Posta Shqiptare, feston sot 101 vjetorin e Emetimit të parë të Pullës shqiptare

redaktor

Sot Pulla Shqiptare mbushi 101-vjeç. Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, pasditen e sotme u organizua një aktivitet  në kuadër të ditëlindjes së pullës së parë shqiptare. Në ceremoninë e rastit veç punonjësve dhe drejtuesve të kompanisë Posta Shqiptare merrnin pjesë filatelistë.

Në fjalën e tij në këtë përvjetor të 101-të të Pullës së Parë Shqiptare z.Ardit Çela drejtori i Përgjithshëm i Postave Shqiptare tha se – “Historia e pullave kombëtare shqiptare, ka si ditëlindje 5 majin e vitit 1913. Qeveria e Ismail Qemalit, ku Ministër i parë i Postës ishte Lef Nosi, zhvilloi një veprimtari intensive emetuese të pullave postare. Ajo nxori brenda pak muajve 6 emisione pullash. Sot në festojmë 101 vjetorin e emetimit te pullës së parë shqiptare, e cila nuk ishte një pullë si kjo në ditët e sotme por ishte një vulë me ngjyrë të zezë, me shkrimin Ministria e Postë -Telekomunikacionit dhe në mes ka shqytën me shqiponjë .Me këtë pullë u shtypën 2232 zarfa, duke krijuar në këtë mënyrë simbolin e saj të pazëvendësueshëm edhe në ditët e sotme.

Ndër të tjera Kreu i Postave Shqiptare z. Ardit Çela foli dhe për rëndësinë e Pullës postare ku përveç përdorimit të saj për qëllime shërbimi ka një rëndësi të veçantë në fushën e filatelisë. Ajo është cilësuar si një ambasador për çdo vend pasi në imazhet e saj janë pasqyruar mjaft vlera historike, kulturore, natyrore të çdo vendi. Nëpërmjet koleksionimit të pullave transmetohen këto vlera në mbarë botën. Për këtë arsye edhe Posta Shqiptare ka nisur një etapë të re për një bashkëpunim me të ngushtë me shoqatën e koleksionistëve të cilët janë njerëzit më të apasionuar në këtë fushë. Ky bashkëpunim jo vetëm do ta çojë më përpara filatelinë shqiptare por do të shërbejë edhe si një mundësi për kultivimin e kësaj ndjenjë të bukur të filatelisë edhe tek brezat e rinj, që për fat të keq pak e njohin atë.”

Në kuadrin e festimeve të këtij 101 vjetori Posta Shqiptare këtë aktivitet e organizoi në bashkëpunim me filatelistët e Federatës së Koleksionistëve të Shqipërisë që morën pjesë në Balkan Fila 2014 të organizuar në Vidin, Bullgari, në datat 5-7 Prill 2014. Ne këtë takim u organizua “Ekspozita Filatelike Ndërkombëtare. “Në këtë ekspozitë morën pjesë ekspozues nga 12 vende: Bullgaria, Greqia, Qipro, Mali i Zi, Maqedonia, Moldavia, Rumania, Sllovenia, Serbia, Turqia, Shqipëria dhe Rusia (e ftuar). Shqipëria mori pjesë me koleksionët filatelike të Z. Thimi Nika, Muharrem Gimjani, Jovan Basho.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *