Dy skuadra të ngjashme, Simeone nuk pret gola

anazapta

Atletiko Madrid dhe Diego Simeone bënë që Zhoze Murinjo të largohej pa trofe nga Reali vitin e kaluar, teksa e mundën në finalen e Kupës së Mbretit. Portugezi do të ketë rast për revansh sot dhe të mërkurën e ardhshme, teksa të dyja skuadrat do të ndeshen në gjysmëfinalet e Champions League. Trajneri i Atletikos, Simeone, e ka të qartë se çfarë mund të ofrojnë të dyja skuadrat në “Vicente Calderon” sot në mbrëmje. “Pres një ndeshje me rezultat të ngushtë, që do të vendoset nga detajet dhe cilësitë teknike të futbollistëve. Me forcën e grupit është më e thjeshtë sesa në bazë të kualiteteve individuale të përgatitësh këtë ndeshje. Atletiko dhe Chelsea nuk janë dy skuadra të njëjta, por kanë të përbashkët forcën në mbrojtje dhe daljet në sulm, si dhe goditjet standard”, tha argjentinasi. Atletiko është një formacion pa përvojë në nivele të tilla, ndryshe nga Chelsea që në vitet e fundit ka kërkuar maksimumin në këtë kompeticion, duke triumfuar në 2012. “Në këtë moment po përgatitemi dhe kjo është ajo që duhet. Do të flas me futbollistët dhe do t’u mësoj se si të shprehen më së miri në fushë. Kjo është gjysmëfinale dhe do të jetë një duel i fortë. Gjithçka varet nga puna në grup”. Në qendër të vëmendjes së kësaj sfide do të jetë portieri i Atletikos, Tibo Kurtua, një nga më të mirët për spanjollët këtë sezon, kartoni i të cilit është në pronësi të Chelsea-t. Simeone siguron që ky fakt nuk ndikon te belgu që po përgatitet si e gjithë skuadra. “Kurtua është në gjendje të mirë psikologjike, ashtu si e tërë skuadra. Ai do të luajë, për sa kohë që askush nuk më ka thënë të kundërtën”, tha Simeone, duke iu referuar kontratës së huazimit që nuk e lejon portierin të luajë kundër bluve, por që nuk njihet nga UEFA.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *