Ekstradohet nga Zvicra i shumëkërkuari Musli Mehmetaj, për vjedhjen me armë të Bankës Amerikane, ngjarje e ndodhur te Stacioni i Trenit në vitin 2005 në Tiranë. Zyra Qendrore e Interpol Tiranës njoftoi mbrëmë se u soll në pranga nga Zyrihu drejt vendit tonë dhe u zbrit në Rinas, 39-vjeçari nga Peja e Kosovës. Mësohet se Mehmetaj ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit, e kryer në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”. Në grabitjen e ndodhur nëntë vjet më parë në kryeqytet, u mor nga banka një shumë e konsiderueshme në lekë dhe valutë. Policia zbuloi dhe goditi grupin, teksa Mehmetaj u kap pas pak vitesh në Zvicër, ku u dyshua për një tjetër aktivitet kriminal. Mehmetaj akuzohet se më 6 gusht 2005, veproi së bashku me 4 persona të tjerë. Po dje kosovari iu dorëzua autoriteteve të burgjeve.
