Lidhja e dashurisë, jo vetëm që përfundon me ndarje mes çiftit, por degjeneron në hakmarrje barbare, ku dhëndri vret natën në gjumë me thikë vjehrrin dhe i plagos gruan (vjehrrën). Nga plagët e shumta në trup humbi jetën 48-vjeçari Agim Seraseli, me origjinë nga Gramshi dhe banues në lagjen “24 Maji” të Vlorës, kurse Dile Seraseli, 44 vjeçe, u plagos rëndë dhe ndodhet në spitalin rajonal ku mbahet nën kujdes mjekësor. Autori u zbulua teksa arratisej nga një prej vajzave të çiftit, motra e ish të fejuarës të të dyshuarit, e cila i tregoi policisë. Brenda pak orësh, uniformat blu lokalizuan dhe arrestuan Mario Bejdollarin, 23 vjeç, edhe ky me origjinë nga Gramshi dhe banues në të njëjtën lagje me viktimat. Madje mësohet se dy familjet ishin edhe të njohur të vjetër dhe njëkohësisht fqinjë. Por pas ndarjes së çiftit të ri marrëdhëniet ishin tensionuar së tepërmi, në konflikte për borxhe të vjetra dhe çështje pronësie.
Vrasja
Krimi ka ndodhur pas mesnate, duke zbardhur mëngjesi i djeshëm, te “Ish-Ushqimorja”. I dyshuari Mario Bejdollari, që mohoi akuzën gjatë marrjes në pyetje, ka pritur derisa fqinjët të flinin. Kur dritat janë fikur, ka shkuar te banesa e familjes Seraseli dhe ka hyrë brenda nëpërmjet dritares së banjës në fshehtësi. Prej aty ka kaluar në dhomën e gjumit të çiftit të bashkëshortëve. Të parin ka goditur me thikë për vdekje Agim Seraselin, duke i shkaktuar vdekjen në vend dhe pa i dhënë mundësi reagimi, teksa i ka prerë fytin. Kurse bashkëshortja Dile Seraseli është përpjekur të mbrojë 48-vjeçarin pasi është zgjuar e terrorizuar nga skena, por edhe ajo mori goditje me thikë nga agresori në kurriz dhe qafë. Zhurma e shkaktuar ka zgjuar edhe dy vajzat e çiftit, njëra prej të cilave ish e fejuara e Mario Bejdollarit. Kur 23-vjeçari është arratisur përsëri nëpërmjet banjos, është pikasur nga 17-vjeçarja që i tregoi policisë. Pas njoftimit të komisariatit, nisën hetimet dhe e plagosura 44-vjeçare u përcoll për në spital. Ekspertët morën gjurmë gishtash në banesë, për të cilat thuhet se korrespondojnë me ato të 23-vjeçarit, ndërsa kanë edhe dëshmitë e familjarëve.
Pistat
Sipas policisë së Vlorës, shkak për konfliktin që solli krimin, mund të jetë fakti që 23-vjeçari kishte një lidhje dashurie me vajzën 19-vjeçare të çiftit Seraseli. Çifti është ndarë rreth një vit më parë dhe mes familjeve që dikur kanë pasur miqësi, pasi janë me origjinë nga Gramshi, kanë nisur konfliktet dhe sherret e vazhdueshme. Tjetër pistë për arsyet e konfliktit, është edhe një borxh që autori i kishte viktimës. Mësohet se e plagosura i ka kërkuar një borxh të vjetër familjes Bejdollari disa ditë më parë dhe në shenjë hakmarrje 23-vjeçari ka kryer krimin e rëndë. Gjithashtu një tjetër pistë janë konfliktet e pronësisë në lidhje me truallin ku ndodhen banesat. Policia ka marrë në pyetje të dy familjet për pretendimet që kanë. Kurse Bejdollari u arrestua në orët e mëngjesit për veprën penale “vrasje me paramendim në rrethana cilësuese”.
