Nervi shiatik shihet si një ndër sëmundjet e shpeshta që shfaqet në moshat aktive, kryesisht tek ata persona që bëjnë punë që kanë të bëjnë me ngritje peshash, si dhe tek ata që janë të detyruar që të qëndrojnë për një kohë të gjatë në këmbë, teksa së fundmi po shfaqet edhe tek ata persona që qëndrojnë për një kohë shumë të gjatë në të njëjtin pozicion, siç mund të jetë qëndrimi para kompjuteri, qëndrimi në timon për shumë gjatë, etj. Referuar të dhënave të raportuara nga institucionet shëndetësore nervi shiatik prek më shumë meshkujt. Sëmundja mund të shfaqet me dhimbje të forta, të cilat fillojnë menjëherë dhe që në gjuhën e përditshme pacienti ankohet se ka këputur mish. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekja Ilda Xhelili, tregon se në përgjithësi dhimbja e shkaktuar nga nervi shiatik nis në zonën mediale dhe përhapet më pas në këmbë duke shtuar intensitetin e dhimbjes. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar këshillat e plota se si duhet kuptuar dhe trajtuar kjo sëmundje.
Si duhet ta kuptojmë sëmundjen e nervit shiatik?
Nervi shiatik është fija më e gjatë nervore në trupin e njeriut. Ky nerv fillon që nga zona e mesit, në vertebrën e katërt të belit (vertebra e katërt lumbare), vazhdon me zonën e kërbishtit, në zonën e të ndenjurave, zbret poshtë në pjesën e pasme të kofshës, në gropën pas gjurit, zbret përgjatë pulpës së këmbës, e deri poshtë në shputën e këmbës. Pra rrugëtimi i nervit shiatik është mjaft i gjatë. Trajtimi i dhimbjeve të nervit shiatik varet nga shkaktarët themelorë të dhimbjes, si edhe ashpërsia e dhimbjeve.
Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të dhimbjeve të nervit shiatik ?
Më së shpeshti, dhimbja e nervit shiatik është si rezultat i hernies diskale, pra i zhvendosjes ose dëmtimit të vertebrave pikërisht aty ku kalon dhe nervi shiatik, gjatë së cilës bëhet edhe komprimimi (shtypja) e fijes nervore dhe rrjedhimisht duke çuar në perceptimin e dhimbjes. Shkaktarë të tjerë mund të jenë infeksione të ndryshme (inflamacione) të kockave që janë afër me këtë zonë, hemorragji të ndryshme në atë zonë, plagosjet, aksidentet, traumat, etj. Kjo situatë mund të krijohet edhe gjatë shtatzanisë si rezultat i shtypjes së nervit shiatik nga uterusi (mitra) i zmadhuar gjatë kësaj periudhe. Faktorë risku janë edhe artritet degjenerative të vertebrave të belit, të kockave të bacinit (legenit), si edhe sëmundjet e disqeve vertebrale.
Cilat janë shenjat klinike kryesore të dhimbjeve të nervit shiatik ?
Dhimbjet mund të jenë nga më të lehtat e deri në pamundësi për të lëvizur. Lloji i dhimbjes mund të perceptohet si ndjesia e djegies, mpirjes, ndjesia si miza – miza ose shpimi si gjilpëra pikërisht në zonën e poshtë mesit që përhapet në të ndenjurat, në pjesën e pasme të kofshës dhe drejt pulpës së këmbës. Dhimbjet mund të shkaktojnë vështirësi në përkuljen e mesit, vështirësi në të ecur deri në pamundësi. Shpesh dhimbja lirohet në pozicionin shtrirë dhe lehtësimi i dhimbjes mund të jetë i pjesshëm ose i plotë.
Si përcaktohen dhimbjet e nervit shiatik ?
Sigurisht që në radhë të parë duhet të konsultoheni me mjekun tuaj të familjes. Është ai që bën ekzaminimet e para klinike dhe pastaj bën referimin përkatës tek mjeku specialist rheumatolog, neurolog apo ortoped. Nga pikëpamja klinike ka rëndësi rruga që ndjek dhimbja sipas rrugës anatomike që përshkon nervi, rrugë të cilën e treguam më lart. Pastaj janë edhe një sërë ekzaminimesh të tjera që përcakton mjeku specialist për të bërë diagnozën diferenciale edhe me ndonjë patologji tjetër të mundshme.
Çfarë rekomandohet për trajtimin e dhimbjeve të nervit shiatik ?
Në radhë të parë rekomandohet pushim, regjim shtrati, për të minimizuar sa të jetë e mundur sforcimet e këtij nervi. Regjimi i shtratit mund të shkojë gjashtë deri në tetë javë. Kjo varet edhe nga shkaktari që ka shkaktuar dhimbjen. Në rastin kur shkaktare e dhimbjeve të nervit shiatik është hernia diskale, në shumicën e rasteve kërkohet ndërhyrje kirurgjikale. Gjatë kësaj periudhe, natyrisht që përdoren edhe qetësues të dhimbjeve të rekomanduara nga mjeku. Në rastin kur shkaktarë të dhimbjes janë sëmundje të ndryshme që i përmendëm më sipër, merr rëndësi të dorës së parë trajtimi i tyre për të lehtësuar kështu dhimbjen. Për shumicën e rasteve me dhimbje të nervit shiatik, një program i veçantë stërvitjeje progresive i hartuar nga mjekët fizioterapistë, mund të rezultojë mjaft i dobishëm. Këto rekomandohen pasi ka kaluar faza e parë e dhimbjeve, të cilat trajtohen me regjim shtrati, qetësues dhimbjesh apo ndërhyrje kirurgjikale. Ushtrimet specifike synojnë të zvogëlojnë dhimbjet shiatike në të ardhmen e afërt apo parandalimin e rishfaqjes së ardhme të dhimbjes. Edhe pushimet e gjata janë të dëmshme. Pa stërvitje dhe lëvizje fizike muskujt e kofshës dhe të pulpës mund të dobësohen, duke ulur kështu edhe aftësinë për të qëndruar në këmbë apo lëvizur. Ushtrimet fizike janë të domosdoshme edhe për ruajtjen e lëvizshmërisë natyrale të vertebrave të shtyllës kurrizore. Ecja e përditshme, fillimisht e ngadaltë, është mjaft e dobishme. Gjithsesi për trajtimin e dhimbjeve të tilla kërkohet një bashkëpunim i ngushtë mjek familjeje, mjek specialist dhe fizioterapist. Përveç masazheve këshillohet që të përdoren edhe kurat bimore, ku një ndër më të përdorurat është zierja e gjetheve të urthit, konsumi i të cilave ndihmon në reduktimin e dhimbjeve.
* * *
Një libër në pritje…
Entela Binjaku, sociologe
Kafenetë dhe koha e lirë e të rinjve në Shqipëri janë bërë prej vitesh sinonim i njëra-tjetrës. Të çelura me shpejtësi kudo, kafenetë kanë përmbushur në të njëjtën kohë të gjitha ato funksione që ka koha e lirë: “argëtimin, rekreacionin dhe pushimin”. Sot t’i drejtosh pyetjen një të riu apo të reje, kryesisht në qendrat urbane të vendit sesi e kalon kohën e lirë, përgjigja e parë, më e shpejta, hera-herës dhe e vetmja që do të marrësh është: “në kafe me shoqërinë”. Në zonat rurale kjo përgjigje është e tillë, por e kufizuar dhe e zëvendësuar ndonjëherë nga bilardoja. Kështu ka qenë edhe 5 vjet më parë. Kështu edhe 10 vjet më parë… Kështu, e ka kaluar kohën e lirë një i ri, apo e re kur ishte 15 vjeç, kështu e kalon edhe tani që është 20, 30 vjeç apo dhe më shumë.
Kohët e fundit institucioni qendror përgjegjës për kulturën në vend, Ministria e Kulturës ka shpallur mbështetjen për kafenetë-librari. Në kryeqytet janë dy a tre të tilla. Në qytetet e tjera mungojnë tërësisht. Kjo nismë në dukje është pozitive dhe përvojë e njohur në vendet e tjera evropiane, por tek ne edhe në ato dy apo tre raste, ka marrë më shumë kuptim kafeja dhe ka mbetur jashtë interesit libri. Për të ilustruar këtë po sjell një shembull.
Para disa ditësh në një nga kafenetë librari të kryeqytetit u zhvillua një takim promovues i një libri i që fliste për një nga temat më të dashura për njeriun, siç është lumturia.
Për t’a përcjellë tek lexuesi shqiptar, grupi i punës që e solli në gjuhën shqipe, kishte zgjedhur këtë mjedis ku autori do të zhvillonte me të pranishmit një bashkëbisedim të çlirët, pa korniza dhe demokratik në të njëjtën kohë. Çdo i pranishëm mund të dëgjonte përvojën e punës së rrëfyer nga vetë autori pa e kushtëzuar veten aspak nga një mjedis me të cilin shqiptarët janë familjarizuar shumë: kafenetë. Ata që erdhën për promovim ishin të interesuar deri në fund. Ata që gjetëm kishin zgjedhur kafenë dhe as u interesoi libri.
Ajo që më bëri përshtypje ishte fakti sesi ishte e mundur që disa nga të rinjtë që i gjetëm aty nisën të bënin muhabet, a thua se ajo kafe nuk ishte gjëja që e bënin çdo ditë, pa pasur as më të voglin interes për atë aktivitet që të tjerët po jua ofronin falas. Indiferentë, për çfarë po ndodhte, për çfarë po flitej, kush po fliste. Indiferencë ndaj kulturës.
Edhe pse ju tërhoq vëmendja disa herë nga “të zotët e shtëpisë” gumëzhinin nga muhabeti. Dikush filloi edhe të lexonte mesazhe nga celulari me zë.
Një nga metodat që përdorin sociologët në fushën e kërkimit është vëzhgimi. Zakonisht kjo përdoret metodë kur kërkimi ka si objektiv të kuptuarit të një sjelljeje në mënyrë të thelluar. Sigurisht të vëzhguarit e kafeneve të mbushura me të rinj në çdo orë të ditës mund të jetë një dukuri e papërfillshme për të tjerët. Për shembull prindërit (për fëmijët) mendojnë se më mirë të rrinë me orë në kafe sesa të gjenden në situata të tjera edhe më të papëlqyera. Por sociologët kanë edhe këndvështrime të tjera për t’i afruar këtij fakti.
Nëpërmjet metodës së vëzhgimit ata i shtojnë kësaj dukurie edhe faktet se të rinjtë qëndrojnë gjatë, bisedojnë gjithmonë e më pak me njëri-tjetrin, komunikojnë më shumë me telefonat, ose bëjnë vëzhguesit e të tjerëve të cilët sillen pak a shumë si ata vetë.
Ky argëtim apatik ka zëvendësuar thuajse çdo formë tjetër që njihet tek bashkëmoshatarët e tyre në Evropë.
Vëzhgimet tona sociologjike tregojnë se kjo dukuri nuk është e panjohur, ajo e tillë ka qenë edhe 100 vjet më parë. Një nga sociologët e parë shqiptarë, Mit’hat Frashëri shkruan “në mes të kafes dhe cigares, shqiptari vështron dhe pret. Fati i tij quhet të presim. Jeta e tij quhet nesër”.
Pra, tablosë së vjetër i është shtuar celulari, arredimi luks i kafeneve, ndriçimi, plazmat në sfond dhe ndonjë kanal muzikor. Të gjithë në pritje, pa punë, pa motiv, pa pasione.
Po e ardhmja? A do ta ndihmojë të ardhmen e ndryshme çuarja e librave në kafe?
Nëse ai promovim nuk do të ishte thjesht një bisedë e vogël, me sponsorizim për folësit dhe falas për dëgjuesit, por do të kthehej si një konkurs me një trofe apo një çmim për dëgjuesit-lexues, me siguri ata të rinj indiferentë nuk do të mbeteshin të tillë, por do t’i bashkoheshin të interesuarve për dijen dhe kulturën.
Sociostili kulturor i të rinjve shqiptarë sot është si ai i një shekulli më parë, që mezi i afrohen librit edhe pse janë shkolluar më shumë dhe kanë më shumë diploma, sepse më shpejt e me më shumë dashuri i afrohen kafesë.
Por pavarësisht trashëgimisë së të shkuarës, të rinjtë shqiptarë sot gjenden nën presionin e kërkesave të shoqërisë së masës, njëlloj si të rinjtë evropianë, ndërkohë që universit kulturor të librit i janë afruar nga perspektiva të ndryshme.
Bashkëmoshatarët e tyre evropianë i janë afruar në mënyra më nxitëse dhe më stimuluese dhe “një kafe dhe një libër”, një praktikë shumë e zakonshme, mbështetet në një traditë tjetër të afrimit me librin që ka përcaktuar një tjetër sociostil.
Ndërkohë që ne duke jua çuar librin tek kafeja, nuk kemi bërë gjë tjetër veçse apatisë së krijuar tek ata në vite, i kemi shtuar një dekor libri.
A është kjo mënyra për të përftuar një shoqëri të nesërme të ndryshme nga kjo që kemi?
Çdo ditë e më shumë komunikimi në shoqëri po kryhet në nivelet e agjencive dytësore, ndaj do të ishte më mirë të ishim të kujdesshëm dhe të vëmendshëm ndaj perspektivave afatgjata të edukimit, ku libri është një pasuri e çmuar.
Duhet të gjejmë disa praktika që ta ndihmojmë të ndikojë në edukimin e të rinjve sepse libri ka të vibrojë e jo të flejë në disa rafte të rinj, këtë radhë kafenesh.
E meqë e kemi të vështirë t’u largohemi “kafeneve” përvoja evropiane na ka treguar edhe për “suspended coffe” por edhe për fushata të “suspended book”. Ndoshta duhet të mësojmë edhe nga këto!

PROBLEMI QE PO TRAJTONI ESHTE VERTET SHQETESUES. PER MUA LIBRIN NUK E ZEVENDESON AS TV – ni E AS INTERNETI. DHE NGA SHTEPITE BOTUESE DUHET TE KETE NJE KRITIK ARTI,I CILI TE JAPE NJE RECENSE PER BOTIMIN E LIBRIT SEPSE KA MJE SASI TE MADHE LIBRASH, TE CILET NUK E KANE NIVELIN ARTISTIK PER BOTIM.