Dikur, hero ishte ai që shkruante; sot hero është ai që lexon!…
Xhevahir Spahiu
S’është aspak e lehtë të shkruash një libër! E lehtë, s’është, por edhe e lehtë është! Sidomos tani është bërë fare e lehtë: Shkruaj ç’të vjen ndër mend, jepja ndonjë “gjuhëtari” të ndreq ato që mund të ndreqë, të shkruara nga një gjysmëanalfabet, futi ca fotografi familjare, futi në fund dhe ca konsiderata e lëvdata për autorin e librit (që ende nuk ka dalë), shto ca faqe marifetesh kompjuteri për të rritur numrin e faqeve, kërkoju edhe atyre të shtypshkronjës ta shtypin me letër voluminoze që libri të dalë i trashë…dhe ja ku e ke librin në dorë!
Po, se për pak harruam! Tani ngelet promovimi. Salla? S’është vështirë, me 250-300 mijë lekë të vjetra ke nja dy a tri te Muzeu Historik Kombëtar, ke te Galeria e Arteve, te TOB, te Akademia e Arteve; po të pati xhepi, te Sheratoni apo 15-katëshi, rrallë, shumë rrallë, në Bibliotekën Kombëtare. Pasi ke mbaruar këtë punë, të duhet një koktejl me qofte, shkopinj brumi, fara susami, lajthie dhe arre, dhe je OK.
Ndërsa, për atë tjetrën, më të rëndësishmen, konferencën dhe kush do të flasë, është e zgjidhur. Të gjithë miqtë, e dashamirët që kanë ardhur aty e dinë detyrën: nuk i bën ti të qajnë me librin, por të bëjnë ata ty të qash me ato që thonë, e që ti ke fatin t’i dëgjosh pa vdekur akoma!… Dhe, ta dish, se ato që t’i thonë, t’i thonë nga shpirti, jo nga libri, të cilin nuk e kanë lexuar akoma, dhe…jo vetëm që s’e kanë lexuar akoma, por nuk kanë për ta lexuar kurrë!
Kur të mbarojë ceremonia, mos harro të marrësh një stilolaps të mirë, nga ata që nuk të lënë në baltë, dhe mos nguro t’ua firmosësh librin e falur atyre që të vinë me bulçitë plot e gjysmë të dehur nga që kanë kthyer shpejt e shpejt me eks nja tri-katër gota nga frika se mos mbarohej e ngelej vetëm coca-cola, që tani nuk po e pinë as kalamajtë, pa le të mëdhenjtë!
Ceremonisë po i vjen fundi. Heroi i saj, normalisht të takon të jesh ti, i dashur autor. Por koha ka ndryshuar, i dashur, hero nuk je ti që shkruan, hero është ai që lexon.
* * *
“Kështjella”, Franc Kafka
Në botimin e vitit 1951, Maks Brodi dëshmon se sipas fjalëve të Kafkës romani do të përfundonte me vdekjen e K – së në kohën që i vjen lajmi nga Kështjella se ishte miratuar për të leja e qëndrimit.
“Shkrimtarët e shekullit”, Rudina Xhunga
Nobelistë, kandidatë për çmimin “Nobel”, por dhe shkrimtarë që kanë ndikuar me librat e tyre në shoqërinë e sotme, kanë folur hapur për Xhungën, si në një libër. Ajo fillimisht ka lexuar librat e tyre, më pas ka dashur të kuptojë të gjitha mesazhet që i gjente mes rreshtash.
“Koha e ngrirë”, Anna Kim
“Koha e ngrirë” është një roman për kujtimet, për mënyrën e trajtimit të frikës, të përdorimit të harresës. Për këtë libër kaq aktual dhe politik, Anna Kim gjen një gjuhë të brishtë, pothuajse lirike, e cila të zgjon shumë më tepër nga sa emërton.
