SHËNIM: Shenjtërime dhe ç’shenjtërime

anazapta

Ditë pas Vatikani shenjtëroi dy ish-Papë (jam kurioz të di nëse me shenjtërim nënkuptohet të qënit apo jo përsosur i atij që i mvishet ky atribut?!), dy mite letrash e krijimtarie u ç`shenjtëruan nga ana tjetër: njëri global e tjetri lokal. I pari, mjeshtri i narrativës, promovuesi i magjikes në Letërsi, Gabriel Garsia Markes, u trajtua thjesht si një tokësor me djallin e ëngjëllin brenda vetes, nga një shkrim i Charles Line. Autori kishte zgjedhur të denonconte anën jo letrare të Markesit, atë që e tregonte me plot defekte morali, teksa kishte zgjedhur t`i bëhej krah një regjimi si ai i Kastros, aq më tepër kur ky i fundit godiste pikërisht njerëz të letrave, siç poeti Heberto Padilla. I dytë, është grua. Bëhet fjalë për tonën, Dhora Lekën e këngëve partizane e një opere po ashtu siç ‘Vjeshtë me stuhi’, që persekutimi komunist e paska çuar në gradat më të ulëta të moralit njerëzor, duke bërë bashkëpunëtoren e Sigurimit, sidomos në dëm të një figure si është Kadare. Dhe pikëpyetjet që lindin paskëtaj, janë shumë, por ndër më kryesoret janë ato që kanë të bëjnë mbi shenjtërimin që njeriu vendos t`i bëjë njeriut! Një qënie e papërsosur, çuditërisht rreket të gjykojë me terma përsosurie një qënie po si vetja në tipare e karakteristika. Dilemat rreth njeriut nuk kanë qenë mbi atë nëse është një shkrimtar i madh, nëse është një kompozitor i madh, nëse ka qenë një Papë i urtë, nëse ka qenë një futbollist gjenial, nëse ka qenë një doktor fenomenal, nëse ka qenë një inxhiner a fizikant grandioz, etj.,etj., por nëse ka qenë thjesht një njeri i mirë, sado anonim, që ka patur për virtyt të ushqehet ndershëm, të vishet ndershëm; që të mos gënjejë as për arsyen më të fortë të kësaj bote; që të thotë të vërtetën edhe kur jetën ta ketë patur në rrezik; që të ketë mbajtur drejtësi dhe kur interesat t`i jenë cënuar; e që as njeriu apo ndonjë gjallesë tjetër, të mos kenë patur bela prej tij. A ekziston një i tillë, pa çmime e kurorë?!                                       

 Bota vijon të jetë në kërkim të “njeriut” (me Diogjenin që i prin), e jo në kërkim të talenteve!      / E.H.                       

 

Share This Article
3 Comments
  • E gjithë kjo botë është hipokrizi o Ermir. Ai lloj njeriu që t’i përshkruan nuk mund të ekzistojë se do të ishte altruist. Asnjë qenie njerëzore nuk mund ta shpalosë dashurinë për humanët, nëse nuk e fillon me dashurinë për veten, çka është në nënndërdgjegjen e çdokujt. Përderisa do veten më së pari edhe veprimtaria e tij ka si busull vetveten, ndaj çdo përbetim në të mirë të të tjerëve vlen për aq kohë sa i intereson “vetes”. Të tjerat janë broçkulla hipokrite…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *