Në kuadër të vizitës së tij në Austri, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, u prit në një takim nga ministri i Punëve të Jashtëm të Austrisë, Sebastian Kurz.
Në takim u trajtuan çështje që lidhen me avancimin e Shqipërisë në axhendën e saj evropiane, rëndësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE, forcimin e bashkëpunimit dypalësh, si dhe zhvillimet e fundit në rajon dhe ato ndërkombëtare.
Dy ministrat u ndalën në zhvillimet më të fundit në Ukrainë, në kuadër edhe të Ministerialit të Këshillit të Evropës, që po zhvillohet aktualisht në Vjene. Gjatë takimit u evidentuan hapa konkrete të bashkëpunimit në planin shumëpalësh në të ardhmen.
Nga ana e tij, ministri Kurz konfirmoi mbështetjen e pakursyer të Austrisë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së dhe marrjes së statusit të vendit kandidat në qershor 2014. Ai konfirmoi gjithashtu se do të vizitojë Tiranën së shpejti.
Gjatë takimit, të dy homologët vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona. Ata theksuan vullnetin e përbashkët për intensifikimin e bashkëpunimit, në veçanti në fushat e drejtësisë, sistemit bankar, energjisë dhe turizmit.
Duke iu referuar zhvillimeve në rajon, Ministri Bushati nënvizoi rolin e rëndësishëm dhe te mirëpritur që luan Austria, si dhe siguroi homologun austriak për vullnetin dhe angazhimin e Qeverise shqiptare për të vazhduar rolin konstruktiv si anëtare e NATO-s, në drejtim të forcimit të sigurisë, paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm. / ATSH
