Ronaldo paralajmëron për një gol në Munih

anazapta

Kristiano Ronaldo e shikon ndeshjen e kthimit me Bajernin si një finale të parakohshme. Portugezi pranon se mungesa në fushë ndikoi në formën e tij gjatë takimit të parë. “Në Munih do të luajmë si në shtëpi. Bajerni është një skuadër e madhe por ne kemi një avantazh minimal dhe unë besoj shumë se do të na hyjë në punë. Në “Allianz Arena” do të jetë shumë e vështirë, por edhe ne kemi armët tona sekrete dhe besoj se do të arrijmë të shënojmë e pakta një gol”, thotë Ronaldo. Reali fitoi 1-0 ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër gjermanëve, por tani do t’i duhet ta mbrojë këtë rezultat në një fushë ku ka vetëm një barazim dhe nëntë humbje në dhjetë ndeshje të luajtura. Ronaldo thotë se në klubin e tij tashmë është kthyer në një fiksim fitimi i titullit të dhjetë evropian, që tashmë e gjithë bota e njeh me termin “La Decima”. “Të gjithë tifozët tanë ëndërrojnë La Decima-n. Po kthehet në fiksim tashmë, madje ushtron edhe presion mbi ne lojtarët. Gjatë viteve të fundit kemi luajtur tre gjysmëfinale por asnjë finale, prandaj duhet të luftojmë deri në sekondat e fundit”. Portugezi ka edhe një arsye më tepër për ta dëshiruar finalen, pasi ajo luhet në kryeqytetin e vendit të tij. “Është një ëndërr për mua që të luaj një finale në Lisbonë, por aktualisht nuk dua të mendoj për të, pasi duhet të sigurojmë kualifikimin më parë”. Viti 2014 ka edhe një tjetër ngjarje të madhe, botërorin, të cilin Ronaldo gjithashtu e “injoron” për momentin: “Tani jam shumë i përqendruar te Champions League dhe më pas dua të mendoj për botërorin. Mua më pëlqejnë sfidat e mëdha. Me Portugalinë jam kapiten dhe në kombëtare ndihem shumë komod”.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *