I dyshuari Mario Bejdollari ka shfrehur mirë inatin e tij mbi prindërit e ish të dashurës, duke vrarë Agim Seraselin dhe plagosur rëndë Dile Seraselin në gjumë. Por e mbijetuara rrëfen për herë të parë nga shtrati i spitalit ato momente të tmerrshme dhe shprehet e sigurt se kur u zgjua pa fytyrën e 23-vjeçarit që i ka thënë, “Na edhe ti!”, teksa e ka goditur me thikë në fyt dhe gjoks, duke u arratisur më pas. Më tej nuk ka mbajtur mend asgjë, kurse më vonë kuptoi se bashkëshorti i saj nuk jetonte më. Dile Seraseli thotë se e njihte shumë mirë të dyshuarin dhe familjen e tij dhe nuk kishin pasur probleme serioze. Madje ajo thotë se nuk e di shkakun pse Mario i ka sulmuar dhe nuk flet për lidhjen e vajzës me 23-vjeçarin dhe ndarjen e tyre. Por vetë 19-vjeçarja i ka thënë policisë se Mario ka vepruar jo vetëm për shkak të ndarjes së tyre, por edhe për borxhin prej 170 mijë lekësh që ajo i kishte dhënë kur ishin të lidhur së bashku dhe tani duhet që t’ia kthente. Policia dyshon se shkak për krimin e rëndë janë bërë dy fakte, ndarja mes të rinjve që ka akumuluar inat tek 23-vjeçari dhe borxhi i vjetër.
Rrëfimi i Diles
“Unë isha në gjumë në ato momente, nuk ndjeva zhurmë. Por të bërtiturat e burrit më zgjuan dhe kur hapa sytë, e pashë në fytyrë që ishte Mario Bejdollari. Më tej vajzat njoftuan xhaxhanë e tyre pas ngjarjes”, rrëfen Dile Seraseli për ngjarjen. Ajo mohon të ketë pasur debate më përpara me Bejdollarin, por pranon se kishte njohje me të dhe familjen e tij, pasi të dyja janë me origjinë nga Gramshi dhe banojnë në lagjen “24 Maji” në Vlorë dhe janë fqinjë. “Mbaj mend që jam zgjuar nga të bërtiturat e burrit dhe kur u zgjova vetë, mbaj mend që më drejtoi thikën në fyt. “Na edhe ti!, më tha”. Thikën e mbaj mend dhe fytyrën e atij djalit. Për këtë jam shumë e bindur se e mbaj mend shumë mirë”, u shpreh 43-vjeçarja. E pyetur nëse kishte konflikte për borxhe, ajo mohon. “Nuk kemi pasur probleme borxhesh apo pronësie”, përfundon Seraseli. Për krimin policia arrestoi 23-vjeçarin Mario Bejdollari si të dyshuar, por ky i fundit ka folur shumë pak për motivet dhe rrethanat e ngjarjes, duke mohuar akuzën.
Rrëfimi i vajzës
Vajza e çiftit Seraseli, studentja M. Seraseli, 19 vjeçe, i ka thënë policisë se ka qenë e fejuar me të dyshuarin Mario Bejdollari, tashmë i arrestuar dhe më pas janë ndarë. Madje ajo ka dëshmuar se janë grindur për shkak të një borxhi prej 170 mijë lekësh që ia kishte dhënë kohë më parë 23-vjeçarit dhe ky nuk ia kthente më pas ndarjes. Vajza ka pohuar se Mario e ka kërcënuar disa herë se do i vriste prindërit po t’i tregonte se lekët nuk ishin kthyer, por nuk e ka marrë seriozisht. Lekët ia ka dhënë fshehurazi prindërve kur ishin të fejuar. Vajza që vazhdon Infermierinë, pohon se nuk e mendonte se ish i fejuari do arrinte deri në ekstrem.
