Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Catherine Ashton ka dhënë një deklaratë për shtyp. Ashton deklaron se, një media e lirë, e ndryshme dhe e pavarur përbën gurin e themelit të një shoqërie demokratike, duke thjeshtëzuar qarkullimin e lirë të informacionit dhe ideve dhe duke siguruar transparencë dhe besueshmëri.
“BE, i bën thirrje gjithë qeverive të veprojnë sipas normave ndërkombëtare dhe t’i japin fund frikësimit, ngacmimit, censurimit dhe burgosjes arbitrare të gazetarëve dhe ndëshkimit të tyre. Përpjekjet për të mbrojtur gazetarët, nuk duhet të kufizohen tek ato të cilët tashmë njihen si të tillë, por duhet të mbulojnë edhe stafin mbështetës dhe të tjerë që përdorin median e re, për të arritur një audience në masë”,- deklaron Ashton.
Ashton thekson gjithashtu se, inovacionet teknologjike në informacionin teknologjik dhe komunikimet, kanë krijuar rrugë të reja për promovimin e lirisë së shprehjes, por kanë sjellë gjithashtu sfida të reja.
“BE kundërshton fuqimisht çdo shtrëngim të pajustifikuar mbi internetin dhe mediave të tjera të reja. Të gjitha të drejtat njerëzore, që ekzistojnë offline, duhet gjithashtu të mbrohen online, në veçanti liria e opinionit dhe e shprehjes”,- vijon më tej Ashton.
BE sipas deklaratës, pritet të adoptojë së shpejti Udhëzimet mbi Lirinë e Shprehjes Online dhe Offline. Qëllimi i këtyre udhëzimeve, është adresimi i shtrëngimeve të pajustifikuara mbi lirinë e shprehjes, promovimi i lirisë së medias dhe sigurimi i një guide të vlefshme për zyrtarët e BE-së dhe stafin në mbarë globin.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka deklaruar 3 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e lirisë së shtypit dhe për t’i kujtuar qeverive detyrën e tyre për të respektuar dhe për të ruajtur të drejtën e lirisë së shprehjes, të specifikuar nën nenin 19 të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut.
