Një plagë sociale për tepelenasit është bileta e udhëtimit. Themi bileta pasi kështu na është mësuar goja, në fakt më korrekte do të ishte të thuhej vlera e udhëtimit, sepse janë të paktë ata shoferë që të japin biletë. Kur zbret nga furgoni i linjës Tiranë–Tepelenë e shoferi të kërkon 10 mijë lekë të vjetra, menjëherë mendon dy gjëra: ose ai bën shaka, ose e ka me të “futur” pasi e ka kuptuar se nuk je i atyre anëve. Por, pasi paguan lekët e bisedon me tepelenas e kupton se nuk është as njëra, as tjetra, është vetë realiteti i hidhur. Çmimi marramendës i biletës është si një taksë therëse për secilin nga banorët e këtyre anëve, pasi secili ka nevoja apo arsye të ndryshme për të udhëtuar drejt Tiranës. Drejt Tiranës do të udhëtojnë për të vizituar njerëzit e tyre, për një rast gëzimi a hidhërimi, për një vizitë mjekësore, për një hall apo për një tjetër, për një dokument a një gjyq, për shumëçka. Drejt Tiranës do të udhëtojnë studentët e nxënësit, me pak fjalë udhëtojnë ata që e kanë një hall. Të udhëtosh nga Tepelena në Tiranë apo anasjelltas thjesht për qejf, është pak e vështirë me atë çmim bilete. Tepelenasi për tre orë e gjysmë rrugë, në një furgon shpesh të shkatërruar, duhet ta paguajë 10 mijë lekë të vjetra. Dhjetë mijë të tjera i do kthimi, qoftë larg të mendosh për të pirë një kafe rrugës.
Asnjë logjikë nuk të çon në këtë çmim. Asnjë krahasim nuk i afrohet kësaj batërdie. Me katër mijë lekë të vjetra shkon nga Tirana në Kukës. Me shtatë mijë lekë ke arritur në Prizren. Me pesë mijë lekë shkon nga Tirana në Peshkopi në një rrugë shumë më pak cilësore se ajo e Tepelenës dhe me gjatësi të njëjtë sa ajo. Me 20 mijë lekë ke shkuar e je kthyer në Tiranë nga Prishtina aq sa do vajtje ardhje Tiranë–Tepelenë.
Kështu ka mbetur kjo punë ka kohë, të thonë tepelenasit, është stamposur dhjetë mijë lekë dhe nuk lëviz më. Shteti duhet të jetë rregullatori që të caktojë vlerën e biletës së udhëtimit për çdo destinacion e mbi të gjitha ta kontrollojë atë, të detyrojë shoferët të japin biletën me vlerën e përcaktuar sipas normave.
Në bllok janë shënuar shumë e shumë halle që kanë banorët e kësaj treve. Këtë herë po mjaftohemi për të bërë publike vetëm gjendjen skandaloze të shkollave dhe çmimin po skandaloz të biletave të udhëtimit, që rëndon xhepat e shpuar të njerëzve të shumëvuajtur. Herë tjetër do sjellim dhe të tjera pamje jo të këndshme nga kjo trevë që nuk e meriton të vuajë për shkak të të tjerëve, që nuk ka pse të paguajë për politikën e hallakatur.
Letër e nënshkruar
Petrit Zili
