Dy ngjarje tragjike ndodhën brenda tre orësh mëngjesin e djeshëm në Durrës dhe Dibër, me pasojë një grua të plagosur rëndë pasi tentoi dy herë të flijohej për shkak të depresionit dhe konflikteve në familje dhe një elektricist që humbi jetën pak pasi u dërgua në spitalin e Peshkopisë, teksa u godit nga rryma elektrike në Nënstacion, kur ishte në krye të detyrës. Policitë vendore nisën hetimet për të dyja ngjarjet, teksa 45-vjeçarja M. M., mbahet jashtë rrezikut për jetën, pasi në fillim piu detergjent pas një sherri të dyshuar me bashkëshortin dhe më pas ra nga ballkoni i pallatit, por një korridor poshtë shtëpisë i shpëtoi jetën. Kurse elektricisti Haxhi Lleshi, 55 vjeç, ra në korrent dhe po hetohet nëse ka qenë pakujdesi e kolegëve me levat e kontaktit, apo ka rënë aksidentalisht në rrymë.
Durrës
Hidhet nga kati i katërt i pallatit një 45-vjeçare në lagjen nr. 4 në Durrës. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në qytetin bregdetar. Sipas informacioneve që vinë nga policia, gruaja me inicialet M. M., ka tentuar të kryejë vetëvrasje, por fatmirësisht ka rënë mbi një ngushticë në formë korridori që e ka mbajtur trupin varur. Nga dëshmitë e mbledhura dhe hetimet, 45-vjeçarja kishte konsumuar më parë detergjent rrobash dhe më pas ka rënë nga pallati. Ndërkohë, bëhet me dije se aktualisht gruaja ndodhet në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, dyshohet se 45-vjeçarja kishte konflikte me bashkëshortin, ndaj dhe ka tentuar t’i jap fund jetës. Mjekët thanë se kanë trajtuar me terapi intensive dhe lavazh stomaku të plagosurën dhe gjithashtu po trajtojnë plagët nga rënia pasi ka pësuar hematoma dhe fraktura në trup.
Dibër
Një punonjës i Nënstacionit elektrik të Peshkopisë ka humbur jetën, pasi e ka zënë korrenti teksa punonte mëngjesin e djeshëm. Mësohet se 55-vjeçari Haxhi Lleshi ka rënë në kontakt me rrymën elektrike. Bëhet me dije se Leshi ishte elektricist në nënstacionin e Peshkopisë. Ai u dërgua me urgjencë në spitalit e qytetit, por nuk mbijetoi për shkak të goditjes së fuqishme dhe dëmtime nga korrenti. Policia e këtij qyteti ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, duke verifikuar nëse gjatë kohës së punës nga elektricisti ndërmarrja ishte njoftuar për riparimin që po kryente dhe gjithashtu për të zbardhur rrethanat se si janë ngritur levat e nënstacionit duke takuar rrymën elektrike që vrau 55-vjeçarin në krye të detyrës. Vetëm një javë më parë në Vlorë humbi jetën një tjetër elektricist që punonte në shtyllë për të riparuar një defekt.
