Fushata për zgjedhjet evropiane po risjell sërish në vëmendje të opinionit publik britanik, politikat ksenofobe dhe anti-BE. UKIP partia anti-imigracion dhe anti-BE, që po rivalizon fuqishëm në sondazhe konservatorët e Kamerun, duke përparuar drejt kryesimit, ka ringjallur sërish polemika nëpërmjet shpalosjes së propagandës partiake. Në fokus të propagandimit janë venë kryesisht imigracioni dhe BE. Publikimi i një sërë posterash partiakë janë vlerësuar se po ngjallin urrejtje dhe racizëm, duke u bazuar në informacione të pasakta dhe emocionale me synim provokimin e ndjesisë së frikës në opinionin publik.
Vëmendja është tërhequr edhe nga Komisioni Europian, ku i bëhet thirrje kreut të UKIP, Nigel Farage të bazohet në fakte dhe jo të mbështesë fushatën e tij në informacione të pavërteta dhe emocionale. Edhe vëzhgimi monitorues i FactCheckEU, ka evidentuar një sërë deklaratash të pavërteta dhe dezinformuese të kreut të UKIP, Nigel Garage.
Farage është pozicionuar në mbrojtje të propagandës partiake, duke deklaruar se këto afishe janë thjesht një reflektim i realitetit, i cili jetohet nga miliona britanikë, që e fitojnë jetesën me vështirësi jashtë flluskës së Westminster-it.
Në fakt, UKIP është një parti që u themelua me të vetmin qëllim, të nxjerrë Britaninë nga BE, dhe nuk është e çuditshme, ndjekja nga ana e saj, e linjës së ashpër euroskeptike, kundrejt integrimit evropian dhe monedhës së përbashkët. Ndërsa retorika partiake karakterizohet edhe nga retorika ksenofobe, UKIP është i kujdesshëm të mos armiqësoj elektoratin e tij duke e përkufizuar vetveten si partia e vetme demokratike, e moderuar që kërkon tërheqjen e Britanisë nga BE, një çështje që ka ndjeshmëri të gjerë tek votuesit britanikë.
Argumentet kryesorë të UKIP kundër anëtarësimit në BE janë humbja e sovranitetit kombëtar, ligjor dhe politik në Bruksel. Sipas UKIP, BE kontrollon Biznesin dhe Punësimin, Shërbimet Financiare, Energjinë dhe Tregtinë dhe kërkon tashmë të kontrollojë Ligjin dhe Rendin në Britani, Punët e Jashtme dhe Taksat. UKIP thekson se, tregu britanik është tregu më i madh i eksporteve për BE-në dhe se, BE varet nga Britania për punësim dhe jo e kundërta.
Sipas UKIP, BE është ajo që kontrollon imigracionin duke bërë që valë të mëdha imigrantësh të vijnë vazhdimisht në Britani, njësoj si dyndja e fundit e rumunëve dhe bullgarëve. UKIP nëpërmjet platformës së saj politike, i bën thirrje britanikëve të rimarrin kontrollin e kufijve dhe të imigracionit, që BE u ka imponuar, duke e braktisur atë. Në programin e saj online, UKIP vlerëson se, kosto financiare e përballimit të imigrantëve është e lartë, duke propozuar që si imigrantët dhe familjet e tyre të paguajnë vetë për 5 vitet e para sigurimet shëndetësore, edukimin privat dhe strehimin privat. UKIP propozon gjithashtu një sistem vizash për imigrantët të bazuar në pikë dhe leje pune me kohë të kufizuar. Prova për sigurime shëndetësore private, duhet të jetë gjithashtu një parakusht për imigrantët dhe turistët për të hyrë në Britani.
Manifesti 2014 i UKIP hapet në të njëjtën logjikë, me kërcënimin që imigracioni po shkakton ndaj shërbimeve publike, duke vlerësuar se mbi 600 mijë imigrantë të papunë, po jetojnë aktualisht në Britani, se kriminaliteti ka pësuar rritje për shkak të krimeve, që imigrantët kryejnë dhe se hapësirat e gjelbra po shkatërrohen, pasi shteti duhet të ndërtojë shtëpi për imigrantët.
Linja e propagandës politike të UKIP, anti-BE dhe anti-imigracion dhe renditja e saj mjaft mirë në sondazhe, ka shkaktuar edhe rimarrje të herëpashershme të këtij pozicioni nga vetë Kamerun, duke shkaktuar ashpërsi të qëndrimeve qeveritare. Por, kjo situatë nuk ka kaluar pa u vëzhguar edhe nga Komisioni Europian, ku Presidenti i saj Barroso do të vlerësonte fenomenin e përthithjes së politikave të UKIP nga Kamerun me një batutë reflektuese : “Kur njerëzit kanë origjinalin, përse duhet të votojnë kopjen”./im.ta/