Email në adresën
Nga një anë, legjislacioni shqiptar për mjedisin nuk është ende i detyruar t’u konformohet standardeve të BE-së; nga ana tjetër, publikut shqiptar nuk i bëhet vonë që po e helmojnë nga mëngjesi në darkë, madje edhe gjatë kohës kur fle; Edhe vetë politikanët, sa herë që marrin frymë, para se të vazhdojnë tiradat e tyre kundër njëri-tjetrit – se Sala ia përplasi, dhe Edi ia ktheu, dhe Liri është dhelpër, dhe Jari s’e ka thënë fjalën e fundit – i mbushin ato jo vetëm me oksigjen, azot dhe gaz karbonik, por edhe me gjithfarë nënproduktesh të djegies së naftës, pluhura inertesh dhe pisllëqe të tjera.
Ato pak OJQ që merren seriozisht me këto çështje të japin statistika të frikshme – për pyjet e shkatërruara, shtretërit e gërryer të lumenjve, detin që ka fituar terren ndaj plazheve, ekosistemet e rrënuara për shkak të projekteve industriale (nafta, etj.). Megjithatë, shqetësimi publik mungon.
Herët e fundit, marrëdhëniet e bashkatdhetarëve të mi me mjedisin më kanë çuar në mend atë bretkosën, që ngrohet së bashku me ujin, në tenxhere, deri sa arrin pikën e vlimit; dhe nuk e kupton se është duke ngordhur, meqë temperatura është rritur në mënyrë graduale.
Jam i sigurt se, edhe bretkosa, gjatë kohës që po ngrihej temperatura, do të ketë qenë duke menduar: ja, po u bë edhe pak më keq, sa të mos duroj dot, do të kërcej jashtë tenxheres, por për momentin sikur nuk ia vlen… punë leverdie, asgjë më tepër.
