Kajo Karafili, “edhe i vdekur i tmerroi armiqtë me sy”!…

anazapta

Një çerek shekulli më parë, aty nga muaji prill i vitit 1987, ndërsa gjendesha në zyrën e punës, dikush më troket. U ngrita, hapa derën dhe përballë meje qëndron veterani i LANÇ –it, Novruz Gjergjova. Meqë në ato kohë ishim në valën e punës për ngritjen e Muzeut Historik të rrethit menjëherë më shkoi mendja se veteranin duhej ta kishte shqetësuar diçka që lidhej me muzeun. Ky veteran, përveçse kishte qenë në formacionet partizane të çetës së babë Myslimit unë e respektoja edhe për faktin se ishte edhe mik i babait tim. Pasi u përshëndetëm, futi dorën në xhepin e brëndshëm të xhaketës kadife dhe më vuri përpara syve një fotografi, e cila gadi më bëri të shtangesha. Në celuloid pashë një njeri të vrarë, të mbështetur pas murit të një godine me tulla e i fiksuar me dy dërrasa. Ishte një fotografi makabre e Heroit të Popullit, Kajo Karafili, njerit prej heronjëve më të lavdishëm të Luftës së Dytë Botërore dhe njerit prej luftëtarëve më të sprovuar të Çetës së Parë Partizane të Europës në luftën kundër fashizmit. “Kur kisha Kajon në krah, më dukej sikur kisha një batalion”, thoshte shpesh Myslim Peza, kur bëhej fjalë për këtë hero. Ai  dhe i vdekur, duket sikur na thotë: “Nuk dua të më qani, por mos më harroni !”.
Në kërkim ngjarjes

Kur ia tregova fotografinë babait tim, ai ndjeu keqardhje për Kajon, sepse i donte shumë trimat dhe të tillë ai quante vetëm ata që vetësakrifikohen për të tjerët si dhe ata që dinë ta përmbajnë zëmërimin. Trimat, gjithashtu, janë edhe të zgjuar, – më thoshte babai im, i cili qysh në vitin 1942 ishte futur në çetën antifashiste partizane të Myzeqesë. Babai më rekomandoi të shkoja në Tiranë dhe të takoja shokët më të mirë të Kajos, Safet Kurtin ose komisarin e bataljonit të tretë, Sali Verdhën, dy nga partizanët më të guximshëm të njesiteve guerrile të Tiranës e të Pezës në vitet e okupacionit fashist, për t’ua treguar këtë foto. Edhe Safeti, i cili në kujtesën time ka mbetur një njeri i kulturuar, i thjeshtë dhe i qetë, kishte një arkiv të mrekullueshëm për shokët e luftës dhe i ruante ato me shumë kujdes. Ai më tregoi disa fotografi të Kajos, i veshur si milic, xhandar e i maskuar për të kryer atentate kunder fashisteve dhe kolaboracionisteve. Ai më dhuroi një fotografi më të pastër, më të madhe dhe më të qartë që po botojmë sot. Kur takova veteranin Sali Verdha, më habiti elokuenca dhe bukuria e të treguarit. Ai e ndjente atë që më thoshte. Nga ky veteran i nderuar mësova se në ç’rrethana u vra ky hero, si u zbulua pas 11 ditësh pas vrasjes varri i tij dhe kush ia tregoi varrin komandantit ballist, Ram Habili. Kush ia tregoi varrin komandantit ballist, Ram Habili?!…

Më tej veterani i nderuar më thotë se në Pezë babë Myslimi dhe ne partizanët kishim një mik, i cili ishte në gjëndje të mirë ekonomike. Nuk ka dëshirë të jap emrin e tij, jo vetëm për etikë, porse ky person qe i lidhur me luftën dhe nuk qe njeri i keq. Por, ja, një ditë në fshat erdhën ballistët e Ram Habilit dhe ia rrëmbyen 50 dele e dhi dhe nja 5 lopë, pa llogaritur pulat. Ballisti Ram Habili, i cili deri në kapitullimin e Italisë kishte qenë pjesëtar i çetës se Babë Myslimit, dhe me ardhjen e gjermanëve u bashkua me ta, duke ditur miqësinë e këtij personi me Babën e shtërngoi me kobure në kokë, që t’i tregonte vëndin se ku ishte varrosur Kajo Karafili duke i dhënë fjalën se bagëtitë e grabitura do t’i ktheheshin. Ky person, kishte miqësi të dyfishtë: dhe me Myslim Pezën dhe me Ram Habilin. Por kur Rama u bë bashkëpunëtor me gjermanët, ai nuk e përfillte më atë. Ai, ca i kërcënuar nga koburja e Ramës dhe ca nga dëshira për të marrë bagëtitë, e tregoi vëndin ku ishte varrosur heroi ynë Kajo Karafili. Pra në ditën e njëmbëdhjetë pas vrasjes, pra më 21 janar 1944. Rama, si i pabesë nuk e mbajti premtimin për kthimin e bagëtive të vjedhura.
Nëpër rrugët e Kavajës e Shijakut

Partizanët dhe disa fshatarë nga Cikalleshi e kishin varrosur Kajon në një lëndinë të vogël të rrethuar me pemë shekullore. Pasi e çvarrosën, komandanti ballist, Ram Habili me të vetët dhe gjermanët, e shëtitën trupin e pajetë të Kajos  nëpër rrugët e Kavajës e Shijakut me karrocë, e ekspozuan atë katër ditë në një faqe muri me tulla, atje, ku sot gjendet kinemaja, mu në mes të qytetit dhe një ditë në Shijak. Falë të ftohtit të madh, ngricave të atij janari të vitit 1944, falë varrit të thellë, që i bëmë ne shokët e tij dhe shëndetit të tij shumë të mirë, kufoma e tij rezistoi shumë ditë, pa marrë erën e të vdekurit – vazhdon rrëfimin komisari i partizanëve Sali Verdha.

 

Dhimbje që çan gurin 

Kisha lexuar se Myslim Peza e donte tej mase Kajon, sepse e kishte provuar në Resnje të Maqedonisë, por edhe si komandant të batalionit të tretë të Grupit Partizan të Pezës. Ai e kishte rritur pothuajse vetë. Kajo Karafilin dhe më herët, Lam Lekën e Ndroqit, ai i vlerësonte për trimërinë dhe besnikërinë e tyre. Thonë që Myslim Peza, nga dhimbja, që ndjeu, shkuli qerpikun e syrit. Imagjinova dhimbjen dhe dëshpërimin e partizanëve.

Përfytyrova në ato çaste të fejuarën e Kajos, mbesën e babë Myslimit, Myrveten, e cila sapo mori vesh vrasjen e të dashurit të saj, vrau veten me një pistoletë tip – beretë. Në çastin që po jepte shpirt ajo u mundua të nxirte nga xhepi i pantallonave një monedhë, që xhaxhai i saj, Myslim Peza, ia kishte falur për t’i bërë një unazë të fejuarit të saj, Kajos. “Jepja xhaxhait, s’më hyn më në punë” – i tha komisarit të batalionit, Sali Verdhës dhe menjëherë perëndoi sytë përgjithëmonë. Në këtë ditë u vranë në pozicione luftimi edhe partizanët Mustafa Lleshi e Bajram Tusha.

 

Ç’më kujtoi fotografia!…

I mbërtheva sytë mbi fotografinë e Kajos me një mall si të doja të shikoja një njeri që kisha vite pa e parë. Plumbi e kishte marrë Kajon në vetullën e majtë. Megjithatë, fytyra e tij, me flokët e valëzuara e ballin e gjerë, të linte përshtypjen e një njeriu, që e ka zënë gjumi pas një marshimi të gjatë. Unë përfytyroja dhe xhaxhain tim, Mihal Jano, edhe ai dëshmor i Luftës Antifashiste Nacional – Çlirimtare, rënë në luftën për liri në fshatin Çemerricë të Korçës më 10 janar të vitit 1944, me të gjashtë shokët e vet antifashistë nga Myzeqeja. Ai u vra po në atë ditë kur është vrarë dhe Kajo Karafili, pra, kundër gjermanëve dhe bashkëpunëtorëve.

 

Pas kësaj çfaqjeje të shëmtuar… 

Ato ditë egërsie, ekspozimi i Heroit të Popullit, Kajo Karafili në atë gjëndjë ishte një nga shfaqjet më të shëmtuara, jo vetëm për qytetarët e thjeshtë të Kavajës dhe Shijakut, por edhe njerëzit e pasur të qytetit. Emrin e tij e njihnin që të gjithë, por për së gjalli nuk e kishin parë. Trupin e tij e vështronin plot plaka të moshuara nga më fetaret, plot gra dhe vajza me sy të trishtuara, të cilat fshehurazi fshinin pikat e lotit të dëshpërimit. Pastaj ato largoheshin dhe në gjumin e thellë iu çfaqeshin në ëndërr kufoma  të përgjakura dhe, që klithnin në gjumë aq fort, sikur të ishin pjesëtare të komunitetit të çmëndinave. “Ah, ç’torturë, ç’tmerr të shohësh spektakle të tilla!” – pëshpërisnin diku midis turmës ca djem të shkolluar. Disa diskutonin me zjarr, të tjerë, por të pakët në numur, ishin nga ata njerëz që vinin nga dopo lavorot e që vështronin çdo gjë që ndodh në këtë botë më kapadaillëk, duke kruar hundën.Vetë fakti që populli i Kavajës e mori trupin e Kajos me lot në sy, e rivarrosi në varrezat e qytetit duke ia mbushur varrin me lule të freskëta, tregon se ai i kishte rezervuar këtij trimi një vend të pavdekshëm në zemrën e tij.

 

Historia e LANÇ-it, metafora më e bukur e historisë së Shqipërisë

Të mohosh Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër fashizmit, të diskutosh vërtetësinë e kësaj lufte, të zbehësh e të mohosh sakrificat e partizanëve, do të thotë të mohosh historinë e vendit tënd. Historia e LANÇ –it, përbën njërën nga vlerat më të mira kombëtare dhe është metafora me e bukur e historisë së Shqipërisë. Të mos lejojmë që sëpatat e disa të verbërve nga shpirti, të godasin mbi historinë gjuhën, kulturën dhe intelektualët tanë. Të mos lejojmë që tokmaku i urrejtjes të godas pa mëshirë historinë e luftës tonë antifashiste nacional – çlirimtare. Të veprojmë që nesër të mos e ulim kokën para të djeshmes dhe para brezave, që do të vijnë. Është lavdi të vdesësh, por është dhe nder të rrosh për një ide. Mjerimi i sotëm është i tillë, sepse është realitet i veprimeve të mjera, bartës të së cilës janë të mjerët.

 

Jovan Jano
Studiues dhe publicist

Share This Article
10 Comments
  • LANCL. eshte epopeja me e ndritur e poullit shqiptar . U fitua liria , por dhane jeten 28 mije bij e bija ne lulen e rinise. Kush harron gjakun e tyre , nuk eshte shqiptar. Kujtimi i tyre do te rroje ne jete te jeteve!!

  • jam krenar qe jam pezak , krenar per kete vend qe ka rritur e edukuar . njerz trima , trima dhe luftetare e patriote te zot qe dhane jeten e tyre ne lulen e rinise . kush mohon gjakun dhe mundin e tyre as me pak dhe as me shume , heq nje pjese te historise tone te mrekullushme .

  • LANCL, zoti Jovan muk mund temohohet kurre! Ata qe perpiqen tamohojne e kane kot, nuk “mbulohet dielli me shoshe!” – thote populli.

    • Shko more injorant se le Nam me keto budallalleqe. Nje njeri qe ka bashke punuar me okupatorin gjerman njeri nderi? E ka pas mire Fail Konica, njerez si ty I hedhin balte ketij kombi. Te zente haku I gjithe atyre heronjve qe kane dhene jeten per kete komb.

  • Të lumtë shoku Jano, për këtë shkrim shumë realist dhe fort emocionues!
    E lexova, – siç thuhet “me një frymë”!

    Ata burra të mëdhenj të kombit shqipar, apartizanët trima të bacë Enverit dhe të Babë Myslimit, ishin nderi dhe krenaria e atdheut, ishin mbrojtësit e tij.
    Gjithashtu, edhe heroinat partizane ishin shtyllat e fuqishme që atdheun e mbajtën në këmbë,
    e çliruan nga fashistët dhe tradhtarët e vendit.
    Sa herë kur mbi sipërfaqe të atdheut,
    Do të dalin, xhelatë-katila,
    Kurdoherë, do të lindë Shqipëria Jone,
    Trima, Kajo Karafila!
    Lavdi komandantit legjendar, Enver Hoxhës!
    Lavdi dëshmorëve të atdheut!

  • Kajo Karafili ishte nje vrases ordiner dhe imoral. Nuk ishte e fejuara e tije mbesa e babe Myslymit por e dashura e tije. Mbesa e babe Myslymit ishte e fejuar diku tjeter dhe per kete arsye e vrane Kajon.Pra eshte ceshtje nderi.Kajo perfitoi nga mbrojtja qe kishte prej babes dhe permbysi kupen atje ku hengri buken. Mbesa e babes apo vajza e Shyqyriut nuk vrau veten por e vrane sepse ishte ceshtje nderi.Edhe Shyqin e vrane me plumb pas shpine. Hapini syte e lexoni te vertetat. Mjaft me kete histori te fallcifikuar me balliste qe vjedhin pula. kajo pse ishte larguar nga fshati i tije? Pse vrau e iku ne Jugosllavi? Si jetuan kaq vjet baba dhe Kajo ne Jugosllavi? Kush i financonte? baba dhe haxhi lleshi ishin njerezit qe punonin per Jugosllavine.

    • Ti ja fut kot o bos .kajua vrau beun e staroves se ja kishte vrare babain dhe u aratis pastaj takoj bab myslymin po ja fut kot ti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *