Ndjeheni të lodhur, pa energji? Keni vështirësi për t’u përqendruar dhe jeni gjithmonë nervoz? Stina e bukur duket se sjell me vete më shumë probleme shëndetësore se sa përfitime për shqiptarët. Alergjia është vetëm një nga problemet dhe sëmundjet që lidhen me pranverën. Kalimi nga dimri në verë gjunjëzon shqiptarët shumë më tepër se sa i ftohti i acartë, ditët pa diell dhe viruset e ndryshme gripale. Ndërsa natyra rizgjohet, njerëzit pësojnë efektin e kundërt. Për ekspertët, 6 vetë në 10 preken nga lodhja kronike, shtimi i nivelit të stresit dhe nervozizmi. Nga mjekët, nutricionistët dhe ekspertët vjen vetëm një paralajmërim: “Mos nënvlerësoni, ose anashkaloni simptomat, pasi rrezikoni që ato të ndikojnë për një kohë të gjatë në mirëqenien psikofizike”. Pikërisht në këtë periudhë duhet t’i kushtoni vëmendje fizikut, por edhe psikikës. Nga ekspertët vijnë 10 rregulla që duhet të ndiqni për të kapërcyer pa u prekur “sindromën e letargjisë” që variojnë që nga nevoja për t’i kushtuar më shumë kohë dhe vëmendje vetes, deri tek kujdesi i veçantë për ushqimin.
Cilat janë simptomat e kësaj sëmundje të re “pranverore” ?
Simptoma më e zakonshme është lodhja kronike. Sipas ekspertëve njerëzit kur zgjohen kanë ndjesinë se janë më të lodhur se sa në momentin kur shkuan në shtrat. Gjithashtu një simptomë tjetër është shtimi i nervozizmit, luhatje të vazhdueshme humori ndaj çdo stimuli të jashtëm, ndërsa pakësohet dukshëm aftësia e përqendrimit. Këtyre i shtohen edhe vështirësitë respiratore (që bëhen simptoma më e dukshme e atyre që vuajnë nga alergjia ndaj poleneve) dhe shqetësimet e lidhura me oreksin dhe tretjen. Këto shqetësime ndjehen si në aspektin fizik, por edhe atë psikologjik.
Gabimet që duhet të shmangni gjatë kësaj periudhe?
Kryesorja është që të mos rrëmbeheni nga dembelizmi për të evituar çdo gjë që mund të lodhë trupin. Mos i përqendroni të gjitha kaloritë në një vakt, por kujdes edhe me aktivitetin fizik. Sporti i tepërt, ose e kundërta, mungesa e tij pas periudhës së dimrit janë të dyja sjellje që duhet të evitohen. I pari e lodh më shumë organizmin, i dyti pengon pastrimin nga toksina (helmet) e akumuluara gjatë dimrit. Në të njëjtën mënyrë, për të shmangur përkeqësimin e ndjenjës së lodhjes, shmangni ushqimet që kërkojnë një proces tretje veçanërisht të lodhshëm për organizmin. Përpiquni të eliminoni ekspozimet e gjata në parqe apo fusha, të cilat mund të shpërthejnë në reagime alergjie. Përsa i përket ushqyerjes, për 70 për qind të ekspertëve ajo është një nga elementet kryesore për të luftuar sëmundjet që lidhen me ndryshimin e sezonit. Në pranverë privilegjohen ushqimet e pasura me proteina, si mishi, peshku, përveç frutave dhe perimeve sezonale. Thojini “po” edhe djathërave të freskët, veçanërisht të pasur me elementë, mes të cilëve kalciumi. Ndërkohë duhet të eliminoni karbohidratet, kjo edhe për të për të rifituar gradualisht formën fizike pas dietave kalorike të dimrit. Përkrah një ushqyerje të lehtë dhe të shëndetshme, është e rëndësishme të pini shumë ujë për të ndihmuar organizmin që të dizintoksikohet. E nevojshme për të mbështetur ushqyerjen e shëndetshme është aktiviteti fizik e i rregullt. Kategoritë më të rrezikuara janë fëmijët dhe të moshuarit, imuniteti të cilëve rezulton të jetë më i dobët përballë ndryshimeve të stinës.
10 rregullat që duhet të ndiqni
- Dedikojini më shumë kohë dhe vëmendje vetes. Kjo është thelbësore për mirëqenien psikofizike. Sipas ekspertëve duhet t’i kushtoni kujdes të veçantë vetë-vlerësimit. Duhet të zgjidhni një moment të ditës vetëm për veten, t’ia dedikoni kujdesit tuaj, apo një pasioni, për të luftuar stresin dhe nervozizmin.
- Bëni të paktën 30 minuta aktivitet të lehtë fizik në ditë. Mos nxitoni të ktheheni në formë për verën. Ekzagjerimi me aktivitetin fizik është njësoj negativ si të mos bësh asgjë. Mjafton edhe një shëtitje, apo pak streçing. Në mëngjes kjo ndihmon të çlironi mendjen e për t’a përgatitur për angazhimet e ditës. Në mbrëmje shkarkon tensionet nervore dhe muskulore duke favorizuar gjumin.
- Kujdes ndaj sinjaleve që vijnë nga trupi juaj. Më shumë se në periudhat e tjera të vitit është shumë e rëndësishme të dëgjoni dhe të ndiqni nevojat e trupit tuaj. Sëmundje që rishfaqen, humor i keq, e i vazhdueshëm, çrregullime të oreksit që mund të jenë shenjë e ardhjes së një depresioni që më pas zvarritet për muaj me radhë.
- Kini kujdes dhe mos nënvlerësoni nevojën për gjumë dhe për çlodhje të organizmit. Rritja e orëve të dritës dhe ardhja e verës nuk do të thotë se dita aktive duhet të zgjasë 20 orë në ditë. Pas një dimri që ka dobësuar organizmin është thelbësore t’i dedikoni hapësirën e duhur orëve të gjumit, por pa e ekzagjeruar, duke qëndruar në shtrat në pjesën më të madhe të ditës.
- Shtojcat ushqimore janë të nevojshme për të plotësuar mangësitë që krijohen për shkak të ushqyerjes së pabalancuar. Vitaminat e duhura, kripërat minerale janë të domosdoshme në këtë periudhë. Xhenseni dhe mjalti janë energjizuesit më të mirë. “Gikngo Biloba” nxiton qarkullimin gjakut dhe nxit përqendrimin.
- Kombinoni punën, apo studimet me momentet e pushimit. Organizimi i ditës duhet të përfshijë vaktet kryesore dhe çlodhjen. Preferoni mëngjesin për aktivitetet që kërkojnë më shumë përqendrim, sepse mund të përthithni më shumë. Çdo dy orë pune, ose studimi këshillohet të bëni 30 minuta pushim.
- Mos shkaktoni çekuilibrime të ushqyerjes. Mos kapërceni vaktet, sepse kjo dobëson dhe ngadalëson përqendrimin. Në të njëjtën kohë nuk duhet të konsumoni ushqime fast-food që nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtojnë ndjesinë e lodhjes. Konsumoni vakte të lehta, por të shpeshta dhe të pasura me proteina dhe vitamina. Si ëmbëltues është mirë të zgjidhni frutat, sepse janë natyrale, të tretshme dhe energjike.
- Kujdes ndaj luhatjeve të temperaturave dhe zgjedhjes së veshjeve. Ardhja e stinës së bukur nuk duhet t’ju mashtrojë. I ftohti, gripi dhe sëmundjet dimërore janë akoma të pranishme dhe gjejnë terren të përshtatshëm në organizmat e dobësuar. Pra, jini të kujdesshëm me atë që vishni në mëngjes para se të dilni nga shtëpia. Preferoni veshje me shtresa që bëjnë të mundur përballimin e luhatjeve të papritura të temperaturës.
- Mbani mend rëndësinë e lëngjeve. Këshilla për të pirë shpesh lëngje është e vlefshme edhe në pranverë. Hidratim i vazhdueshëm është i rëndësishëm për të ndihmuar organizmin që të eliminojë toksinat e akumuluara gjatë dimrit dhe për t’i bërë ballë djersitjes për shkak të ngritjeve të temperaturave.
- Kthehuni në formë gradualisht. Filloni tani të kontrolloni ushqyerjen dhe të reduktoni yndyrat dhe karbohidratet. Në këtë mënyrë duhet të evitoni dietat radikale para pushimeve, sepse janë të rrezikshme për shëndetin dhe mirëqenien.
Recetat bimore që vijnë në ndihmë të lehtësimit të alergjive
Alergjia ndodh kur sistemi imunitar reagon në mënyrë të ekzagjeruar përballë një alergjeni, i cili mund të arrijë indet nga kontakti i drejtpërdrejtë me lëkurën, me membranat, ose përmes qarkullimit të gjakut pas përthithjes. Shembuj të alergjenëve janë polenet, bimët, pluhuri, produktet kozmetike, qimet e kafshëve, vaksinat dhe ilaçet. Gjithashtu, agjentë fizik të tillë si, ngrohja, i ftohti dhe rrezet e diellit mund të shkaktojnë alergji. Po ashtu shumëllojshmëria e ushqimeve të tilla si portokall, qumësht, vezë, grurë, peshk, çokollata, domate, dhe luleshtrydhe japin efekte alergjike në njerëz të caktuar. Është e rëndësishme të dini se simptomat e alergjisë nuk shfaqen që herën e parë që trupi bie në kontakt me një alergjen, sepse është i nevojshëm ekspozimi i vazhdueshëm në mënyrë që sistemi imunitar ta konsiderojë alergjenin si substancë të dëmshme, për të krijuar më pas një reagim mbrojtës. Ndër simptomat më të zakonshme të alergjisë janë: Kongjestion i hundës, kollitje, teshtitje, gulçim, dhimbje koke, lodhje, të vjella, marramendje, diarre, skuqje sysh, lotim, djegie, kruarje, skuqje, ënjtje.
Recetat bimore
- Hudhra është një ilaç i shkëlqyer natyror kundër alergjive. Kështu, rekomandohet që njerëzit që vuajnë nga ky shqetësim ta konsumojnë sa më shumë.
- Në disa zona bregdetare të Amerikës është përdorur gjerësisht kripa e detit. Për këtë, tretet gjysmë luge çaji kripë deti në ujë të filtruar. Më pas thithni për 20 sekonda pak nga uji me njërën nga vrimat e hundës duke mbyllur tjetrën. Përsëritet kjo procedurë me vrimën tjetër dhe më pas uji nxirret nga goja. Nëse personi që ka alergji e ka të vështirë të thithë ujin drejtpërdrejt, mund të përdorni një pikatore. Për këtë arsye gjyshet thoshin se banjat në det gjithashtu janë të dobishme dhe pozitive për shëndetin e personave alergjik dhe me sinozit.
- Nëse i keni kanalet e hundës të bllokuara, mund të përtypni një thelpi hudhër dhe shumë shpejt do të vëreni se mund të merrni frymë lirisht.
- Një ilaç natyral vërtet i çuditshëm është të fërkoni veshët derisa ato të nxehen. Ky veprim do të shërbejë për lirimin e hundëve.
- Një tjetër ilaç është të përtypni një flet hojesh mjalti për dhjetë minuta për të zhbllokuar sinuset e alergjikëve.
- Lulja e shtogut lufton skuqjet dhe inflamacionin e lëkurës të shkaktuar shpesh nga alergjitë. Për ta bërë këtë, vloni ½ l ujë dhe pasi ta keni hequr nga i nxehti shtoni 3 lugë lule shtogu dhe liheni të qëndrojë për 1 minutë. Duhet të thithni avujt e këtij infuzioni, i cili lehtëson kongjestionin e hundës. Për një efektivitet më të madh duhet aplikuar ende i ngrohtë, me ndihmën e një shtupe pambuku, në zonat e lëkurës ku janë shfaqur shenjat e alergjisë.
- Njerëzit të cilët vuajnë nga riniti alergjik, apo alergjia ndaj poleneve mund të përpunojnë këtë lëng që përmban përbërësit: 4 lugë uthull, 1 filxhan ujë, pak lëng rrepkash dhe pak limon, nga i cili duhet të pini një gotë në ditë për 5 ditë.
- Përzieni 1 filxhan krunde në një litër uji dhe vendoseni këtë në zonën ku janë shfaqur simptomat e alergjisë.
- Hidhni në 1/2 litër ujë valë, 1 lugë gjelle sherebelë, 1 rozmarinë dhe 1 hithër. Mbuloheni kullojeni dhe lëreni të ftohet. Piheni këtë çaj gjatë gjithë ditës.
Rekomandime për personat me alergji ushqimore
- Mbani shënim çdo gjë që konsumoni për të identifikuar alergjenin.
- Mos konsumoni ushqimet e mëposhtme derisa të përcaktoni nëse jeni alergjik ndaj tyre: mish, kafeinë, çokollatë, agrume, misër, vezë, tërshërë, produkte të proçesuara, domate, salmon, luleshtrydhe dhe grurë.
- Evitoni produktet që përmbajnë ngjyruese artificialë.
- Konsumoni sasi të mjaftueshme ujë për të lagështuar mukusin dhe lehtësuar kollitjen.
- Konsumoni qumësht soje, nëse jeni alergjik ndaj qumështit, apo djathit shtazor.
Rekomandime për personat me alergji ndaj poleneve
- Instaloni një kondicioner (si në shtëpi, ashtu dhe në makinën tuaj) dhe mbani të pastër filtrat.
- Mos pini duhan, pasi tymi i duhanit mund të përkeqësojë alergjinë.
- Shmangni erërat irrituese të gazit, bojës, tymit dhe parfumit.
- Jepini gji fëmijës për të paktën gjashtë muaj nëse është e mundur. Kjo ndihmon në parandalimin alergjive.
- Mbani shtëpinë të pastër dhe pa pluhur.
- Largoni sendet që zakonisht akumulojnë insekte, si qilimat.
- Pastroni me leckë të lagur dhe vakum sipërfaqet e tavolinës dhe dyshemesë në dhomën e gjumit të fëmijës tuaj, ose në zonën ku ata luajnë.
- Ruajini revistat, librat dhe gazetat në rafte të mbyllura për të parandaluar akumulimin e pluhurit.
- Mbani dyert dhe dritaret e mbyllura sa më shumë të jetë e mundur.
- Përdorni një maskë për fytyrën (siç e përdorin mjekët dhe infermieret në sallën operative) kur bëni punët e shtëpisë, sidomos ato të kopshtarisë.
Kur duhet të shkoni tek mjeku
- Duhet të kërkoni menjëherë ndihmën mjekësore nëse ju shfaqen simptomat e mëposhtme:
- Bllokim në gjoks që vështirëson frymëmarrjen.
- Shtim i shpejtë, në sasi dhe madhësi, i njollave në trup gjë që mund të tregojë një shok anafilaktik.
Përgatiti: Ornela Jaupi
