna dhe detaje mbi mënyrën e informimit të pushuesve për t’i orientuar ata drejt plazheve me ujë të pastër por dhe fillesat e disa ‘zanateve’ të reja në Shqipëri, duke filluar nga rojet e certifikuar të plazheve e deri tek bibliotekat publike, ide të cilat  fillimisht do të aplikohen në 7 plazhet pilot që AKB-ja do nisë t’i vërë në funksion këtë vit…

 

Zoti Tare ju keni rreth dy muaj që jeni në krye të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit(AKB). Përtej kornizës ligjore  të kësaj strukture, mund të na thoni me fjalë të thjeshta se çfarë pune bëni ju, me se merreni?

AKB është një agjenci e re që ka vetëm dy muaj që ekziston dhe që për momentin po  merret me gjithçka. Duke nisur që nga krijimi vetvetes, pra të funksionimit normal të një institucioni, tek  marrja  formë si strukturë, nga përzgjedhja e logos, nga gjërat më të thjeshta, e deri tek përzgjedhja e njerëzve të duhur të cilët, do të përballen me një nga sfidat më të mëdha që ka sot Shqipëria: Disiplinimi, mbrojtja dhe zhvillimi i qëndrueshëm i Bregdetit Shqiptar.

Cilat janë kapacitetet njerëzore dhe infrastrukturore që ju keni aktualisht në dispozicion?

Kapacitetet e infrastrukturës janë shumë modeste por shpresojmë që duke u rritur agjencia; edhe këto kapacitete do të mund të rriten së bashku me ne. Burimet njerëzore, janë një problem më vete pasi fusha e menaxhimit të bregdetit në tërësinë e saj me problematikat e mëdha është një fushë tejet e re deri më sot, pasi  nuk ka ekzistuar një institucion që merret specifikisht me problemet e bregdetit.

Këtu më duhet t’iu korrigjoj. Gjithnjë ka pasur institucione shtetërore, madje dhe programe për menaxhimin e bregdetit…

Cilat janë këto institucione që ju thoni?

Po Ministria e Turizimit e ka pasur tagër bregdetin gjatë gjithë kohës,  sikundër ka pasur dhe projekte të dedikuara për menaxhimin e bregdetit….

 Nëse këto institucione do të kishin mirë-funksionuar dhe nëse këto projekte do të kishin pasur rezultat në terren dhe jo në dosje me ngjyra të bukura situata në bregdet do të ishte ndryshe dhe nuk do të kishte asnjë arsye që të krijohej një institucion specifik si AKB-ja.

Dakord, por ekzistenca e një institucioni  dhe efiçenca e tij janë dy gjëra të ndryshme. Ju pse jeni i sigurt se kësaj here do ketë efiçencë?

Unë s’jam i sigurt nëse modeli ynë do të jetë e ardhmja e bregdetit shqiptar, por ama jam i sigurt që ne e kemi seriozisht sfidën për të ndryshuar realitetin e sotëm. Modeli që kemi pasur deri më sot është një model tërësisht i dështuar dhe i korruptuar.  Gjithashtu dua të theksoj se kemi ardhur në një udhëkryq për vendin. Ose do ta shpëtojmë dhe do ta bëjmë bregdetin vlerë të rëndësishme të ekonomisë kombëtare ose përfundimisht do ta humbim këtë pasuri të jashtëzakonshme, pa rikthim.

Ndoshta është shumë herët, për t’iu pyetur gjëra konkrete. Por a mund të dimë  çfarë synoni ju. Cili është qëllimi kryesor e AKB-së?

Qëllimi jonë kryesor është disiplinimi i bregdetit shqiptar. Përcaktimi i standardeve dhe kritereve pra rregullat e lojës.  Krijimi i modeleve funksionale, mbrojtja e zonave të rëndësishme, në fund shndërrimi i vijës bregdetare në një aset të rëndësishëm ekonomik për Shqipërinë.

Pak më përpara, ju u shprehët se ka ardhur momenti ta shpëtojmë bregdetin, për të mos e humbur përgjithmonë. Duket pakëz tragjike e thënë kështu. Do ishte me interes të dinim, çfarë konkretisht do bëni ndryshe ju? Për shembull, çfarë do ti shpëtoni Durrësit? Vlorës? Sarandës?

Durrësit Vlorës dhe Sarandës konkretisht, meqenëse këto më përmende, mund t’iu them se edhe pse të dëmtuara nga  zhvillime të paplanifikuar, nuk mund të jemi pesimist pasi ka vend rikuperimesh nga ato më të thjeshtat e deri ato më komplekset siç është për shembull ndërhyrja për të krijuar Lungomaren e Vlorës.

 Në dijeninë time iniciativa për Lungomaren e Vlorës nuk ka asnjë lidhje me AKB-në që ju drejtoni z.Tare…

Sigurisht që Lungomare nuk është produkti i AKB. Por e dhashë si shembull ilustrues për të shpjeguar natyrën e ndërhyrjeve komplekse. Që ta vazhdoj idenë, çfarë mund të bëjmë ne për këto tre qytete? Atë që ne si AKB mund t’i japim si vlerë të shtuar, është fokusimi i turizmit detar. Pra në hapjen e këtyre qyteteve për turizmin e anijeve turistike. Për shembull këtë sezon Durrësi do të preket mbi 20 herë nga anije ‘kruaziera’ amerikane dhe për këtë gjë kemi pakëz meritë edhe ne.  Aktualisht po punojmë për rikthimin e plazhit publik dhe vendosjen e standardeve dhe kritereve të menaxhimit të tyre si dhe për herë të parë po përpiqemi që të krijojmë modele të suksesshme të trajtimit të vijës bregdetare turistike. Për shembull, Mali i Zi ka 64 plazhe të standardit të lartë evropian “Blue Flag”. Shqipëria s’ka asnjë plazh të këtij standardi. Këtë sezon, ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet ku së bashku me biznesin privat dhe pushtetin lokal që administron hapësirat publike të synojmë drejt këtyre kritereve të cilat përmbajnë: cilësinë e ujit, rërës, sigurinë, parkimin, shërbimin cilësor dhe mbrojtjen e peizazhit. Për herë të parë do te japim  informacionin publik javor në shërbim ‘online’  për cilësinë e ujit dhe të rërës pasi mendojmë se si institucion në shërbim të publikut kemi detyrimin që të informojmë pushuesit mbi zonat me ujëra të ndotura.

Ndalemi pak tek çështja e plazheve publike. Ato menaxhohen nga pushteti vendor. Ky pushtet ka çeduar në pjesën dërrmuese të rasteve dhe privatët i kanë zaptuar hapësirat më të rëndësishme. Si do veproni ju për ta rregulluar këtë situatë, pasi kompetenca nuk kini, ato i ka pushteti lokal?

Unë mendoj që me vendosjen e standardeve dhe kritereve të mirëpërcaktuara, është hapi i parë në normalizimin e situatës. Ju më keni dalë në një temë mjaft interesante .Ne jemi institucion publik, garantojmë hapësirën publike, bashkëpunojmë me këdo privat që do respektojë hapësirën e përbashkët. Në vendimin e fundit të qeverisë, mbi plazhet, është përcaktuar qartësisht që AKB-ja do të bashkëpunojë dhe do të kontrollojë zbatimin e standardeve dhe kritereve të përcaktuara për shfrytëzimin e bregdetit.

Pra ju kini kontroll të plotë mbi pushtetin vendor sa i takon vijës së plazheve?

Pikërisht këtë garanton vendimi që ju përmenda më lart. Ne bashkëpunojmë, monitorojmë, kontrollojmë por bëjmë dhe letrat për në prokurori, për të gjithë ata që dëmtojnë vijën bregdetare e cila është hapësirë publike.

Supozojmë se një subjekt mban ‘shezlong’ në një hapësirë  të cilën nuk ka të drejtë ta shfrytëzojë, ju si veproni?

Ne zbatojmë vendimin e qeverisë. Që do të thotë, atij personi I hiqet e drejta të shfrytëzojë hapësirat publike, nëse nuk zbaton standardet e kërkuara. Për më tepër bëhet shembull për të tjerë, që të kuptohet njëherë e mirë që hapësirat publike, është pasuri e të gjithëve.

Parashikoni rritje të punësimit, falë këtyre detyrimeve që ka vendosur ligji së fundmi për operatorët privatë që do shfrytëzojnë vijën publike?

Me dy nismat e para pilote të AKB-së,që janë krijimi i rojeve bregdetare dhe guidave lokale, ne mendojmë se pas këtij sezoni, do të kemi mundësi të punësojmë pa frikë 2 deri në 3 mijë vetë pa asnjë kosto për administratën publike. këta njerëz do të jenë të mirë-trajnuar të mirë-paguar dhe do të jenë baza nga ku ne me shembuj konkretë do të nisim një ndryshim real në terren. Kemi përzgjedhur 7 plazhe pilot nga veriu në jug, ku që këtë vit do të kemi, kullat e vrojtimit, rojet bregdetare, informacion javor mbi cilësinë e ujit të rërës dhe shërbimit, mjekun e plazhit, ndoshta dhe diçka që duket pak jashtë realitetit tonë por  do të tentojmë të sjellim dhe bibliotekën e plazhit me shpresën që  njerëzit të mos rrinë gjithë ditën duke ngrënë misër dhe bostan por edhe të lexojnë sadopak.  Po kështu  shitësit ambulantë që I sheh shpesh gjatë sezonit, duke shitur akullore ose rrush në kushte skandaloze, do të mund te operojnë vetëm  duke qenë të autorizuar, të licencuar, për të garantuar kualitetin e prodhimeve që shesin me qëllim që njerëzit të mos helmohen nga prodhimet e skaduara. Nëse këto masa na japin rezultat në 7 plazhet pilot, atëherë gradualisht ato  do shtrihen përgjatë gjithë vijës bregdetare. Ne mendojmë se beteja për disiplinimin e vijës bregdetare do të jetë me shembuj konkretë , sa më afër njerëzve, dhe duke disiplinuar ne radhë të parë rërën dhe  nga rëra do kalojmë tek pjesa e tokës, pyllit, e kështu me radhë. Pra jemi për një disiplinim gradual, ku njerëzit do të shikojnë realisht ndryshimin në komunitetin e tyre. Para këtij sezoni, sipas vendimit të qartë të qeverisë, do të hiqen të gjithë gardhet në vijën bregdetare. Ju e kini vënë re se vija e shumë plazheve është parcelizuar nga këto gardhe. Ato nuk do të ekzistojnë më, ne do të nisim shumë shpejt aksionin në bashkëpunim me INUK-un për të hequr një herë e mirë gardhet e vijës bregdetare.

Zoti Tare, në mos gaboj, numri total i stafit që ju kini në vartësi është diku tek 30 vetë. Me kaq njerëz do monitoroni një vijë të tërë bregdetare ju?

Pyetja është e drejtë dhe reale. Vija bregdetare nuk monitorohet as me 30 vetë e as me 300. Vija bregdetare i përket të gjithëve. Me këtë ide, ne duam të përfshijmë publikun në të gjitha nismat që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe mbrojtjen. Për këtë arsye shumë shpejt do të shikoni disa hapa konkretë në sjelljen e teknologjisë shumë të lartë të monitorimit të vijës bregdetare, ku në kohë reale, ne do të dimë gjithçka ndodh, që nga ndërtimet pa leje, prerja e pemëve, apo zjarret. Nga ana tjetër, me ndihmën e një grupi studentësh të talentuar, do të hedhim shumë shpejt një aplikim, në telefon celular, ku të gjithë pushuesit, do të informohen mbi atë që ndodh në vijën bregdetare, duke nisur që nga cilësia e ujit, rërës, plazheve më të mira, aktiviteteve kulturore etj, por nga ana tjetër në kohë reale,ata mund të na informojnë për çdo problem që ndodh në plazhin ku ata ndodhen nëpërmjet këtij aplikimi APP, dhe ne në kohë reale , nëpërmjet zyrave tona rajonale, do ti përgjigjemi shqetësimeve të tyre. Në këtë mënyrë, njerëzit do të kuptojnë se janë ata në radhë të parë pronarët e hapësirës publike në bregdet dhe së bashku me institucionet si AKB-ja, kanë përgjegjësinë për ta ruajtur, mbrojtur këtë hapësirë publike.

A ka një problem në faktin se është AKB ajo që do disiplinojë plazhet por taksat pra lekët e këtij aktiviteti do i arkëtojë  pushteti vendor? Për shembull, Mali I Zi e ka të përqendruar në një dorë këtë gjë dhe funksionon. Këtu është ndryshe, a mund të sjellë problem pra shpërndarja në disa duar?

Modeli që ne kemi sot, ka rezultuar një model i dështuar. Ne i premtuam shqiptarëve një model të ri. Dhe do ta bëjmë. Në bashkëpunim dhe me pushtetin lokal, ne do te japim shumë shpejt, një model të ri, i frymëzuar nga modelet më të mira në botë dhe i përshtatur për terrenin shqiptar. Gradualisht, me projekte konkrete të cilat bindin komunitetet për vlerën e tyre ne do bëjmë që ky model te  funksionojë.

Pyetja ime konsiston në faktin nëse AKB-ja do punonte më mirë  në variantin kur fondet do i menaxhonte vetë dhe nëse këto fonde nuk do ishin të shpërndara nëpër bashki e komuna?

Më lart unë thashë që modeli që kemi është i dështuar. Ne do të sjellim një model të ri.

Parashikoni në të ardhmen shtim të kompetencave për AKB-në?

 Çdo gjë fitohet me shembuj konkretë suksesi. Nëse ne jemi të aftë për të zgjidhur probleme në dobi të komunitetit, mendoj se do kemi të drejtë t’i kërkojmë këto kompetenca.

 

Foto trajnimiDje rreth 120 studentë të Akademisë së Sporteve nisën testimet për të përzgjedhur 35 vetë për të filluar trajnimin dhe certifikimin e LIFEGUARD(Roje Plazhi). Do të jenë në fund 35 fitues vajza e djem të cilët do firmosin përpara nisjes gatishmërinë për të punuar si LIFEGUARD në projektin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për plazhe të sigurta i cili do të zbatohet këtë vit në 7 plazhe-pilot. Studentët fitues do të trajnohen më pas në Malin e Zi, për tu certifikuar si të tillë dhe nga Shoqata Ndërkombëtare e LIFEGUARD. Shqipëria ende nuk ka një filial të patentuar të kësaj shoqate.

 

Modelet per kullat e rojeve te plazhitPrej disa javësh studentë të degëve të inxhinierisë dhe arkitekturës, në universitetin publik dhe private të Shqipërisë dhe Kosovës janë ftuar për të propozuar modelet e tyre për kullat e rojes në 7 plazhet pilot që do të nisin sivjet funksionimin nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit. Modelet e propozuara nga disa universitete pritet që të filtrohen nga një juri kompetente për të vendosur më pas dhe maketet fituese të cilat do të zbatohen dhe do të ndërtohen si kulla roje në 7 plazhet pilot.

 

Share This Article
5 Comments
  • Ne fillim – e per te hequr cdo keqkuptim- duhet me thene qe nuk jam tifoz (e as kunder Rames, as Lulit, as atij tjetrit) i politikaneve te asnje krahu; perndryshe merret personalisht e fillojme maskrat militanteske. Cdo ”vezhgues, shqyrtues, shikues” te hidhet ne fyt pa te lexuar, e krej larg temes (parafraze ne “every tom/dick/n/harry” ) duke prishur debatin.

    Tani…

    Nese eshte si ”strukture kordinatore” dhe ”risi” na duhet me shume info per detyrat e detyrimet e saj. Te krijosh nje institucion te ri, me nje Ligj Parlamenti nuk eshte gje e vogel, as e thjeshte.

    Sa do jete personeli i saj, buxheti, hapesira etj?
    Cfare fuqie ekzekutive do kete?
    Eshte ne rol evidentues, mbikqyres, mbeshtetes a thjeshte kordinator; apo ka fuqi me te medha? Cilat do jene ato?

    A do bjere kjo strukture e re ne konflikt me strukturat qe kemi deri tani?

    * Kufirin (policia/ushtria) *Doganat. *Organizmat qe mbrojne territorin/kafshet (wildlife/ etj) * Pushtetin Lokal.

    Praktika shpesh ka treguar qe strukturat ”kordinatore” ose si degjon njeri e shikohen si bezdisese (nga ato qe pergjigjen direkt) ose krijojne mbi-burokraci e kanale te pa-nevojshme, duke shtuar kerkesat ne buxhetin e lodhur te shtetit.

    Xhelozite ndemjet-agjensive-shteterore jane te mire-dokumentuara ne cdo vend, ne rastin me te mire produktiviteti i tyre eshte neglizhent. Nese eshte menduar ne forme te nje ”Trusti Kombetar” sa % te bregdetit do mbuloje kjo stukture e re?

    Taksa-paguesi Shqiptar ka te drejten te pyese cfare behet me parate e tij.

  • Kur degjoj per kete djale te te madhit Isa Tare me behet qejfi dhe e pershendes perzemersishte ,i uroj suksese ne pasjonin e tije dhe ne detyren e marre.
    Si politikan nuk kam se çfar te them.
    Qejfi ma ka shume, bile duke imituare ato gjylet e medha qe hidhte Isai dhe ne benim tifozllek,tani merre ti Auron ate gjyle dhe leshoja ne çati çdo ndertese qe eshte bere pa leje dhe qe ka prishur vijen bregdetare te shqiperise.
    Populli e do dhe e prete rregullimin e bregdetit, ashtu siç deshiron edhe ti si nje pasjonant i veçante.

    • Skepticizmi qe percjell titulli per mua eshte i perligjur.
      Nuk di cfare ka thene Auroni ne interviste por eshte e qarte qe problemet e bregdetit jane aq te koklavitura ne fushen e interesave sa nuk besoj se pa nje vullnet te perbashket pozite-opozite mund te zgjidhet gje.
      Fatkeqesia e madhe e Shqiperise, Berisha nuk do bjere kurre dakord per te ecur se bashku perpara.
      Sapo te goditen kundravajtesit ligjore, ai do ti marre ne mbrojtje, sic i ka marre deri tani. E vetmja gje qe i intereson eshte ai pushteti i tij i qelbur klanor.
      Si ne qeveri, si ne opozite, e njejta penegese do vazhdoje.
      Nuk di sa mund tja dale Auroni ne kushte te tilla, megjithate suksese

  • Nje vrime ne uje do bej Tarja!! shto institucione kot me kot! duhen forcuar ato qe jane ekzistente dhe jo shpikje rastesore ….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *