“Flet në mënyrë lakonike”
Rrjedh nga fjala Lakoni, vendi I spartanëve. Pjesë e edukatës së spartanëve ishte veprimi. Ata flisnin shumë pak, por bënin shumë. Shprehja “flet në mënyrë lakonike” përdoret për një të folur ose të shkruar racional, shkurt dhe me kuptim të thellë. Lakoniciteti është forma e shprehjes lapidare, e ngjeshur, që thotë me pak fjalë atë që është e vështirë të thuhet edhe me shumë. E kundërta e lakonicitetit është proliksiteti, lumë fjalësh të panevojshme.
“Furtunë në një gotë ujë”
Shprehje që në forma të ndryshme gjendet në të gjitha gjuhët e botës. Nuk kemi mundur të gjejmë origjinën e vërtetë të kësaj thënie, veç faktit që ajo është përdorur nga shumë autorë antikë si Herodoti, Plutarku etj. Përdoret në rastin e një zhurme të panevojshme, e një buje të kotë. Shekspiri në vend të kësaj shprehje klasike përdori “Shumë zhurmë për asgjë”, që është edhe titulli i një prej veprave të tij.
Garda pretoriane
Termi pretor rrjedh nga fjala çadër, dmth, mbrojtje. Në fillim ishte një njësi e vogël e veçantë dhe e dallueshme nga truprojat, madje edhe nga forcat e tjera të armatosura të perandorisë. Zgjidhej në mënyrë private nga perandori. Me kalimin e kohës, ky grup u zgjerua si njësi e rrezikshme e ushtrisë dhe u përdor si e tillë nga Jul Cezari, Mark Antoni dhe Augusti (Oktavian). Aq u forcua kjo njësi, sa që lozte edhe rol politik në sundimin e Romës, madje në disa raste ajo u bë rivale e vetë perandorëve. “Garda pretoriane” përdoret si shprehje kur shteti mbështetet në forcat e ushtrisë; ose për një pjesë të ushtrisë që është më e fortë se të tjerat.
“Gjakftohtë si një anglez”
Përdoret si shprehje për njerëzit flegmatikë, të cilët në kuptim figurativ krahasohen me anglezët, që në përgjithësi nuk kërkojnë shumë ndryshime e larmishmëri. Atyre u pëlqen ta kalojnë jetën në shtëpinë e gjyshit, me ato mobilie e pajisje të brendshme. Kostumin e bëjnë të fortë prej leshi që të rrojë gjatë. Thuhet se si vegjetacioni edhe britanikët janë të zbetë. Shprehjet “ai është anglez fare” ose “s’e vret mendjen si një anglez” përdoret për njerëzit shpërfillës moskokçarës, të qetë etj.
