“Incidenti”, nga Fieri në Tiranë

anazapta

Në një moment historik, në të cilin, për të tërhequr vëmendjen e publikut, shpesh biem në vulgaritete të humorit për humor, që bien ndesh tërësisht me shijet e shëndosha edukative dhe të kulturës qytetare, shfaqja “Incidenti ” e trupës së teatrit të Fierit, e shkruar nga komediografi i njohur italian, Luixhi Lunari, me regji të Mehmet Xhelilit, solli një shembull të argëtimit të pastër, me humor që mbështetet tek situatat, tek aftësitë e interpretuesve, tek dora e sigurt drejtuese e regjisorit, tek teksti i shkëlqyer, që na fton të jemi pjesë e problemeve mjaft të mprehta dhe aktuale. Kjo komedi, pas suksesit në teatrin “Bylis” në Fier, vjen në Tiranë.

Incidenti do të shfaqet të shtunën (sonte) dhe nesër në sallën e Akademisë së Arteve, në orën 20:00. Komedia zbavitëse e Luixhi Lunarit, një përshtatje e komedisë “Të mbathurat”, të komediografit gjerman Karl Shternhaim, vërtitet rreth një episodi të rastësishëm, në të cilin gruas së bukur dhe tërheqëse të një nëpunësi të vogël banke, gjatë përurimit të një dege të re, … i bien të brendshmet. Edhe pse me një shpejtësi rrufe, gruaja arrin ta fshehë incidentin dhe të futë në çantë “rrobën e pashpirt”, si e quan një nga personazhet, episodin e shohin thuajse të gjithë! Është e qartë se pas kësaj, pasojnë shpifje, thashetheme, “ëndrra të ndaluara” të atyre që arrijnë ta shohin “skandalin”.

I shoqi i gruas, nëpunësi Meroni, burrë serioz, por i nënshtruar, i gatshëm të shesë gjithçka për të bërë karrierë, i duhet të plotësojë dëshirat perverse të drejtorit të bankës, madje dhe të presidentit të saj, i cili është për më tepër edhe deputet. Edhe i biri i drejtorit, një djalosh i ndrydhur, por edhe pak “budalla”, bie kokë e këmbë në dashuri me zonjën e bukur. Dhe të gjitha këto vijnë e thuren njëra me tjetrën për të krijuar një seri keqkuptimesh dhe momentesh të shkëlqyera komike, që shkaktojnë një shpërthim të vërtetë të qeshurash te publiku.

Këto të qeshura sa vijnë e shtohen në aktin e tretë të komedisë, ku skena ironike e dy protagonistëve, në “orgjinë” e tyre me dy punonjëset e seksit, së bashku me rikthimin e deputetit me zonjën Meroni, si dhe momenti i fundit, zbulimi i të birit të drejtorit të bankës në ullukët e çatisë së shtëpisë së Meronëve, në mes të shtrëngatës, krijojnë një finale të paharrueshme për nga komiciteti, forca e tyre shpotitëse e ironizuese dhe për nga mesazhi që përcjellin. Një shfaqje që u rekomandohet të gjithë atyre që duan të largohen për disa çaste nga andrrallat e jetës së përditshme, të cilat janë të shumta.

Një zbavitje me humor të shëndetshëm, por edhe me një qëndrim kritik ndaj veseve dhe dobësive njerëzore që kanë të bëjnë me moralin, seksualitetin, marrëdhëniet në familje dhe shoqëri, abuzimin me pushtetin e shumë të tjera. Një shfaqje me një ritëm të shpejtë dhe me një ansambël aktorësh me emër e cilësi të madhe, përfaqësuesit më në zë të trupës së teatrit të Fierit, tashmë me një emër shumë dinjitoz në plan kombëtar. Për të kaluar disa minuta mes të qeshurash, kaloni nga Akademia e Arteve. Kjo komedi vjen e vënë në skenë nga regjisori Mehmet Xhelili, as/regjisor Doriana Caushi, skenograf Ilir Martini, muzika Robert Hoxha dhe me një kastë e mrekullueshme aktorësh: Myzafer Ziflaj, Astrit Hasani, Roland Saro, Eglantina Cenomeri, Miola Sitaj, Klajdi Marku, Fatmir Xhelili, Doriana Caushi, Brikena Sinanaj dhe Hateme Ruzhdia.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *