“Gjatë 2010-2012 lejet e ndërtimit kalonin direkt në KRT”

anazapta

Ish-drejtori i Planifikimit Urban në Bashkinë e Vlorës dëshmon se në disa raste kërkesat për lejet e ndërtimit nuk kalonin për këshillim nga zyra e tij por direkt në mbledhjet e KRT-së apo të Këshillit Bashkiak. Kjo ishte një tjetër goditje për kryebashkiakun Shpëtim Gjika, që edhe dje mungoi në seancën e tretë radhazi në proces, ndërsa akuzohet për falsifikim dhe dhënien e lejeve të ndërtimit në mënyrë të paligjshme. Më parë ekspertja deklaroi se kishte shkelur ligjin e KKRTSH-së të vitit 2002 dhe se ishte lejuar ndërtimi i pallateve me kate shtesë mbi projektin dhe lejen e ndërtimit, kurse Prokuroria depozitoi si prova shtesë edhe dokumentet e regjistrimit të 3 firmave të ndërtimit në QKR rreth një vit pasi kishin marrë lejen nga Bashkia e Vlorës.

Gjykata e Tiranës, në procesin gjyqësor ndaj kryetarit të Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika, e vazhdoi me pyetjen e dëshmitarëve të organit të akuzës. Në sallën e gjyqit dha versionin e tij inxhinieri Dorjan Hurdha, ish-drejtori i Planifikimit Urban në Bashkinë e Vlorës. Ndër të tjera Hurdha tha se “kërkesat për lejet apo sheshe ndërtimi në Bashkinë e Vlorës gjatë periudhës 2010- 2012 janë shqyrtuar direkt në Këshillin e Rregullimit të Territorit, pa kaluar më parë për shqyrtim teknik”. Kjo metodë, sipas inxhinierit Hurdha, ka ndodhur disa herë, pasi Këshilli Teknik jep vetëm vlerësim konsultativ dhe nuk mund të marrë vendime. Ai u shpreh se “ka pasur raste që kërkesat për leje dhe sheshe ndërtimi bëheshin direkt në mbledhje nga kryetari apo anëtarët e Këshillit Bashkiak”.

Më pas, seanca u shty për mosparaqitjen e dëshmitarëve të tjerë të akuzës, duke u caktuar data 28 prill për t’u pyetur dëshmitarët Theolloraq Pashaj, Ilir Troci dhe Eduart Meminaj. Mësohet se procesi ka mbi 40 dëshmitarë që do pyeten nga të dyja palët. Avokatët e kryebashkiakut dhe 4 të pandehurve të tjerë, pasi 3 prej tyre përfituan amnisti javën e parë, kanë deklaruar se akuzat janë të montuara deri politikisht dhe nuk qëndrojnë, kurse prokuroria ka shkelur afatet ligjore.

Kryebashkiaku Shpëtim Gjika, specialistja e Urbanistikës, Eleni Dardha, 3 pronarë të firmave të ndërtimit, janë në proces gjyqësor për shpërdorim detyre dhe falsifikim për shkak të lëshimit të lejeve në mënyrë të parregullt në zona ku ndalohet ndërtimi. Hetimet nisën në fillim të vitit 2013 dhe u konkretizuan në muajin tetor. Dosja kishte kryebashkiakun dhe 7 të pandehur të tjerë, por 3 pronarët e truallit fituan amnistinë për akuzën “ndërtim i paligjshëm” dhe u liruan nga akuza.

 Javën e kaluar u amnistuan 3 pronarët e truallit ku ndërtoheshin pallatet

Tre nga shtatë të pandehurit e “Çështjes Gjika” përfituan javën e kaluar nga amnistia. Mësohet se në përputhje me ligjin për amnistinë bie akuza për të pandehurit Aleks Ahmataj, Mustafa Tartari dhe Artan Ferati, pronarë të trojeve ku u lëshuan lejet e ndërtimit. Të pandehurit e dosjes ku përfshihet edhe kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, akuzohen nga Prokuroria për “falsifikim të dokumenteve” dhe “ndërtim të paligjshëm”. Këto vepra penale dyshohet të jenë konsumuar prej tyre gjatë procedurave për dhënien e lejeve të ndërtimit të dy pallateve shumëkatëshe në Vlorë. Përveç Shpëtim Gjikës, prokuroria akuzon edhe shtetasen Eleni Dardhaj, e dyshuar si bashkëpunëtore e kryebashkiakut në falsifikimin e procesverbaleve të KKRT-së. Të pandehurit e tjerë Gëzim Feta, Gentian Sherifaj dhe Blerdi Licaj, pronarë të firmave të ndërtimit, që u amnistuan për akuzën “ndërtim i paligjshëm”, por jo për atë të “falsifikimit”.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *