Trajtohen në urgjenca për viroza, por në të vërtetë vuajnë nga alergjitë

redaktor

Sëmundjet alergjike po gjejnë gjithnjë e më shumë terren edhe në vendin tonë, duke mos kursyer as moshat e vogla ku po vërehet një përhapje më e shpeshtë. Nuk ja në të pakta rastet në të cilat fëmijët e vegjël përfundojnë nëpër urgjencat e spitaleve për komplikacione,  të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me një virozë apo ftohje të thjeshtë, por me shpërthime alergjike. Problem në këtë rast mbetet edhe paqartësia që shpesh herë tregohet nga mjekët për kapjen në kohë të këtyre ndërlikimeve që shfaqen dhe dhënien e trajtimit të tyre siç duhet. Vëzhgimet e bëra kanë treguar se janë mjekët e familjes ata që nuk adresojnë siç duhet pacientin për të marrë ndihmë tek mjeku specialist alergolog, çka ka bërë që të neglizhohet alergjia duke u qetësuar për momentin me ndonjë shurup, por që rikthehet më vonë me simptoma shumë më të rënduara në formën e astmës. Studimet e kryera tregojnë se jo vetëm në botë, por edhe në vendin tonë 1 në 3 fëmijë vuajnë nga format e ndryshme alergjike, që në shumë raste shndërrohen në astma bronkiale pasi nuk marrin kujdesin e duhur që në stadet e para të shfaqjes së sëmundjes. “Tjetër shpeshtësi ka përhapja tek fëmijët e tjetër tek të rriturit. Fëmijët përfundojnë në urgjencë sepse nuk diagnostifikohen në kohë, shpesh ka një paqartësi nga ana e stafit mjekësor nëse rasti i paraqitur është astmë bronkiale, ftohje e thjeshtë, rinit, bronkiolit, infeksion viral. Si shkak i kësaj paqartësie edhe trajtimi mbajtës tek fëmijët e vegjël është jo i rregullt. Në shumë raste janë edhe prindërit ata që për shkak të mentalitetit nuk e pranojnë që fëmija e tyre është me astmë, dhe preferojnë t’i mbushin mendjen vetës se kanë një broshit, kurimi i të cilit mund të kalojë me përdorimin e ndonjë shurupi. Është pikërisht edhe kjo një ndër arsyet e shpeshta që ndikon në paraqitjen e fëmijëve çdo tre muaj në urgjenca për të marrë mjekim. Duhet të dimë që këto sëmundje janë 100 për qind të kontrollueshme nëse merret kujdesi i duhur mjekësor hap pas hapi”, bën të ditur mjeku alergolog Mehmet Hoxha. Mungesa e mjekëve të mirëfilltë alergolog pediatrik ndikon edhe në mosdhënien e trajtimit të duhur të fëmijëve. Ekspertët e shëndetit pranojnë që mungesa e këtyre mjekëve nëpër poliklinika apo dhe spitalet është e dukshme, çka bën që shpesh herë të mos jepen trajtimet e duhura.  Mangësi shfaqen edhe në trajtimin e këtyre rasteve. Ndonëse sistemi është i mirë-organizuar në tre nivele ndodh që mjeku i familjes nuk referon aq sa duhet tek specialisti i nivelit të dytë pacientët që kanë këto simptoma, apo kalimi tek mjeku specialit i nivelit të tretë. Ekzekutimi i recetave për trajtimin e këtyre komplikacioneve është i mangët për shkak të kufizimeve që vendosen në rimbursim. Ky lloj kufizimi që vendoset në rimbursim bën që mjekët të mos përshkruajnë terapinë e duhur trajtuese

Kalimi drejt epidemisë alergjike

“Sëmundjet alergjike janë kthyer në sëmundje epidemike në të gjithë vendet e zhvilluara dhe në vendet në zhvillim. Edhe Shqipëria ndryshe nga 10 vite më parë, ku kishte një shpeshtësi të ulët të sëmundjeve alergjike, në ditët që flasim ka një përhapje shumë më të lartë, të sëmundjeve alergjike, duke përfshirë këtu të gjitha format si astmën bronkiale, rinitin alergjik, konjiktivitin alergjik, teksa edhe sëmundjet e lëkurës kanë një rritje shumë të dukshme. Ka shumë shkaqe dhe faktorë që ndikojnë në rritjen e shpeshtësisë të sëmundjes alergjike, gati me 50 për qind më shumë në 10 vitet e fundit”, ka shtuar më tej mjeku Hoxha në aktivitetin sensibilizues të zhvilluar dje në prag të Ditës Botërore të Astmës. Më tej, autoritetet shëndetësore sqarojnë se nga këto sëmundje rezulton të jetë e prekur 5 deri në 7 për qind e popullisë, ndërkohë që qytetet më problmetike janë Fieri, Tirana dhe Elbasani, si pasojë e nivelit të lartë të ndotjes që shkaktohet prej djegies së hidrokarbureve. Mjekët thonë se 40 për qind e pacientëve që vuajnë nga astma, kane edhe rihnit alergjik, dhe sipas studimeve këto dy sëmundje do të ishte mirë të trajtoheshin paralelisht. Simptomat më të dallueshme të astmës bronkiale janë vështirësia në frymëmarrje, kolla, rëndimi në kraharor, në veçanti natën apo herët në mëngjes. Sot, në botë aktualisht vuajnë rreth 300 milionë njerëz nga astma, ndërkohë që ajo renditet në majën e listës së patologjive që shkakton vdekshmëri.

Obeziteti është një ndër faktorët që favorizon krijimin e astmës

Obeziteti favorizon dukshëm përhapjen e sëmundjes së astmës bronkiale, ndërkohë që nga ana tjetër ndikon edhe në ngadalësimin e efekteve të trajtimit që merr pacienti. Ky është një ndër faktorët nuk është i vetmi shqetësim për mjekët alergologë. Ata thonë se gjithnjë e më shumë pacientët shqiptarë i trajtojnë vetë simptomat duke marrë medikamente qetësues, e për pasojë terapitë shpesh nuk janë të efektshme si pasojë e mbidozimit apo varësisë që ka fituar pacienti ndaj barnave të ndryshme. ” Pesha ndikon shumë dhe ka një lidhje direkte ndërmjet bodymaks indeks dhe astmës bronkiale. Obeziteti favorizon dukshëm astëm bronkiale dhe mos efikasitetin e terapisë me pacientët asmës bronkiale. Dhe e fundit është duhanpirja”, shprehet mjeku alergolog Mehmet Hoxha.

Faktorët që çojnë në shfaqjen e këtyre sëmundjeve

Mjeku Hoxha shton se ka shumë faktorë që ndikojnë në shtimin e këtyre rasteve. “Ka shumë hipoteza që mundohen të shpjegojnë rritjen e përhapjes së sëmundjeve alergjike, duke filluar nga teoria e higjienës e cila tregon se sa më shumë infeksione kalohen gjatë fëmijërisë, aq më të pakta janë rastet për t’u prekur nga astma në moshat e rritura. Një tjetër teori është edhe ajo e dietës, sipas të cilës  nëse konsumohen sa më shumë yndyra shtazore origjinale aq më pak alergji do të kemi, ndërkohë që risku shtohet kur përdorim sasi të larta yndyrash shtazore të përpunuara. Kujdes duhet bërë edhe me suplementet që merren në ushqim, aromatizuesit konservantët që sot po gjejnë një përdorim masiv. Të gjitha këto ndikojnë në rritjen e sëmundjeve alergjike. Por, faktori kryesor që mendohet se ndikon në rritjen e dukshme të sëmundjeve alergjike është ndërrimi total i stilit të jetesës, largimi nga nëna natyrë dhe pasja e një jetesë më të mbyllur, në ambiente të izoluara, me pak kontakt me diellin, si dhe në ambiente që kanë nivel të lartë të ndotjes atmosferike”, sqaron mjeku Hoxha. Sipas tij, shumica e pacientëve me astma vuajnë edhe nga rini alergjik. Ndërkohë që 10 deri në  40 për qind e pacientëve me rinit alergjik kanë astma. Ata që kanë rinit të vazhdueshëm duhen kontrolluar dhe për astma, si dhe e kundërta. Këto dy patologji është mirë që të trajtohen paralelisht sepse trajtimi i rinitit ka përmirësuar dukshëm ankesat e astmës. Fieri, Elbasani dhe Tirana kanë edhe shpeshtësinë më të lartë të përhapjes së këtyre rasteve, për shkak të nivelit të lartë të ndotjes që regjistrohet pranë tyre nga ndotja e hidrokarbureve. Janë shumë pak receta që lëshohen nga mjekët e familjes që trajtojnë vetëm astmën për të mos kaluar masën dhe sasinë e rimbursimit, ndërkohë që trajtimi nuk është efikas për vetë faktin se pacienti vuan dhe nga riniti, e nëse të dyja nuk trajtohen së bashku atëherë nuk do të ketë efikasitet në kontrollimin e sëmundjes.

Vendosja e diagnozës  

Diagnoza klinike e astmës karakterizohet nga simptoma episodike që kanë të bëjnë me fishkëllima në gjoks, vështirësi në frymëmarrje, kollë, rëndim në kraharor, përkeqësim dhe pamundësi për të fjetur, si gjatë orëve të natës ashtu edhe gjatë orëve të ditës.

Share This Article
1 Comment
  • une jam sh e shqetesuar sepse im shoq ka gati 3 muaj me kete gjendje veshtirsi ne frymarrje
    dhe nje kolle qe nuk e nxjerr dot .i ka bere te gjitha analizat per gjakun per alergji skopi skaner eko dhe asgje nuk i thone te gjithe thone vetem alergji te shpresojme une jam shume ne merak

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *