Përpara sfidës Milan-Roma, Klarens Seedorf ka dhënë një intervistë për mediat lidhur me gjendjen e skuadrës. Në fjalën e tij, tekniku theksoi se rezultatet pozitive që ka regjistruar skuadra kanë ardhur si pasojë e punës në grup. Sipas holandezit, kundërshtari i radhës, Roma, ka diçka më shumë se ekipi i tij. Gjithashtu, ish-mesfushori tha se disa lojtarë që kanë qenë të dëmtuar po ndihen më mirë dhe janë gati për të luajtur. Gjithsesi, përjashtim bën vetëm Stefan El Sharavi. Faraoni duhet të presë edhe pak që të jetë në formën e tij më të mirë. Më poshtë keni mundësi të ndiqni deklaratën e plotë të Seedorf.
Gjendja e skuadrës
“Ekipi është në formë të mirë. Lojtarët janë stërvitur dhe po përgatiten për të luajtur një takim mjaft të vështirë. Jemi përmirësuar shumë në krahasim me fillimin e sezonit. Kjo gjë është evidente. Megjithatë, e mira nuk ka të sosur. Ne nuk do të ndalemi këtu. Do ta zhvillojmë edhe më shumë lojën tonë në mënyrë që të jemi sërish një ndër klubet më të mira të Europës. Më pëlqen fakti që nuk kemi një ekip që varet nga individualistët. Të gjithë lojtarët bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.
Sfida kundër Romës
“Kemi përpara sfidën më të rëndësishme të sezonit. Duhet të japim më të mirën nëse duam të sjellim tre pikë në shtëpi. Luajmë ndaj një kundërshtari të hekurt. Roma është një skuadër e frikshme. Ata janë shumë të rrezikshëm kur mbajnë topin. Gjithashtu, mbrojtja e tyre është mjaft solide. Në shumicën e rasteve ata janë të padepërtueshëm. Në kampionatin italian ata kanë pësuar më pak gola se të gjithë. Kjo gjë e shpreh qartë forcën e defensivës së tyre. Rudi Garsia ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Besoj se kreditit i përkasin të gjitha atij. Diferenca midis Romës dhe Milanit është mjaft e madhe. Për ta kuptuar hapësirën midis këtyre dy skuadrave mjafton që të hedhësh sytë nga tabela e klasifikimit. Do të mundohemi shumë për të marrë një rezultat pozitiv edhe pse nuk do të jetë aspak e lehtë. Shpresoj t’ia dalim, kam besim tek lojtarët e mi”.
Rikardo Kaka
“Pas gjithë kësaj kohe, unë e njoh atë shumë mirë. E kam ndjekur nga afër evolucionin e tij fizik. Besoj se ai ka gjetur balancën që i mungonte. Tek Reali i Madridit forma e tij linte shumë për të dëshiruar, por tani ajo periudhë ka kaluar. Kaka është rikthyer në linjat e duhura. Ai po vrapon sërish”.
Adel Tarabt
“Jam shumë i kënaqur prej tij. Tarabt po luan mjaft mirë. Ai po tregon shumë personalitet në fushën e lojës dhe po fillon ta kuptojë që gjërat nuk bëhen gjithmonë në mënyrë individuale. Në të shkuarën, atij i është dashur që të luajë ‘vetë’, por tani ka shumë lojtarë me të cilët mund të kombinojë. Më pëlqen se si ka arritur t’i alternojë aftësitë e tij individuale me punën në grup. Shpresoj që kjo formë e tij të vazhdojë të shfaqet edhe në takimet e radhës. Kam shumë besim tek Adel”.
Stefan El Sharaui
“Është bërë pothuajse shtatë muaj që ai po qëndron jashtë skuadrës. Forma e tij fizike nuk është në nivelin e tij më të mirë. Kjo gjë më shqetëson pasi nuk mund të rrezikoj me të. Ai duhet të luajë 70 minuta me skuadrën e të rinjve para se ta grumbulloj në ekipin e parë. Stefan është një lojtar mjaft i rëndësishëm për ne, ndaj dua që ai të rikthehet gjatë takimeve të mbetura.
Matia De Shiljo
“Ai është rikthyer pas një periudhe tre-javore. Dëmtimi i tij ka qenë i lehtë, por nuk mund ta aktivizoj. E kam parë shumë pak në stërvitje. Për mua ai është një lojtar i rëndësishëm dhe dua ta kem në dispozicion sa më shpejt të jetë e mundur. Shpresoj që Matia të gjejë formën e tij më të mirë fizike”.
