Zgjedhjet në Kosovë do të mbahen në qershor

redaktor

Liderët e partive politike në Kosovë synojnë të organizojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 8 qershor të këtij viti. Ditën e djeshme Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka mbajtur një takim me Kryeministrin Hashim Thaçi. Megjithatë gjithçka varet nga marrëveshja që mund të arrihet për të themeluar Forcat e Armatosura të Kosovës. Presidentja Atifete Jahjaga është shprehur se “Forcat e Armatosura të Kosovës janë të domosdoshme dhe ky proces, ky opsion nuk ka alternativë. Kjo forcë është për Kosovën dhe është e Kosovës dhe Kosova do ta ketë forcën e saj të armatosur e cila do të kontribuojë në konsolidimin e mëtejshëm të shtetit tonë”.

Forcat e Armatosura

Themelimi i Forcave të Armatosura, ashtu edhe caktimi i datës së zgjedhjeve mbeten në pikëpyetje pasi hasin pengesën e mandateve të rezervuara për minoritetet. Vota e deputetëve të pakicave është e domosdoshme, meqë themelimi i Forcave të Armatosura kërkon dy të tretat e votave të deputetëve dhe njëkohësisht dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e pakicave. Lideri i LDK-së, Isa Mustafa shprehu se partia e tij do ta mbështet themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. “LDK vlerëson se nuk është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe as funksionimit të Kuvendit që një popullatë jo shumicë ta ketë të drejtën e votës së dyfishtë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe ne të mos arrijmë që vendimet kryesore që janë për vendin ne t’i procedojmë me shumicë demokratike të votave. Ne jemi për atë që të kemi një legjitimitet demokratik në Kuvend e jo legjitimitet të pazareve, të cilat i bëjnë njerëzit edhe për interesa të ndryshme”, tha Mustafa. Si alternativë për datën e zgjedhjeve kreu i LDK-së u shpreh, “Është propozuar data 8 qershor dhe unë në emër të LDK-së jam pajtuar, sepse ne kemi kërkuar që ajo të jetë brenda muajit qershor. Ne do të pajtohemi që të jetë data 8, 15 apo 22 qershori, mirëpo që të përfundohet gjatë qershorit. E në qoftë se Kuvendi nuk shpërndahet sipas marrëveshjes, ne do t’i bashkangjitemi, apo do të iniciojmë mocion për shkarkimin e qeverisë”. Çështja pritet të debatohet të hënën në Parlamentin e Kosovës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *