Sekuestrohet pasuria 3 milionë euro e trafikantit të drogës në Itali

redaktor

Njësia Task-Forcë e Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës kanë vendosur sekuestron preventive ndaj pasurive të tundshme dhe të patundshme të Aleksandër Çavo, me një vlerë rreth 3 milionë euro. Lajmi u konfirmua edhe nga kryepolici i Tiranës, Ardian Çipa dhe nga zyrtarë të Prokurorisë së Rrethit. Ndërkohë që mësohet se 33-vjeçari Çavo është i arrestuar për trafik droge në Itali. Çavo është dënuar me 20 vjet burg, ndërkohë që më pas është ekstraduar.

Sekuestro është vendosur me urdhër të Gjykatës së Tiranës, për rreth 13650 m2 sipërfaqe tokë arë në fshatin Marikaj, si dhe 8 automjete, në pronësi të Aleksandër Çavo, i akuzuar për “pastrim të produkteve të veprës penale”. Çavo është arrestuar në shtator të vitit 2013, pas urdhrit ndërkombëtar të Interpol Romës dhe gjykatës së këtij qyteti për “trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike” dhe më pas u ekstradua. Paralelisht me procesin e ekstradimit, autoritetet shqiptare nisën verifikimet për pasuritë në territorin shqiptar. “Nga verifikimet e kryera në kuadër të këtij procedimi, u zbulua se Çavo kishte në pronësi një sipërfaqe të madhe toke në Marikaj dhe një shoqëri private “VICTORIA-AL”, shpk, me veprimtari import-eksport i pajisjeve të sigurisë dhe vëzhgimit e mbrojtjes nga zjarri, tregtim, mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore për përdorim shtëpiak (home care) dhe transport ndërkombëtar mallrash për të tretë e me qira. Nga 8 automjetet, 5 të tonazhit të rëndë për transport ndërkombëtar dhe dy autovetura luksoze me targa ZK2380, TR3939 M, TR612M, TR4188K, AA131EP, AA024IG, AA103CJ dhe TR6551T, me vlerë të përgjithshme 3 milionë euro”, tha kryepolici Çipa ditën e djeshme. Gjykata e Tiranës e ka marrë vendimin e sekuestros më datë 30 prill 2014, pas dyshimeve se veprimtaria biznes është ngritur mbi të ardhurat nga trafiku i drogës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *