U plagos në atentat më 4 mars, vdes pas komas pronari i servisit

anazapta

Ndërron jetë në spital pas rreth dy muajsh në gjendje koma 37-vjeçari Renato Gjoka, pronari i një servisi në qytetin e Shkodrës. Krimi mbetet mister për autorët, pasi policia nuk ka ende një të arrestuar apo të dyshuar. Mjekët thanë se i riu kishte kaluar në gjendje koma menjëherë pas goditjeve me predha pistolete nga pas shpine dhe kishte një plagë në kokë. Gjoka ndërroi jetë mëngjesin e djeshëm. Së bashku me babanë e tij, 37-vjeçari kishte në pronësi një ofiçinë për riparim makinash. Ai u qëllua mbrëmjen e 4 marsit teksa po kthehej në banesë, pranë hyrjes së pallatit ku jetonte, në sheshpushim. I riu ka përfunduar punën në mbrëmje dhe kthehej i vetëm në lagjen “Salo Halili”, kur një person i paidentifikuar e ka qëlluar nga pas shpine dhe është arratisur pa lënë gjurmë. Madje sipas hetimeve të kryera, Gjoka ka rënë në krahët e nënës së tij teksa ajo sapo kishte hapur derën kur i biri u plagos rëndë. Sipas policisë, autorët e kanë pasur nën ruajtje 37-vjeçarin dhe atentati ka qenë i paramenduar mirë. Madje kanë shfrytëzuar errësirën për të mos u diktuar nga banorët apo familjarët. Ekspertët thanë se pistoleta ka qenë e kalibrit të vogël dhe ndoshta me silenciator, pasi nuk është dëgjuar zhurmë e madhe në qitje. Madje distanca e qitjes ka qenë shumë afër, aq sa në rrobat e Gjokës u gjetën shenja baruti. Pista e parë e hetimit është ajo e ndonjë konflikti pronësie për shkak të servisit apo konkurrencë pasi zotëronin edhe një karrotrec me qira, kurse pista e tretë është konflikti i çastit.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *