Nëna: E vrava foshnjën, por ishte fryt i përdhunimit

redaktor

Krimi monstruoz i ndodhur në fshatin Kuturman të Librazhdit duket se po futet në një labirinth të vërtetë dhe po intrigon hetuesit. Derisa të dalin rezultatet e analizave për atësinë e fëmijës që kishte sjellë në jetë Orjola Lleshi, gjithçka do të mbetet tek alibitë e nënës së dyshuar që mbyti me jastëk në gjumë foshnjën 2-muajshe Mateo Lleshi. Dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda Tiranë, për shkak se krimi klasifikohet si vrasje në familje, u zhvillua edhe masa e sigurisë. Familjarët e kishin braktisur nusen e re, e cila u shfaq në një depresion të thellë gjatë gjithë seancës që për këtë shkak u ndërpre dy herë pasi nuk pushonte së qari. Dëshmia u mor në prani të psikologes, teksa Orjola është shprehur e penduar dhe ka rrëfyer se ndodhej në depresion prej lindjes, pasi rrezikonte martesën dhe të ardhmen e saj.

Dëshmia

Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura paraditen e djeshme, për shkak të ndjeshmërisë së ngjarjes së ndodhur. E pyetur nga gjyqtari i gatshëm Klodian Kurrushi, 30-vjeçarja nuk e ka mohuar krimin e kryer. Por një alibi e re është shfaqur ndërkohë për hetuesit. Orjola, përveçse ka pohuar se kishte lidhje me një djalë më të ri në moshë nga ajo, banues po në fshatin Kuturman, i ka thënë hetuesve se është përdhunuar edhe nga kushëriri i burrit. Ndërsa gjatë marrjes në pyetje, i riu 22-vjeçar ka mohuar të kishte pasur raporte intime me 30-vjeçaren. Gjyqtari u njoh nga prokuroria me aktet e dosjes dhe alibitë, teksa u bë me dije se do priten rezultatet e ADN-së për atësinë e foshnjës, që do zbardhin më tej edhe enigmën rreth ngjarjes. Nëna e re, që ka edhe një djalë tjetër më të madh, është e zhytur në depresion të thellë nervor dhe gjatë gjithë gjyqit dje ka qenë e shokuar dhe vetëm ka qarë. Për shkak të gjendjes së saj shpirtërore, gjyqtari ka ndërprerë dy herë seancën. Ndërsa me kërkesë edhe të avokatit dhe psikologes, është kërkuar edhe ekzaminimi psikik për të dyshuarën që sipas Kodit penal të ri, rrezikon deri në 35 vite burgim.

Misteri

Prokuroria ka deklaruar se nëna e re ka pohuar tre raporte deri tani. Një me bashkëshortin e saj, i cili prej 2 vitesh jetonte si emigrant ekonomik në Greqi dhe mohonte atësinë e foshnjës së sapolindur, duke i kërkuar divorcin 30-vjeçares. Një tjetër me 22-vjeçarin banues po në Kuturman, për të cilin Orjola ka dëshmuar se ka pasur raporte dashurie, por ky i fundit e mohoi. Dhe e fundit është deklarata e vetë të dyshuarës, se një herë e ka kapur me forcë kushëriri i burrit të saj, duke e përdhunuar. Prokuroria po heton rreth alibisë së fundit, nëse fëmija i lindur është fryt i një dhune seksuale, të cilën 30-vjeçarja nga frika, ose turpi, nuk ka pranuar ta denoncojë. Orjola i ka thënë hetuesve se fëmija i lindur nuk ishte ngjizur me bashkëshortin e saj. Këtu pritet të zbardhet edhe e vërteta nëpërmjet analizave të ADN-së, që do të kërkojnë të paktën një muaj kohë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *