Kryeministri ukrainas Arseny Yatseniuk akuzoi sot Rusinë se synon të fillojë një Luftë të Tretë Botërore duke pushtuar Ukrainën “ushtarakisht dhe politikisht”.
Yatseniuk i bëri komentet në një mbledhje të kabinetit.
“Agresioni ushtarak i Rusisë në territorin e Ukrainës do të çojë në një konflikt ushtarak në Evropë. Bota nuk e ka harruar ende Luftën e Dytë Botërore, por Rusia dëshiron të fillojë tani Luftën e Tretë Botërore,” tha Yatseniuk.
Ai akuzoi Moskën se po vepron si një “gangster” duke mbështetur “terroristët”. Këto janë komentet më të ashpra të bëra deri tani nga zoti Yatseniuk në luftën e fjalëve me Rusinë, ndërkohë që dy vendet kanë dislokuar trupa në afërsi të kufirit të tyre të përbashkët. Kryeministri i Ukrainës tha se planet e Rusisë nuk do të kenë sukses.
Po ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi Kievin se do të përballet me drejtësinë për atë që ai e quajti një “krim të përgjakshëm” në Ukrainën lindore, ku forcat ukrainase vranë një ditë më parë deri në pesë rebelë pro-rusë.
Ai akuzoi gjithashtu Uashingtonin për shtrembërimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare për Ukrainën duke i bërë Moskës kërkesa shtesë. Ndërkohë, Presidenti Barak Obama kritikoi “ndërhyrjen e mëtejshme” të Rusisë, siç e quajti ai, në Ukrainën lindore, ku separatistët e armatosur prorusë kanë pushtuar ndërtesat qeveritare.
