Piktori i rrugës pa “Konservator”

anazapta

Nëse keni shkuar të paktën njëherë për në Elbasan, duhet të jeni ndeshur me pikturat e tij përgjatë rrugës së gjelbëruar të asaj zone. Shtëpinë e Elton Bardhoshit e gjen lehtë pasi ke lënë pas Mulletin, Bërzhitën, Ibën dhe je ndalur pa marrë kthesat e shumta të Qafës së Kërrabës. Po flasim për një piktor rruge, i cili duket se diplomën e ka marr nga njerëzit që udhëtojnë çdo ditë në ato anë. Ne kemi shkuar ta njohim më tepër jetën e një djali të ri, që duket se e ka gjetur një mënyrë për të jetuar, e deri diku për të nxjerr të ardhura që i shërbejnë për të ndihmuar familjen.

ketu banon elton bardhoshiAi sot është 27 vjeç, ka lindur te “Kafja e Xhafës”, në Ibën e Sipërme. Tetëvjeçaren e ka bërë te “Vait Haka”. Në një bisedë me Eltonin mësuam se në vizatimet e para, zyshat e shkollës kuptuan që kishte talent, por kjo nuk e bindi të mbaronte gjimnazin. E kush nga shokët e tij në atë kohë kishte dëshirë ta bënte këtë gjë. Ata ishin bërë shoferë, kamarierë, pronarë, emigrantë. Edhe ai e provoi dy herë emigracionin, në vitet 2005-2006 dhe tre muaj në 2008-ën në Greqi, por asnjëherë nuk arriti të siguronte dokumentet.

Edhe kur donte Eltoni të vazhdonte shkollën, këtu e 5 vjet të shkruara, vështirësitë financiare ia prenë rrugën. “Gjimnazin nuk e mbarova sepse ashtu ka qenë koha. Prindërit nuk donin, më parë duhet të siguroja të ardhura për të jetuar. Në familje ishim 5 vetë. Punonte babai si usta guri, motra e madhe bënte punën e ndihmës kuzhinieres në një restorant. Punoja dhe unë, e mbanim familjen” -tregon Eltoni.

Elton Bardhoshi
Elton Bardhoshi

U mjaftua vetëm me një kurs pikture, nën mbikëqyrjen e një zyshe të Liceut Artistik. I riu duket se e sheh pikturën si një shpëtim nga realiteti ku jeton, që e mban të zënë me punë dhe e ndihmon të ëndërrojë. Me fjalë të tjera ai e shpjegon lidhjen që ka me pikturën si “një virus që e ha dita–ditës”. Eltoni është i bindur që nuk ka kthim mbrapa. Atij i duhet pak për t’u ndjerë i lumtur. Mjaft që të mos heqë dorë nga xhirot në natyrë, nga kafet, nga shëtitjet me makinë, nga shoqëria me miqtë e tij, qoftë edhe nga shoqëria jovizuale që konsumon dita ditës në rrjetin social “Facebook”. Veç këtyre, do ishte mirë që të arrinte profesionin e skulptorit. E joshin pa masë skulpturat në dru dhe gur.

“Më pëlqen të pikturoj, të gdhend skulptura në dru, në gur, por edhe të pi kafe, të bëj shëtitje me makinë, të takoj miq, ose të flas me ta “online” -tregon 27-vjeçari.

 

Një mundësi për të… jetuar

Mbishkrimi “Këtu jeton Eltoni, piktori”, i gdhendur në gur majë një ndërtese të rrënuar, i ngjet aq shumë atyre të vendosura në cepa pallatesh nëpër shtëpitë e artistëve që nuk jetojnë më. Atë copë toke ku jeton, Eltoni duket se e ka dizenjuar vetëm për vete. Dallohet shtëpia në hije nga trungjet e lyera me gëlqere, nga pikturat që rëndojnë në degët e pemëve, nga gdhendjet në dru, mbishkrimet, grafiti që i jep jetë ndërtesave rrënoja, që të fusin në një botë më vete, veçan të tjerëve. Eltoni do “të jetojë jetën e tij” dhe të mos vdesë vetëm (në një tabelë në anë të rrugës me pisha shkruhet: Do not die alone”. Lagjja e tij mban emrin “Boy”, kurse zona rreth e rrotull atë “Art Tonic ”.

pishinaaGratë indiane dhe sirenat mbushin të gjitha pikturat e realizuara në bojë vaji dhe uji. Me indianet ka një lidhje të hershme. Tani është nostalgjia që i përjetëson portretet që i ka parë në televizion në vitet ‘96. Punët e Eltonit nuk kanë kohë, i kanë rrënjët në të shkuarën dhe projektojnë të ardhmen. Heronjtë e Eltonit janë një grup të rinjsh të hipur mbi makina luksi, të qeshur e euforikë. Në grafit ndërthuren pastaj simbolet, shenjat, figurat. I riu duket se ka bërë një pakt edhe me natyrën. Rreth e qark shtëpisë, ku dikur ka ndenjur për çdo ditë nga ora 8.00-19.00, në zonën e quajtur “Art Tonic”, pemët herë shërbejnë si zbukurime, herë janë pjesë e vetë pikturës. Gungat e tyre, relievet, kanë marrë formën e tipareve të njeriut.

musicKlientët e përhershëm janë të sapomartuarit, pronarët e lokaleve, ndonjë turist që i bie rruga për Ibë, kopshtet dhe shkollat. Të parët duan të fiksojnë në pikturë momente gëzimi dhe për këtë paguajnë nga 500 lekë deri në 15 mijë. Të ardhurat mujore të Eltonit kapin shifrën 25.000 lekë. A ia del dot? Ai “nxjerr nga xhepi” mundësinë tjetër të zgjidhjes: realizimin e skulpturave. Dikush në Sauk është i gatshëm t’i tregtojë ato. Elton Bardhoshi beson se  “galeria” e tij nuk do të jetë gjithë jetën në gji të natyrës, ku degët e pemëve shërbejnë si korniza. Ndoshta do ta ketë edhe ai një galeri, si ato të vërtetat ama. Kjo është jeta e një djali, i cili pavarësisht mundësive ka gjetur një mënyrë për t’ia dal mbanë, e mbi të gjitha të jetoj në paqe me veten dhe natyrën.

Share This Article
2 Comments
  • Bravo o cun, se ne kete Shqiperi ka njerez qe presin punen nga qielli, ju e keni gjetur vete rrugen tuaj, e per me teper eshte edhe pasioni juaj. Urime dhe suksese

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *