Një i kërkuar nga drejtësia italiane u arrestua orët e vona të mbrëmjes së diel në Durrës nga Interpol Tirana. I ndaluari është David Lekaj, 46 vjeç, në kërkim prej 4 shtatorit 2013. Gjykata e Cagliarit në Itali e ka dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale të “vrasjes në rrethana rënduese”, “dhunim i kufomës” e “shfrytëzim prostitucioni”. Kapja e tij u bë e mundur rreth orës 20:00 nga shërbimet e Sektorit të Krimeve të Rënda në Durrës, në bashkëpunim edhe me ato të Komisariatit, në lagjen nr. 1, afër Currilave. Gjatë kësaj periudhe, Lekaj ka përdorur një tjetër identitet, me qëllim shmangien ndjekjes policore. Kapja e tij u krye me qëllime ekstradimi drejt vendit fqinj për të vuajtur dënimin e dhënë dhe do pritet masa e vlerësimit që do të japë gjykata, kurse autoritetet italiane u njoftuan për procedurat e ekstradimit.
