“Mikpritëset”, mania e re e të bërit biznes në Tiranë

anazapta

Lokalet dhe restorantet në kryeqytetin shqiptar kanë filluar të punësojnë vajza të reja të cilat bëjnë rolin e mikpritëses, duke i ftuar njerëzit që të hyjnë në lokal

Anida Lera

“Përshëndetje! Do të pini një çaj special?” Një vajzë bukuroshe qëndron në derën e një lokali me specialitet çajin aziatik. Ftesa është e ngrohtë, si dhe buzëqeshja e saj.

Në fakt, kjo është edhe tendenca më e fundit në kryeqytetin shqiptar. Nëse do të pish kafen e mëngjesit në një bar, të shijosh një drekë në një prej restoranteve të Tiranës ose një mbrëmje me miqtë në klub, “mirëseardhjen” ta urojnë vajza të bukura. Në të shumtën e rasteve ato qëndrojnë te dera hyrëse e barit, restorantit apo picerisë dhe të ftojnë që të hysh brenda. Vajzat kanë një orar të reduktuar të punës, kushte të mira dhe një rrogë të kënaqshme në krahasim me punët e tjera me orare të zgjatura e stresuese.

“Mikpritëse” (apo termi tashmë i hyrë nga anglishtja “hostess”) ka në përgjithësi në dyert e lokaleve në zonën e ish- Bllokut. Në zonat e tjera të Tiranës janë më të pakta. E megjithatë, numri i tyre ka filluar të shtohet. Madje mania e menaxherëve po shkon më tej. Nuk ka vetëm vajza të bukura në dyert e bizneseve, por edhe djem të pashëm që përshëndesin dhe të ftojnë të hysh brenda. Janë ata që në jo pak raste të shoqërojnë e në momente të caktuara, të shërbejnë. Por gjithsesi, detyra e tyre është thjesht të të fusin brenda.

Kur Mesi i mungon Barcelonës!”

Vilma Vasiu është njëra nga vajzat që punon si ‘mikpritëse’ në një nga baret e Tiranës. Ajo është studente në Faktultetin e Infermierisë, por ndërkohë punon në lokal me kohë të pjesshme. Duke folur për gazetën “Dita”, Vilma thotë se i pëlqen puna që bën dhe me anë të së cilës fiton të ardhrua të mjaftueshme, pavarësisht se orari është relativisht i shkurtër.

Vilma, prej sa kohësh punon si “mikpritëse”?

Kam pothuajse dy vjet që bëj këtë lloj pune. Në fakt është pak e bezdisshme se duhet të qëndrosh drejt edhe të mbash veshur uniformë, por është e këndshme. Pastaj klientët që vijnë çdo ditë në lokalin tonë, në të shumtën e rasteve janë të sjellshëm dhe nuk krijojnë shqetësim.

Janë mësuar njerëzit me qëndrimin tënd në derë?

Në të vërtetë, kur fillova punë para pesë muajsh, koha kur u hap lokali, njerëzit më shihnin me habi. Kishte edhe nga ata që më pyesnin: “Pse po rri aty?” Por tani janë mësuar.

Sa orë punoni punon zakonisht?

Në lokalin që jam aktualisht punoj 5 orë. Kam punuar edhe në lokale të tjera ku orari i punës varionte nga 4 – 6 orë. Është pak e lodhshme, por e këndshme dhe kemi një ambjent serioz. Punoj zakonisht mbasditeve, kur ka dhe më shumë klientë.

Detyra jote është thjesht të ftosh njerëzit?

Jo thjesht aq. Përveçse iu hap derën, i ndihmoj klientët të ngjiten deri në katin e tretë ku ndodhet lokali, i njoh me specialitetet e lokalit tonë që janë verërat franceze dhe çaji aziatik. Ndonjëherë u sjell edhe porosinë miqve të lokalit tonë, nëse shoh se kamerierët janë të zënë dhe mund të vonohen.

Është e mirë pagesa?

Po. Këtu është 35 000. Në lokalet e tjera ku kam punuar varionte nga 20 – 30 mijë lekë duke përfshirë dhe bonuset në raste festash.

Si e shohin punën tuaj menaxherët?

Personalisht ndihem e respektuar nga drejtuesit. Besoj se puna që bëj, është e nevojshme. Madje, kur klientët largohen nga lokali, unë i pyes nëse u pëlqeu shërbimi dhe lokali, ose nëse kanë pakënaqësi. Kritikat dhe pakënaqësitë ia raportoj drejtuesve, duke bërë kështu që të rritet cilësia e shërbimit.

Mendoni se ka më shumë klientë kur ju punoni?

Mendoj se kjo do njëfarë kohe që të vlerësohet. Këtu punoj prej pesë muajsh. Mund të them se ka një tërheqje të klientëve kur ne i përshëndesim dhe i ftojmë të pinë diçka në lokal. Sepse jo rrallë njerëzit nuk janë të vendosur se ku do të ulen dhe kthehen pikërisht nga ftesa që u bëjmë.

Madje mund t’ju tregoj edhe diçka për të qeshur. Një ditë i kërkova pronarit që të bëja pushim dhe ai u shpreh se isha pjesë shumë e rëndësishme e stafit dhe atë ditë nuk mund të lëvizja. Ndërkohë, një kamerier më tha: “Nëse mungon ti, është njësoj sikur t’i mungojë Mesi Barcelonës” (qesh).

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *